Si ruhej Enver Hoxha dhe historia e sozive të tij
Libri i Blendi Fevziut
Drejtoria e Dytë e Sigurimit të Shtetit dhe Sulo Gradeci, partizani nga Skrapari që u atashua pranë shefit komunist në fund të viteve ’50 ishin pikat kyç të sigurimit fizik të Hoxhës. Legjenda e Petrit Shapllos, dytësit të diktatorit, sipas neozelandezit Lloyd Jones. .
Studentët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, buzë rrugës që lidh Tiranën me Elbasanin, nuk ishin çliruar ende nga emocioni i kalimit të eskortës së Enver Hoxhës një ditë të vitit 1983, kur befas, në dy makina që vinin pas, thuajse 45 minuta më vonë, vunë re imazhin e “udhëheqësit”, të zgjatur në dritaren e pasme të njërës prej tyre, një “Volvo” e thjeshtë pa asnjë shenjë të veçantë. Treçerek orë më parë, një tjetër autokolonë, prej 5 makinash, me “Mercedez”-in e madh të Hoxhës në mes dhe me imazhin e tij pas xhamit të zi kishte kaluar po me aq vrull. Ky dyzim i Hoxhës në limuzinën e madhe qeveritare dhe në makinën “Volvo”, që kishte kaluar më pas, befasoi jo vetëm studentët e asaj dite, por edhe ata që vinin më pas. Historia e “dy Hoxhave” rrëfehej nën zë për vite me radhë në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, edhe kur Hoxha nuk jetonte më. Ajo që studentët nuk dinin ishte se ata kishin të drejtë. Kishin parë realisht dy Hoxha dhe vetëm njëri prej tyre ishte Enver Hoxha i vërtetë. Tjetri ishte thjesht sozia e tij ose “dytësi”, siç u quajt pas vitit 1991 në Shqipëri.
Në vitin 1998 njëri prej shoqëruesve kryesorë të Enver Hoxhës i rrëfeu revistës “Klan”, kundrejt anonimatit, historinë e sozive të Hoxhës. E botuar në kopertinën e saj, historia ngjalli mjaft kërshëri dhe u shumëfishua më vonë.
Për ruajtjen e Enver Hoxhës përgjigjej zyrtarisht Drejtoria e Dytë e Sigurimit të Shtetit, por në të vërtetë ruajtja e tij kishte prej vitesh një emër konkret: Sulo Gradeci. Partizani nga Skrapari u atashua pranë shefit komunist në fund të viteve ’50 dhe u bë për disa dekada njeriu më besnik i tij. Po t’u referohesh dëshmitarëve sypamës, roli i tij është mbivlerësuar shumë pas vitit 1991. Por mbetet e vërtetë që ai kryente një seri detyrash. Gradeci merrej me sigurinë e Hoxhës, të familjes, po aq sa edhe me gjithë punët e tjera që kishin lidhje me të, deri te filmimet private dhe fotografimi i momenteve të rëndësishme familjare.
Të gjitha burimet dëshmojnë se Hoxha nuk ka përdorur kurrë sozi në publik. Ai nuk është zëvendësuar asnjëherë nga një njeri i dytë në ngjarje masive, por vetëm në momentet e udhëtimeve dhe të zhvendosjeve me makinë brenda Tiranës ose brenda vendit. I vetmi burim që dëshmon të kundërtën është një autor i huaj, Lloyd Jones, nga Zelanda e Re, i cili në një libër të botuar në vitin 1992 ka rrëfyer se si është nisur në kërkim të sozisë së Hoxhës, diku në verën e vitit 1991. Sozia në fjalë, sipas tij, jetonte në Savër të Lushnjës dhe quhej Petrit Shapllo, me profesion dentist. Shapllo i rrëfeu neozelandezit Jones historinë e tij të pabesueshme si sozi i Hoxhës dhe operacionet plastike që kishte bërë për këtë. Petrit Shapllo ishte me origjinë nga Tropoja.
Ka shumë mundësi që e gjithë kjo të jetë fantazi, sepse në asnjë prej regjistrave të zyrave të gjendjeve civile të Savrës nuk ka ekzistuar ndonjë person i quajtur Petrit Shapllo. Madje një emër i tillë nuk figuron në asnjë qark të Shqipërisë.
