E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një qeverisje ndryshe në arsimin e lartë

diploma 2Nga Eustrat Zhupa

Pritshmëritë ndaj qeverisë së re janë shumë të mëdha. Një nga fushat, ku guvernatorët e rinj duhet ta thonë fjalën e tyre me vendosmëri, është arsimi.

Natyrisht arsimi duhet trajtuar në tërësi për të gjitha moshat. Po të kalojmë më në veçanti, arsimi i lartë ndodhet në një gjendje skandaloze. Nuk është vështirë të perceptohet dhe të konstatohet niveli shumë i ulët moral, akademik dhe papërgjegjshmëria ligjore dhe shoqërore e disa prej drejtuesve të universiteteve shqiptare, në të gjitha nivelet.

Rilindja duhet të kalojë nga një proces pastrimi rrënjësor nëpër universitete. Po kush mund ta bëjë këtë?

Deri tani shumë pak njerëz kanë treguar se mund të bëjnë diçka për arsimin e lartë dhe këta janë persekutuar në mënyrë të ulët për kurajën e tyre intelektuale.

Mjafton të kujtojmë rastin e Universitetit të Vlorës nën drejtimin e rektorit të dorëhequr Shaska, që në pak kohë ndryshoi modelin akademik dhe administrativ, duke u bërë në të njëjtën kohë një shqetësim për një qeveri me mentalitet prapanik dhe për një ministër që mbante çelësat e kashtës.

Fenomeni i Universitetit të Vlorës nuk zgjati shumë dhe situata u kthye në origjinë me vendim politik dhe për arsye që dihen, por aty u krijua një model funksional dhe u dha një shembull se me kurajo dhe me vizion mund të bëhen gjëra të mira në arsimin shqiptar.

Sot kemi drejtues universitetesh, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me botën akademike.

Jo vetëm kaq, por në shumë raste ata i kanë dhënë vetes ofiqe dhe tituj në kundërshtim të hapur me ligjet shqiptare. Në këto shkelje të ligjit, ata janë ndihmuar nga grupe të ashtuquajturish profesorë, të cilët kanë hedhur firmat e tyre paturpësisht.

Çfarë do bëhet me këtë ushtri profesorësh, që nuk meritojnë këtë titull as ligjërisht dhe as moralisht? Këta do vazhdojnë të drejtojnë arsimin shqiptar dhe të edukojnë rininë? Këta do udhëheqin formimin e njerëzve që do jenë e ardhmja e këtij vendi? Është e frikshme vetëm ta mendosh.

Shumë njerëz që drejtojnë sot abuzivisht arsimin e lartë kanë qenë jashtë vendit vetëm për të pirë kafe, në një kohë kur tanimë ligji kërkon që një profesor të ketë një eksperiencë akademike jashtë vendit të paktën për një vit dhe natyrisht një rektori i duhet të njohë mirë realitetin e universiteteve të huaja që ne i marrim si shembull.

Ku janë këta njerëzit me të tilla eksperienca? A ka ndonjë prej tyre në pozicion drejtues?

Të mos harrojmë se shpesh politika ka qenë në krah të këtyre fenomeneve të papranueshme. Qeveria e re ka detyrimin të përballet me këto probleme.

Duhet bërë një hap i vendosur drejt meritokracisë dhe arsimi është më i rëndësishmi për të ardhmen e vendit.

I duhet dhënë fund njëherë e mirë korrupsionit akademik dhe turpeve me tituj profesor, honoris causa, diploma të trafikuara për shokët, miqtë dhe tarafet e sahanlëpirësve që i marrin shpirtin të ardhmes.

Ngelet për të parë nëse politikat arsimore do drejtohen nga një nevojë publike e gjithëpranuar apo nga interesa të ngushta partish dhe njerëzish.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›