E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moamar Gadafi vritet në bastionin e fundit

Udhëheqësi i Libisë në 4 dekadat e fundit është vrarë nga forcat rebele, në betejën për të mbrojtur qytetin e fundit të rezistencës. Libianët festojnë me flamurin e ri, rrethanat e vrasjes ende të paqarta

Vritet Moamar Gadafi, ish-udhëheqësi libian i katër dekadave të fundit. Gadafi u vra nga Forcat e Këshillit Kombëtar Kalimtar të Libisë, gjatë sulmit të tyre kundër qytetit Sirte, qendra e fundit e rezistencës së forcave qeveritare, besnike të ish-udhëheqësit libian. Kryetari i Këshillit Kombëtar Kalimtar, Mustafa Abdel Xhalili e konfirmoi vdekjen e Gadafit në një konferencë shtypi në Libi. Edhe Shtetet e Bashkuara morën konfirmime për vdekjen e Gadafit nga zyrtarët libianë. Mediat ndërkombëtare raportuan se veç Gadafit, në sulmin për të marrë nën kontroll Sirten u vranë edhe njëri prej djemve të tij, Mutasim Gadafi dhe shefi i tij i shërbimeve sekrete, Abdullah al Senusi. Edhe pse kohë më parë kishte tentuar një grusht të dështuar shteti ndaj të atit, Mutasim Gadafi u fal prej tij dhe aktualisht shërbente si këshilltar për çështjet e sigurisë. Pamjet e trupit të tij të përgjakur u transmetuan nga televizionet e vendeve të ndryshme të botës. Trupi i Gadafit i shtrirë në tokë u paraqit i rrethuar nga forcat e Këshillit Kombëtar Kalimtar, të cilët e morën atë nën kujdesin e tyre. Nuk janë ende të qarta rrethanat e vrasjes, por luftëtarët e Këshillit thanë se Muamar Gadafi u gjet ndërsa qëndronte i fshehur nën tokë dhe atë e qëlluan me armë dhe e vranë, gjatë operacionit për marrjen nën kontroll të qendrës së fundit të rezistencës së forcave të tij. Këshilli Kombëtar Kalimtar ka thënë se do të deklaronte çlirimin e mbarë vendit pasi të merrte kontrollin e Sirtes, një qytet bregdetar 360 kilometra larg Tripolit, i njohur edhe si vendlindja e Gadafit. Dje, luftëtarët e Këshillit Kalimtar e festuan ngjarjen me të shtëna në ajër dhe duke valëvitur flamurin e ri kombëtar në qytetin mesdhetar të Sirtes, që ka qenë i rrethuar për rreth dy muaj nga forcat e Këshillit Kombëtar Kalimtar. Koloneli Gadafi, njeriu që udhëhoqi Libinë për 42 vjet, u vra më parë gjatë ditës, ndërsa udhëhiqte trupat e fundit të mbetura në mbrojtjen e Sirtes, qytetit të tij të lindjes.

Sulmi në 90 minuta për të mposhtur Sirten

Eliminimi i Gadafit u njoftua fillimisht nga televizioni “Al Jazeera”, i cili citoi se “një peshk i madh” është kapur në orët e para të mëngjesit të së enjtes, por emri nuk u bë i ditur që në fillim. Më pas, lajmi është konfirmuar edhe nga rrjeti prestigjioz CNN. Sikurse raportojnë mediat e huaja, rebelët po festojnë në rrugët e qytetit Sirte, duke brohoritur edhe vdekjen e tij nga plagët e rënda. Zëdhënësi i qeverisë tranzitore libiane ka deklaruar menjëherë: “Sirte, bastioni i fundit i kolonelit u lirua. Atje nuk ka më forcat të Gadafit. Tashmë ushtarët e tij janë nën kontrollin tonë dhe është e kotë të tentojnë të arratisen”. Sulmi për të pushtuar përfundimisht Sirten nisi në orën 08:00 të mengjesit me orën lokale dhe zgjati vetëm 90 minuta. Mbi 20 ushtarë të Gedafit humbën jetën në këtë përleshje, 20 te tjerë u kapën nga rebelet ndërsa mbi 50 u arratisën. Në grupin e personave të arratisur ishte edhe një nga djemtë e Gedafit, i cili u fsheh menjëherë sapo nisi përleshja e armatosur. Pushtimi i Sirtes nënkupton tashmë se Këshilli Kombëtar Tranzitor në Libi do të nisë krijimin e një sistemi demokratik, të cilin vetë anëtarët e tij deklaruan se do ta nisnin menjëherë pas pushtimit të qytetit të fundit të regjimit të Gadafit.

Presidenti Bamir Topi e ka cilësuar vrasjen e Moamar Gadafit si ngjarjen që i jep fund një prej diktaturave më të gjata të botës. Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, Topi tha se: “kjo ngjarje lë pas një kalvar të gjatë vuajtjesh dhe i jep fund një prej diktaturave më të gjata në botë. Tashmë Libisë i hapet përpara një perspektivë e qartë demokratike dhe paqe”.

Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur lajmin e eliminimit të ish- dikatorit libian, Moamar Gadafi. "Këshilli Kombëtar i Tranzicionit u dha sot libianëve dhe mbarë botës lajmin e shumëpritur të daljes nga skena njëherë e përgjithmonë të ish- diktatorit libian. Ky kriminel, më i madhi në historinë moderne të Libisë, meritonte ndëshkimin më të madh sipas ligjit ndërkombëtar për krimet e rënda kundër njerëzimit që kreu ndaj popullit të tij".

Vrasja e Gadafit, pritet mbledhja e NATO-s

Në orët në vazhdim, NATO mund të mblidhet në nivel përfaqësuesish të përhershëm për të vendosur për ndalimin e operacionit. Lajmi bëhet i ditur nga burime diplomatike, të cilët thonë se gjithçka varet nga deklaratat zyrtare që do të vijnë në orët në vazhdim nga qeveria e tranzicionit.

