E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të moshuarit dhe stili adoleshent i jetës moderne

Nga Gëzim Tushi

Gezim TushiNjerëzit e orientuar nga progresi, demografët optimistë dhe sociologët që merren me problematikën e proceseve të moshimit, mendojnë se jetojmë në kohë demografikisht të reja, dhe gradualisht me sa duket mosha e fillimit apo përcaktimit të pleqërisë është bërë shumë e diskutueshme. Madje, është vështirë ta konsiderosh në se pleqëria është në çdo rast ekuivalent social me kufirin e daljes në pension. Kjo ide e trashëguar gradualisht në shoqërinë tonë po shuhet. Ka ca sociologë të tjerë, duke futur në këtë grup edhe veten time, që janë të mendimit se koha e pleqërisë duhet të jetë intensive, kontributive dhe e përshtatur me mënyrën moderne të të jetuarit në çdo kohë. Kjo kohë është e orientuar nga modeli adoleshent i të jetuarit dhe prandaj nuk të lejon, madje individualisht të ndalon të plakesh. Këto ndryshime të mëdha konceptuale për moshën, procesin e moshimit dhe realitetet e pleqërisë, kanë ndodhur me shpejtësi edhe në shoqërinë shqiptare të kohës sonë.

Ato kanë tronditur dhe ndryshuar jo vetëm konceptet për moshimin dhe pleqërinë, por dhe kanë sjellë situate e turbulence të vërteta sociale për njerëzit që kanë fatin të moshohen në kushtet e modernitetit dhe të shoqërisë me prirje të forta individualiste. Situata është e tillë që një pjesë e të moshuarve të sotëm janë nga ata që patën fatin të jetojnë ose të vlerësojnë të moshuarit e kaluar që mundën të jetonin në thjeshtësinë e jetës familjare, me lidhje të forta gjaku dhe marrëdhënie të forta të shoqërisë fisnore dhe të moshuarve të sotëm që janë të paqartë dhe të tronditur nga turbulencat sociale dhe paqartësitë konceptuale familjare e komunitare të kompleksitetit të sjellë në realitetet e sotme të pleqërisë nga influencat e forta të shoqërisë moderne.

Mosha e pleqërisë nuk është dhe nuk duhet parë si barrë as për individin e moshuar, as nuk duhet konsideruar si peshë sociale e pamerituar për sistemet e mbrojtjes sociale të shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Megjithatë, duket sikur koha moderne gradualisht edhe në shoqërinë tonë dikur, fare afër tradicionale dhe gerontokratike, tani ecën në sens të kundërt dhe duket sikur koha po vjen në disfavor të të moshuarve. Sipas disa sociologëve liberalë dhe përfytyrues eksentrik të liberalizmit, gjykohet se kjo situatë e të moshuarve, që globalisht ka filluar të shfaqet që nga vitet 60-70-të shekullit të kaluar, është e lidhur me tendencën e liberalizimit të jetës, shpërbërjes së parimeve të jetës konservatore dhe strukturave fiks të qëndrueshme të jetës dhe organizimeve sociale klasike.

Me fjalë të tjera, sipas tyre bota në kohën modern është duke iu nënshtruar pa kushte mënyrës modern individualiste të jetës dhe po përkrah stilin adoleshent të të jetuarit, që nuk u përshtatet shumë të moshuarve. Ky është faktori më i madh social, i cili konsiderohet një nga shkaqet e mëdha ontologjike të shoqërisë së sotme, që po dëmton rëndë ekzistencën, jetën, kujdesin social dhe mbrojtjen e dinjitetit të të moshuarve. Kjo do të thotë se për të përballuar sfidat e natyrshme të modernitetit, transformimin e familjes shqiptare nga tradicionale në moderne dhe njëbërthamore, dobësimi i relacioneve ndërmoshore bën që të moshuarit të kenë nevojë për më shumë shërbime mbajtëse dhe rikrijuese, si kusht që ndihmojnë dhe garantojnë standardet e jetesës dhe cilësinë e jetës së tyre.

Por jo vetëm kaq koha dhe problemet që kanë dalë në shoqërinë tonë, por janë përkeqësuar në mënyrë evidente sidomos në raportet dhe marrëdhëniet midis të moshuarve dhe fëmijëve të tyre. Konfliktet, kontradiktat, trajtimi jo serioz dhe diskriminues i të moshuarve nga familja biologjike dhe pinjollët e saj, janë realitete që kanë marrë zgjerim të përmasës sociale dhe kjo është arsyeja bazë pse bëhet e domosdoshme nevoja e trajtimit të ekuilibruar të problematikave ndërbreznore në shoqërinë shqiptare.

