Oh, Nobel!
Në vend të çmimit, kryeministrit të Kosovës, zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden personalisht, në korrik 2010, ia dha komplimentin George Washington.
Ende pa e përballuar komplimentin George Washington, një revistë amerikane fizikisht e krahasoi kryeministrin e Kosovës edhe me një George tjetër, me fizikun e George Clooney.
Komplimentet nuk kushtojnë asgjë, janë falas. Falas është edhe ajri, edhe dashuria. Komplimentet zakonisht u bëhen femrave të reja dhe atyre femrave që nuk piqen dhe nuk bien në të njëjtën stinë. Por, ndodh që edhe burri-burrit ia jep një kompliment të madh.
Koha e vjetron edhe komplimentin George Washington,
komplimenti që Biden ia fali Thaçit u harrua si një këngë vere, dhe u tret si shpirti pa trup.
Komplimentin e Joe Biden e shanë dhe e përqeshën, u bë barsoletë e brendshme nëpër korridoret republikane.
Hashim Thaçi, nuk i dihet fatit, mund të bëhet edhe më i zoti se George Washington, por nuk është si George Washington.
Joe Bidenin e sugjeruan që ta tërheqë komplimentin mbrapsht. Por, komplimenti i dhënë pa-paramendim, tani do të kthehet mbrapsht me paramendim, në mënyrë indirekte, spontane, me takt dhe me një anti-kompliment të barasvlefshëm me komplimentin e dhënë.
Kështu, në korrik 2013, New York Times, nëpërmjet një shkrimi, e zbret nurin e Hashim Thaçit, nga George Washington te Garry Adams. Në këtë mënyrë, Amerika zbulon se Hashim Thaçi nuk qenka thesar i Amerikës. Thesar po patjetër që qenka, por thesar i Evropës.
Nuk ka asgjë të keqe me qenë Garry Adams. Kur je Garry Adams, gazetarët e historianët të thonë që ke qenë anëtar i IRA-s, por ti e mohon. Me qenë Garry Adams, do të thotë që të jesh president i partisë nacionaliste të Sinn Fein dhe në fund të marrësh pjesë në Procesin e bisedimeve paqësore që e demilitarizuan organizatën paramilitare të IRA-s, synimi i së cilës është ndarja e Irlandës veriore nga Anglia dhe bashkimi i saj në një Irlandë unike.
Atëherë, pse Hashim Thaçi është Garry Adams, pra? Që pranon, si Garry Adams në Irlandë, që veriu i Kosovës të mbetet pjesë e Serbisë. Kështu kanë thënë New York Times.
Më mirë me qenë George Washington. Por nuk ka mundësi të zgjedhësh se cilin kompliment e do për vete. Ka, ka mundësi, se ka edhe komplimente të shpikura, që blihen me pare, por ato nuk ta kënaqin zemrën.
Pasi u arrit paqja, Tony Blair, pak për inat të Amerikës që humbi zgjedhjet e tij, dhe më shumë për hir të gruas së tij, u bë katolik i devotshëm si irlandezët.
Pse kryeministri i Kosovës nuk është më George Washington?
- Sepse George Washngton ishte njëri nga etërit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Analiza e thellë e shtron dilemën e madhe: nëse Hashim Thaçi është njëri nga etërit e shtetit Kosovës, kush janë ata baballarët tjerë që kurrë nuk i përmendi Joe Biden, me emër. Hashim Thaçi vetëm nuk e ka krijuar shtetin e Kosovës.
Hashim Thaçi nuk është më George Washington:
- Sepse George Washington nuk ishte anëtar i asnjë partie politike, kurse Hashim Thaçi është anëtar, dhe kryetar permanent i partisë së tij;
- Sepse George Washington krijoi qeverinë nacionale dhe ishte patriot dhe nacionalist, ndërsa Hashim Thaçi, patriot po, ka qenë, por nacionalist jo. E patriotizmi pa nacionalizëm, është si poezia e shkruar me shpirtin e huazuar.
