E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX, Topi:Të respektohet sovraniteti i Kosovës

Presidenti shqiptar, Bamir Topi tha sot se shtrirja e misionit EULEX në Kosovë nuk duhet zvarritur. Në Forumin Rajonal Ekonomik që po zhvillohet në Ohër, presidenti kërkoi integrimin e Kosovës në takime të tilla rajonale. 

OHER- Presidenti Shqiptar Bamir Topi përkrah shtetin më të ri, Kosovën në forumin rajonal të ekonomisë që po zhvillohet në qytetin e Ohrit të Maqedonisë. Në fjalën e tij të rastit presidenti shqiptar bëri thirrje për integrimin e Kosovës në nisma dhe takime rajonale si hap për të shtrirë hapësirën e sigurisë ekonomike rajonale. “Ne mendojmë se realiteti i ri gjeopolitik i krijuar së fundmi në Ballkanin Perëndimor, si pjesë e proceseve integruese, shteti i ri i Kosovës, ka nevojë të inkurajohet duke u bërë pjesë e nismave dhe takimeve rajonale ku diskutohet për bashkëpunim rajonal, politik, ekonomik apo tregtar”- tha presidenti Topi duke shtuar me bindje se kjo është e vetmja mënyrë për të shtrirë hapësirën e sigurisë ekonomike.

Përpara presidentëve të vendeve të rajonit, pjesëmarrëse në këtë forum,  kreu i shtetit shqiptar mbrojti pavarësinë e Kosovës si një realitet i pakthyeshëm dhe shtoi domosdoshmërinë e shtrirjes së misionit EULEX sa më parë në Kosovë. “Procesi i zbatimit dhe shtrirjes së misionit EULEX në Kosovë nuk duhet të zvarritet, por në të njëjtën kohë duhet të vlerësojë realitetin e pakthyeshëm të pavarësisë dhe të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ai duhet të ketë karakter të barabartë, integral dhe gjithpërfshirës në zbatimin e tij vertikal apo horizontal dhe t’i shërbejë unifikimit të shoqërisë kosovare në interes të integrimit të saj sa më të shpejtë në shoqërinë tonë të përbashkët që udhëton drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian”

Presidenti Topi vlerësoi si mjaft pozitiv angazhimin dhe përpjekjet serioze të autoriteteve të Kosovës për të zbatuar paketën ligjore Ahtisaari dhe Kushtetutën e tyre të re, ndërtuar me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, sipas standardeve më të larta të respektit të individit, pavarësisht prejardhjes së tij etnike apo fetare.

(BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›