Historia e sozive të Hoxhës u bë objekt spekulimi mediatik jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj pas vitit 1990. Po të shohësh më vëmendje, ajo është vetëm një aspekt i masave të skajshme të sigurisë që merreshin për Hoxhën. Ai lëvizte rrallë dhe kryesisht qëndronte për kohë të gjata në një vend. Në këto kushte bazike mbetej siguria e tij në Bllok në Tiranë dhe në Pogradec, ku vitet e fundit të jetës kalonte dy-tre muajt e nxehtë të verës. Masat e sigurisë që Garda kishte marrë për të garantuar jetën e Hoxhës dhe të drejtuesve të tjerë komunistë janë befasuese, por jo shumë të ndryshme nga ato të liderëve të tjerë komunistë të kohës. Stërvitja e ekipit që merrej me sigurinë e Hoxhës dhe të Bllokut u bë në Bashkimin Sovjetik; masat që merreshin për lëvizjen, ruajtjen dhe gjithçka tjetër, po ashtu erdhën nga Moska. Po t’i referohesh të njëjtit burim, intensifikimi i ruajtjes së Hoxhës dhe të drejtuesve të tjerë komunistë nisi në vitin 1960, pas prishjes me Bashkimin Sovjetik. Pikërisht në atë kohë nën vilat e drejtuesve të lartë komunistë u ndërtuan strehime të nëndheshme për rastet e sulmeve ajrore dhe më gjerë. Në të njëjtën intervistë ish-komandanti i Gardës Peçi sqaron:
“Vilat e Enverit dhe të Mehmet Shehut u bënë të reja, kështu që u bë projekti i përshtatshëm që në fillim që ato të kishin mjediset nëntokësore. Ndërsa, siç thashë, u rregulluan edhe ekzistueset. Por kur të them u rregulluan dhe u krijuan kushte të përshtatshme duhet të keni parasysh se u mendua që te pastërtia, te madhësia, te kuzhina dhe magazina e ushqimeve, te zyra e punës dhe te ndërlidhja që shtetari do të siguronte ndërlidhjen me kolegët për të rakorduar veprimet. Ishte menduar që të kishte ndriçim dhe në rast të ndërprerjes së energjisë, për këtë ishin menduar moto- gjeneratorët. U morën masa që të kishte mbyllje hermetike me dyer të posaçme në rast të hedhjes lëndë helmuese luftarake. Mirëpo në këtë rast të mbylljes hermetike të bodrumeve ishte menduar edhe për mundësinë e sigurimit të ajrit të pastër. U morën masa për ndërtimin e një sistemi hidraulik tepër modern për të bërë të mundur sigurimin e ujit të pastër në çdo moment dhe jo vetëm kaq, por u përgatitën edhe rezervuarë tepër të përshtatshëm për të mbajtur ujin të freskët”. (5)
Zbulimet pas vitit 1990 nxorën në pah një supertunel të nëndheshëm, i cili nisej nga rezidenca e Enver Hoxhës dhe dilte në dy drejtime: njëri në rezidencën e Mehmet Shehut rreth 200 metra më tej dhe tjetri në bodrumet e selisë së KQ të PPSh. Por nuk mbaronte me kaq. Së andejmi, nën bulevard, dilte në selinë e Qeverisë përballë dhe vijonte deri në oborrin e jashtëm të saj. Në fund u zbulua se ai përfundonte në ndërtesën e Pallatit të Kongreseve dhe në oborrin e saj. Sipas specialistëve të xhenios në Ministrinë e Mbrojtjes, ka ekzistuar projekti për të ndërtuar një tunel të nëndheshëm që të lidhte Bllokun me Korpusin Qendror të Universitetit dhe të përfundonte në Pallatin e Brigadave. Por nuk u realizua. Disa sqarojnë se nuk u realizua për arsye fondesh, ndërsa të tjerë për arsye se toka nuk dha garanci mbajtjeje të kësaj lidhje të tunelizuar
Edhe më e ndërlikuar ishte ruajtja e Hoxhës në Pogradec. Peng i një fobie ndaj jugosllavëve dhe i bindur se ata kishin tentuar ta eliminonin politikisht disa herë, ai kishte kërkuar që gjatë qëndrimit në Pogradec të parashikohej gjithçka. Kadri Hazbiu, në një shkresë zyrtare, autorizonte dërgimin e trupave për mbrojtjen e Hoxhës në Pogradec, që sipas letrës numëroheshin 432 vetë, oficerë dhe ushtarë. Personat e ngarkuar me sigurinë e Hoxhës duhet ta ruanin, pikësëpari, nga skuadrat speciale që mund të hynin nga Jugosllavia, nga toka ose liqeni, për ta eliminuar. Nuk dihet nga vinte kjo fobi e Hoxhës ose përse jugosllavët mund ta kryenin një akt të tillë. Më shumë se realitet duket e gjitha një film fiction nga ata që kënaqin adoleshentët në kinematë e sotme.