Të moshuarit tanë janë një grup social që kanë shqetësime dhe problematika të ngjashme, pavarësisht diferencave dhe problematikave me natyrë individuale dhe të personalizuara. Të vlerësuara nga pikëpamja sociologjike dhe ndikimet e ndryshimeve sociale duhet thënë se një pjesë e madhe e pasojave të stilit adoleshent të të jetuarit në shoqërinë modern shkarkohet padrejtësisht mbi ta. Pjesa më e madhe e tyre janë pasojë e ndryshimeve të të kulturës, përmbysjes së traditave, reformimit të zakoneve, tjetërsimit të një sasie të madhe të normave dhe vlerave sociale, mënyrave të sjelljes individuale dhe formave të komportimit social me këtë grup në shoqërinë tonë.

Natyrisht unë jam i bindur që koha moderne nuk kthehet pas dhe as shoqëria nuk mund të jetë më gerontokratike. Ajo nuk ecën me kokëfortësi pleqërore. Në këtë kontekst edhe të moshuarit tanë janë të detyruar të përshtaten me tipologjinë dhe presionin e stilit adoleshent të të jetuarit. Në këtë kontekst, me sa duket edhe të moshuarit do të përshtaten me imperativat e kohës. Ata duhet dhe janë të detyruar të bëhen më liberal, në një farë mënyre të kuptojnë dhe pranojnë ndryshimet e thella të jetës familjare, komunitare dhe sociale që po ndodhin në Shqipëri. Jeta moderne në shoqërinë tonë është demokratizuar jo vetëm politikisht, por dhe demografikisht dhe nga pikëpamja moshore.

Pushteti i dikurshëm gerontokratik i epërsisë pa kushte të njeriut të moshuar në familje dhe shoqëri ka ndryshuar. Ky pushtet është demokratizuar dhe ka larguar tabutë e vjetra të epërsisë gerontokratike, apo të mbivlerësimit të tepërt moral të të moshuarve apo të modelit të vjetër të epërsisë së njeriut në familje dhe në jetë vetëm për shkak të moshës. Mbarimi kësaj lloj hierarkie gerontokratike, megjithë pasojat negative disfavorizuese për të moshuarit tanë, është megjithatë një hap i madh përpara në emancipimin e shoqërisë dhe rregullimin demokratik të modaliteteve të jetës familjare dhe sociale, duke vendosur raporte të reja sociale midis brezave.

Por kjo nuk do të thotë që shoqërisht të dizekulibrojmë lidhjet dhe marrëdhëniet sociale me të moshuarit, nevojat e tyre jo vetëm sociale dhe grupore por dhe specifike e personale. Shoqëria moderne dhe mënyra adoleshente e të jetuarit ka të mirat dhe të këqijat e veta në lidhjet dhe raportet midis të rinjve dhe të moshuarve, nga të cilat nuk mund të shpëtonim as ne. Për të moshuarit tanë duket se ka një situatë sociale që është e ngjashme individualisht dhe e përgjithshme nga pikëpamja sociale. Me sa duket ndodhemi në një situatë të difraksionit, ndarjes së interesave moshore midis të rinjve dhe të moshuarve. Kjo situatë nuk është e stisur as bëhet për modë apo realizohet makanikisht. Situata ndryshe e të moshuarve dhe përjetimi prej tyre i problemeve të moshës dhe ngarkesave të pleqërisë është më së shumti pasojë e dinamikës së kohës, që ka ardhur në shoqërinë tonë për shkak të zhvillimeve dhe dinamikës së modernitetit social.

Duket sikur edhe të moshuarit edhe të rinjtë duan të ndërtojnë secili një botë më vete, të përshtatshme me moshën dhe interesat sociale të tyre. Një gjë është e qartë. Nuk mund të jetë shoqëria normale dhe as mund të ekzistojë familja, në se e ardhmja e të moshuarve mund të konsiderohet apo të trajtohet si pjesë e një kontinenti të fundosur nga pikëpamja sociale apo i vështirë dhe i pakuptuar me të rinjtë e kohës së tyre. Ky është një nga problemet më të mëdha për të sotmen dhe të ardhmen e kësaj shtrese sociale. Nuk mund të jenë të qetë të moshuarit, në se ata bëhen shtresë sociale me nevoja të pakuptueshme për familjen dhe shoqërinë shqiptare.

Të moshuarit nuk mund që për shkak të moshës së përbashkët si shtresë apo grup social, të konsiderohen si një masë e hirtë njerëzish me nevoja të përbashkëta. Një shikim i tillë holist, sociologjizant i bën të moshuarit të jenë pa individualitet apo të vlerësohen si atome të shpërndara të një mase sociale anonime

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›