Oketa: E ardhmja e Topit në PD, më 2012 të ftohet në Këshillin Kombëtar
Sado aktuale që duken, këto shigjetime të tilla janë një histori e vjetër e politikës shqiptare, një histori fatkeqësisht 20-vjeçare, që përsëritet në mënyrë ciklike dhe, sa herë ka shigjetime të tilla, pas një fare kohe kalohen me një fjali: “ishin për konsum poltik”.
E ardhmja politike e presidentit Bamir Topi pas korrikut të 2012-ës mund të jetë edhe rikthimi në PD. Parashikimi nuk vjen nga ndonjë analist, por nga një prej deputetëve të PD-së që njihet si i afërt me Topin. Gazmend Oketa, ish-ministër dhe deputet i PD-së tha dje për RTV Oranews, se “Në bazë të Statusit të Partisë Demokratike, zoti Topi është automatikisht anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe unë besoj se do të ishte edhe në nderin e PD-së të respektonte së pari statutin, detyrimin statusor, qoftë për të marrë ftesën për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar”.
Për herë të parë Oketa tregon se përtej konfliktit aktual që Presidenti ka me mazhorancën, sidomos që prej ngjarjeve të 21 janarit, ai mund të kthehet në Partinë Demokratike.
I pyetur se sa e beson ai shndërrimin e koalicioni “Aleanca Kuqezi” në një parti politike, ku Topi dhe mbështetësit e tij të djathtë do të mund të aderonin pas mbarimit mandatit, Oketa përgjigjet shkurt: “Nuk e besoj aspak”.
Për deputetin Oketa, ish-zëvendëskryeministër dhe ministër në qeverinë Berisha, përplasjet mes mazhorancës dhe Presidentit në shumicën e rasteve janë thjesht fasadë, sepse deri në momentin kur do ketë diçka konkrete do të rrjedhë shumë ujë nën ura.
“Sado aktuale që duken, këto shigjetime të tilla janë një histori e vjetër e politikës shqiptare, një histori fatkeqësisht 20-vjeçare, që përsëritet në mënyrë ciklike dhe sa herë ka shigjetime të tilla pas një fare kohe, kalohen me një fjali: “ishin për konsum politik”, pasi deri në korrik 2012 do të rrjedhin shumë ujëra dhe shumë situata politike do të ndryshojnë”.
Gazmend Oketa flet me rezerva edhe për mënyrën si funksionojnë forumet e partisë, por e sheh si një tkurrje rezultatin e 8 Majit, për forcën në të cilën ai bën pjesë.
“Më parë strukturat kanë funksionuar më normalisht, unë do të preferoja që koalicioni ynë i djathtë le të kishte marrë dhe më pak vota nga sa mori, por të kishim fituar disa qytete të mëdha, pasi realisht rezultatet që ne morëm në shumë qytete lënë shumë për të dëshiruar” - shprehet Oketa.
Por përtej parashikimit dhe këshillës së Oketës për Topin dhe PD-në, situata nuk duket kaq lehtësisht e kapërcyeshme. Kjo jo për faktin e sulmeve të dyanshme mazhorancë-presidencë, por edhe për vetë vendimin e Presidentit, që duket se e ka vendosur të ardhmen e tij politike, djathtas, por jo në PD.