Vonohet vendosja e kamerave nëpër semaforë të kryeqytetit

Vendosja e kamerave nëpër semaforë të kryeqytetit, të cilat do të monitorojnë gjendjen në trafik, pritet të ndikojë në parandalimin e aksidenteve. Mirëpo, tenderi për përzgjedhjes e kompanisë, e cila do të merret me vendosjen e këtyre kamerave, tashmë është shpallur disa herë dhe është anuluar.
Megjithatë, komuna e Prishtinës thotë se vonesat kanë ndodhur për shkak të çështjeve procedurale të prokurimit. Sipas zëdhënëses Burbuqe Thaçit qëllimi i vendosjes së këtyre kamerave është monitorimi i trafikut, ku edhe policia do të ketë qasje. E Policia e Kosovës është e bindur se vendosja e këtyre kamerave do të sigurojë në ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik dhe do të parandalojë aksidentet. Brahim Sadriu thotë se policia, përmes monitorimit të këtyre kamerave, do të mund të sigurojë dëshmi për shkelësit e rregullave të trafikut dhe t’i gjobisë ata, transmeton KTV.
Ka më shumë se një vit që komuna e Prishtinës ka vendosur semaforët e rinj. Me rastin e vendosjes së këtyre semaforëve, ajo kishte premtuar se do të vendoseshin edhe kamerat, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende./Indeksonline/