E Diel, 1 Nëntor 2026

Oketa: Demontimi i municioneve të rrezikshme, mbyllet në 2010-tën

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, deklaroi mbrëmë në emisionin "Top Story" në "Top Channel", se procesi i shkatërrimit të municioneve të rrezikshme do të përfundojë brenda vitit 2010.

Duke folur në emisionin e drejtuar nga gazetari Sokol Balla, në lidhje me rrezikun e arsenalit të municioneve që ka ushtria shqiptare, Oketa deklaroi se asgjësimi i tyre dhe demontimi po zhvillohet vetëm në repartet e specializuara të ushtrisë, të cilat janë të izoluara nga zonat e banuara dhe theksoi se shkalla e rrezikut është mjaft e vogël, duke mos përjashtuar aksidentet. Ministri i Mbrojtjes tha se "kemi trashëguar 194 mijë ton municione nga viti 1991. Aktualisht kemi 104 mijë ton, nga të cilët 95 mijë ton konsiderohen të tepërta. Sipas ministrit, kjo është çështje që cenon sigurinë kombëtare dhe sipas tij ajo duhet të diskutohet jo vetëm nga dikasteri i mbrojtjes, por nga të gjitha institucionet. Sipas Oketës, rreziku i municioneve të vjetra është se "një pjesë e tyre kanë mundësi të vetëndizen, sepse kanë kaluar kohën e tyre. Ndërkaq, duke iu përgjigjur pyetjeve të analistëve: Skënder Minxhozi, Henri Çili dhe Lutfi Dervishi, ministri Oketa, theksoi se procesi i demontimit është konsideruar një kosto dhe jo mundësi tregu. Megjithatë theksoi ministri, nga demontimi i municioneve del tepricë skrapi, i cili do të shitet dhe të ardhurat që do të përfitohen, do të riinvestohen në procesin e demilitarizimit të ushtrisë. Ndërkaq, nuk ka lënë pa u përmendur edhe ngjarja e fundit që ndodhi para disa ditësh në uzinën e Poliçanit, ku humbi jetën një punëtore. Në lidhje me këtë ngjarje, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, theksoi se "ngjarja ishte tepër aksidentale dhe ajo që e bën të veçantë, është se nuk ndodhi në ambientin e punës por jashtë tij, ku punëtorët kishin ndezur një zjarr. Nëse do të ishin respektuar rregullat e sigurimit teknik incidenti nuk do të kishte ndodhur. Fabrikat janë jashtë qendrave të banuara dhe nuk kanë rrezik për jashtë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›