Burimet kujtojnë se operacioni i NATO-s nuk ka qenë për arresimin apo vrasjen e Gadafit, por mbi bazën e një rezolute të OKB-së, për të mbrojtur popullin civil.

Moamar Gadafi

Koloneli i “unitetit”

që bashkoi libianët

në luftën kundër tij

Kokëfortësia e Moamar Gadafit për të dhënë dorëheqjen pasqyron diktaturën e tij 40-vjeçare në Libi. Ngjitja në moshën 27 vjeçare në pushtet e udhëheqësit ekcentrik, reputacioni si kritiku më i ashpër i Perëndimit dhe filozofia e tij për shtetin e masave, që u materializua në shtetin që drejtohej vetëm nga 1 njeri

JulieAnn McKellogg

Vdekja e kolonel Moamar Gadafit i jep fund një lufte të gjatë kundër rebelëve në Libi. Deri në fund, ai refuzoi të jepte dorëheqjen, një kokëfortësi që pasqyron diktaturën e tij 40-vjeçare. Moamar Gadafi ishte vetëm një oficer 27-vjeçar i ushtrisë, kur ai erdhi në pushtet në vitin 1969 pas një grusht-shteti ushtarak kundër mbretit të Libisë. Gadafi shpejt fitoi reputacionin e një kritiku të hapur të Perëndimit. Ai nuk veshi më uniformën ushtarake, shfrytëzoi krenarinë e tij arabe dhe u përpoq të bashkonte botën arabe. Më vonë, ai ra në sy për veshjet, fjalimet, dhe trupërojet e tij femra, duke e bërë atë një udhëheqës ekcentrik në skenën botërore. Jerrold Post, drejtor i programit të psikologjisë politike në Universitetin “George Washington” analizon edhe profilin e tij. “Ne përpiqemi të fokusohemi tek ekcentrizmin e tij, por ai kryesisht ka qenë një udhëheqës mjaft i efektshëm, sidomos në skenën ndërkombëtare dhe mjaft simpatik, por sigurisht që ai ishte një udhëheqës me karakteristika të veçanta”. Gadafi krijoi një sistem shoqëror, politik dhe ekonomik të quajtur “Xhamahirija,” që në arabisht do të thotë shteti i masave. Ai e ka përshkruar filozofinë e tij në librin e tij të famshëm “Libri i gjelbër”. Ai bëri thirrje për një vend pa institucione, të drejtuar nga populli dhe të udhëhequr prej tij. Por Daniel Server i Institutit të Lindjes së Mesme thotë se kjo filozofi kurrë nuk ka funksionuar në këtë mënyrë. “Ai ishte një njeri që i mësoi libianët se ata duhet të formojnë këshillat për të qeverisur veten. Por nuk i lejoi ata të qeverisin vetveten. Vendi drejtohej nga një njeri”. Zoti Server thotë se pasuritë e naftës dhe gazit në Libi i dhanë Gadafit ndikim si brenda ashtu dhe jashtë vendit të tij. Ai kishte mbajtur mënjanë pasuri për veten e tij dhe aleatët e tij më të ngushtë. “Ai u bë gjithashtu një simbol i unitetit të Libisë, një vend që u krijua nga bashkimi i disa pjesëve të ndryshme”. Lidhjet me terrorizmin kanë njollosur imazhin ndërkombëtar të Gadafit. Shtetet e Bashkuara e kanë fajësuar atë për shpërthimin në një klub gjerman nate në vitin 1986, ku u vranë dy ushtarë amerikanë. Në vitin 2003, Gadafi ndërmori hapa për t’u pajtuar me Perëndimin. Ai pranoi përgjegjësinë për shpërthimin që rrëzoi një aeroplan në vitin 1988, ku u vranë 270 njerëz në Lokerbi të Skocisë. Ai gjithashtu hoqi dorë nga armët e shkatërrimit në masë dhe terrorizmi. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara hoqën elementët e programit bërthamor të Libisë nga vendi, pezulluan sanksionet dhe rivendosën marrëdhëniet diplomatike. Por, në fillim të këtij viti, mijëra libianë u rebeluan kundër sundimit autoritar të Gadafit. Ata u bashkuan me revolucionet e tjera arabe dhe kërkuan që ai të japë dorëheqjen. Ai u përgjigj me një goditje të dhunshme ndaj protestave. Shumë shpejt pjesa më e madhe e botës ishte kundër tij. Kombet e Bashkuara vendosën sanksione kundër Libisë dhe NATO filloi sulmet ajrore. Por Gadafi nuk pranoi të largohej. “Ka një konspiracion për të kontrolluar naftën e Libisë, për të kontrolluar Libinë dhe për të kolonizuar Libinë përsëri. Kjo është e pamundur. Ne do të luftojmë deri në fund për të mbrojtur Libinë.” Çdo gjë kishte të bënte me vetë Gadafin, thonë analistët Daniel Seëer dhe Jerrold Post. “Ai e kishte këtë imazh të vetes së tij, që i dukej vetja në qendër të botës arabe, si udhëheqësi më i madh pan-afrikan, e musliman, si udhëheqësi i botës së tretë”. Daniel Serëer ka pikëpamje të ngjashme. "Kjo do të jetë një trashëgimi e autokracisë, e rezistencës ndaj demokracisë. Dhe për shumë njerëz, kjo do të jetë një trashëgimi vërtetë e një njeriu të çmendur". Në fund, Moamar Gadafi, oficeri i ri ushtarak i prindërve nomad, i cili e shpalli veten e tij si njeri unifikues, i bashkoi libianët në luftën kundër tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›