E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ohër, Presidenti Topi: Kemi krizë, të bashkëpunojmë

Nga Suela Gera
Presidenti Topi ftoi sot vendet e rajonit të rrisin bashkëpunimin si “çmimi që kërkohet të paguhet për të përballuar ndikimin e krizës globale”. I ftuar në Forumin Rajonal të Ekonomisë që mbahet në Ohër Topi kërkoi integrimin e Kosovës.
EULEX, TOPI: TE RESPEKTOHET SOVRANITETI  

OHER-  Presidenti Shqiptar i ftuar në Forumin Rajonal të Ekonomisë për Evropën Juglindore që po zhvillohet në qytetin Ohrit në Maqedoni bëri thirrje të gjithë vendeve anëtare të këtij forumi të bashkëpunojnë si e vetmja mënyrë për të përballuar ndikimin e krizës globale financiare, të energjisë dhe rrezikut të rënies ekonomike.

Në fjalën e tij kreu i shtetit shqiptar theksoi se nxitja e bashkëpunimit bën të mundur që ekonomia e cdo vendi t’i rezistojë “këtij shock–u ekonomik që po kalon bota mbarë”.

Duke kujtuar thënien e një ekonomisti të shquar amerikan i cili pasi kishte studiuar pasojat e krizës së naftës në vitet 70 kishte arritur në konkluzionin se “niveli i jetesës së çdo kombi me të cilin ne kryejmë shkëmbimet tona duhet të na preokupojë seriozisht”, presidenti Topi shtoi se “marrëdhëniet ekonomike mes vendeve ende kanë pengesa, që frenojnë zhvillimin e tregtisë së lirë”

“Përpjekjet e secilit nga vendet tona për të tërhequr investimin e huaj direkt, u përfshinë në një “luftë vrasëse” të ofertave, të cilat u influencuan, gjithashtu, nga diferencat e krijuara nga çmimi dhe pozicioni monopol i infrastrukturës fizike të energjisë elektrike, ndërtimi i së cilës për disa vende kërkon shumë para dhe kohë”- vazhdoi Presidenti Topi duke përmendur rastin e Shqipërisë si “viktimë” të kësaj situate.

“Vitet e fundit Shqipëria ka vuajtur nga furnizimi i pasigurtë me energji elektrike që ndikoi në rritjen ekonomike, sidomos gjatë thatësirës së gjatë të vitit 2007, kur çmimet e produkteve energjitike u rritën dukshëm dhe ekonomia e vendit u përball me rritjen e kostove, me frenimin e rritjes së prodhimit dhe atë të rrjedhës së investimeve të huaja direkte”.

Presidenti Topi përmendi në fjalën e tij investimet që Shqipëria po ndërmerr për të përballuar presionin që po shkakton kriza ndërkombëtare e energjisë sic janë ndërtimi i linjës së interkonjeksionit me Malin e Zi, (një projekt i tillë ekziston si ide edhe me Maqedoninë. Gjithashtu në vitin 2009 Shqipëria do të investojë, për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën.

Presidenti Topi bëri thirrje për zhvillimin e një konkurrence të lirë dhe të ndershme në tregun rajonal ku konkurentët kryesore të mos jenë vetëm disa biznese dhe markat e ndryshme të tyre, por të gjithë tregtarët dhe markat e tyre
“Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë sepse do t’i përfshinte më tej vendet tona në proçeset e ekonomisë botërore, duke zgjeruar më tej kooperimin në kuadër të CEFTA, duke i lejuar secilit prej vendeve tona sigurimin e një rritje ekonomike të qëndrueshme, për shkak të lirisë së gjërë ekonomike që siguron kooperimi dhe specializimi në fusha të caktuara ku çdo vend i ka të gjitha mundësitë të prodhojë produktet më të mira.”

Në këtë kuadër, të rritjes së konkurueshmërisë së cdo vendi në rajon, Presidenti Topi prezantoi në forumin rajonal ekonomik investimet që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në zgjerimin e insfrastrukutrës rrugore dhe portuale. Ai shtoi se investime të tilla do ta sillnin Korridorin 8, një mundësi konkrete me shumë përfitime për të gjithë vendet e rajonit.
Më tej Presidenti Topi bëri thirrje për plane konkrete bashkëpunimi me projekte, afate dhe financime të sigurta të cilat do të zvogëlonin konkurencën e pandershme si dhe do ta bënin më të lehtë dhe më të lirë shkëmbimin e energjisë, të mallrave dhe të shërbimeve brenda dhe përtej rajonit.

“Harmonizimi i interesave të çdo vendi dhe ngritja e nivelit të kooperimit ndërmjet vendeve është çmimi që kërkohet të paguajmë për të përballuar ndikimin e krizës globale dhe rënies ekonomike mbi zhvillimin e rajonit tonë”.- theksoi në fund të fjalës së tij presidenti Topi.

Në Forumin e Pestë Rajonal Ekonomik për Evropën Juglindore "Konkurrentë dhe partnerë në rrugën drejt BE-së"
marrin pjesë presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i Kroacisë, Stipe Mesiç, i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, i Bullgarisë, Georgi
Përvanov, anëtari i presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Nebojsha Radmanoviç si edhe përfaqësues të lartë të qeverive, të kompanive kryesuese, bankave dhe shoqatave afariste.

Në Forumin ekonomik i EJL-së që nisi punimet dje diskutohet për konkurrencën dhe partneritetin në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Forumet paraprake janë zhvilluar në vitin 2003 dhe në vitin 2004 në qytetin kroat Cavtat, në vitin 2006 në Miloçer në Mal të Zi, ndërsa vitin e kaluar në Dubrovnik.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›