- George Washington ishte strateg i madh, luftëtar i madh, kurse Hashim Thaçi nuk ishte luftëtar, por bënte politikë për luftëtarët që u vranë në luftë.
- George Washington krijoi kombin amerikan- kurse Hashim Thaçi arriti që ta shuajë kombin shqiptar në Kosovë.
Por, Washington e kishte më lehtë, sepse si baba i Amerikës po krijonte një komb nga fillimi, ndërsa Hashim Thaçi e kishte më vështirë, se po shuante një komb të gatshëm, për ta transformuar kombin e vjetër shqiptar (por, vetëm shqiptarët) në një shoqëri kosovare.
Në pamundësi që ta krijojë gjuhën kosovare, Hashim Thaçi i lejoi shqiptarët që ta flasin gjuhën e huazuar të kombit shqiptar të Shqipërisë. Serbëve, romëve, turqve e të tjerëve ua mundësoi që të vazhdojnë të jenë serbë, turq e romë. Vetëm shqiptarët duhet të jenë kosovarë. Edhe kjo është një meritë e madhe për z.Thaçi, por e pakrahasueshme me George Washington, të cilin analiza e zbulon se e kishte shumë më lehtë se Thaçi. Sepse George Washington e ka krijuar një komb, kurse Hashim Thaçi e ka shuar një komb.
Tash, sdi a është më lehtë me shu apo me kriju!
- George Washington, gjatë karrierës së tij nuk e përmendi kurrë fjalën Zot, por në vend të kësaj fjale e përmendi fjalën largpamje, kurse Hashim Thaçi, as ky nuk e përmend me gojë emrin Zot, por e përmend me gjeste, sipas nevojës. Për shembull, herë mban në dorë dhe në gojë një gotë shampanjë ose verë të kuqe, herë së bashku me Erdoganin lutet nëpër xhamia. Edhe George Washington u pa disa herë duke e shoqëruar gruan e tij të dielave në kishë, por personalisht vetë asnjëherë nuk i instrumentalizoi ndjenjat fetare amerikane për të mbajtur pushtetin, siç bën dikush-dikush.
- George Washington nuk ishte i akuzuar për krime me organe njerëzore nga askush, por ishte një njeri i jashtëzakonshëm, i vetmi që u zgjodh nga vota 100% e elektoratit. Hashim Thaçi ende ka punë me Dick Marty-n (të cilin nuk pati zemër ta padisë për shpifje), dhe atij iu desh gjithkush, të gjitha minoritetet çka janë për ta formuar e për ta mbajtur qeverinë e tij.
- George Washington nuk ishte milioner, dhe gjatë kohës së tij në pension u kujdes për plantacionin e tij të kuajve, ku një ditë u sëmur nga të ftohtit, për shkak se nuk i zhveshi rrobat e lagura nga shiu, u ftoh rëndë dhe vdiq.
- Sipas një legjende popullore, Washington kishte problem me dhëmbët, dhe kur u bë president i kishte dhëmbë prej druri, ndërsa Hashim Thaçi duket që ka më shumë dhëmbë seç është e nevojshme.
Ta krahasosh Hashim Thaçin me George Washingtonin është gabim demokratik. Sepse, nëse ka George Washington Kosova, ai George Washington është vetë Amerika.
Kur New York Times e zbarkoi në Evropë, dhe kryeministrin tonë e krahasuan me Garry Adams, menjëherë na u kujtua Krishti, i biri i Zotit (atij i qofshim falë). Na u kujtua pajtimi anglezo-irlandez. Edhe ky kompliment i New York Times për kryeministrin e vendit është një lëshim demokratik, sepse Hashim Thaçi nuk po bën pajtim fetar në emër të atit, por po premton pajtim ndërshtetëror me Serbinë, së bashku me Daçiqin.
- Për ta inkurajuar pajtimin shqiptaro-serb e përmendën edhe Nobelin për Paqe, që do ta ndajnë shqiptarët së bashku me serbët. Kosovën e ndanë, pasurinë e Kosovës po, qeverinë e ndanë me serbët, tash do ta ndajnë edhe Nobelin për P