Asnjë dokument, i asaj kohe ose i mëvonshëm, nuk ka dëshmuar që ndaj Hoxhës të jetë tentuar eliminim fizik. I vetmi rast i përfolur në shtyp pas vitit 2000 i takon një emigranti politik shqiptar, Avdyl Banushit, i cili kishte hyrë disa herë në Shqipëri dhe kishte tentuar të eliminonte Hoxhën në tribunë, gjatë njërit prej manifestimeve masive. Por Banushi vepronte i vetëm, nuk ishte një rast i organizuar dhe Sigurimi i Shtetit, i informuar për këtë, e ndryshoi vendin e tribunës nga trotuari përballë hotel “Dajtit” te trotuari përballë selisë së Kryeministrisë. Banushi vetë u arrestua shpejt.
20 vjet pas rrëzimit të regjimit komunist, askush nuk mund të thotë që dikush, një qeveri e huaj ose ndonjë lëvizje e brendshme, ka kërcënuar ndonjëherë Enver Hoxhën.
Biseda mes dy krerëve komunistë që u zhvillua mbasditen e 11 shtatorit 1981. Regjistrimi i saj, që Hoxha shënon se ndodhej në kasafortën e tij, nuk është gjendur në AQSh, as në fondin e Hoxhës dhe as në atë të Mehmet Shehut. Me gjasë ajo ndodhet në materialet që Nexhmije Hoxha mori nga kasaforta pas vdekjes së tij.
Biseda 3-orëshe mes Mehmetit e Enverit, sekretin e di vetëm Nexhmija
Por përse Shehu iu bind Hoxhës për ta prishur fejesën me aq nxitim? Është e vështirë të thuhet. Dy burrat e morën në varr sekretin e bisedës së tyre 3-orëshe atë mbasdite të datës 11 shtator 1981. Regjistrimi i saj, që Hoxha shënon se ndodhej në kasafortën e tij, nuk është gjendur në AQSh, as në fondin e Hoxhës dhe as në atë të Mehmet Shehut. Me gjasë ajo ndodhet në materialet që Nexhmije Hoxha mori nga kasaforta pas vdekjes së tij. Por as zonja Hoxha nuk e ka publikuar kurrë këtë bisedë: bisedë që me siguri është kyçi që shpjegon eliminimin e Mehmet Shehut dhe ngritjen e Ramiz Alisë.
Por një fakt i ri mund të japë më shumë shpjegime për shqetësimin e Mehmet Shehut dhe një drejtim të bisedës me Enver Hoxhën atë ditë. I pyetur nga dy djemtë e tjerë se përse prishja e fejesës po bëhej tani, kur problemet biografike diheshin më parë dhe madje i dinte edhe Enver Hoxha, Mehmet Shehu iu përgjigj si në faj: “Doli edhe kjo puna e Arshi Pipës! Nuk ishte tamam siç e dinim...”.
Por çfarë nuk dinte Mehmet Shehu për Arshi Pipën dhe ç‘kish dalë pas kësaj? Një dokument që, me gjasë, përbën thelbin e paranojës së Enver Hoxhës dhe fundin e Mehmet Shehut. Në vitin 1973, kur Enver Hoxha dergjej i sëmurë me zemër pas atakut që kish kaluar, Arshi Pipa botoi në Nju Jork një biografi satirike në vargje të Hoxhës, ku i linte shumë vend “homoseksualizmit” të tij. Një pjesë të këtij argumentimi ai e ka përmbledhur më vonë në dy vargjet e famshme që i drejtoheshin Hoxhës:
“O bandill, të lumtë bitha,
Ajo i shpjegon të gjitha...”. (6)
Nuk ka dyshim që fleta volante e shpërndarë kudo në emigracionin shqiptar kishte mbërriti në Drejtorinë e Sigurimit që merrej me kundërspiunazhin. Me gjasë, Hoxhës së sëmurë nuk kanë guxuar t’ia japin atë. Ose, edhe nëse e ka marrë, nuk i ka dhënë rëndësi. Por në datën 3 shtator të vitit 1981, në mbrëmjen e vizitës së urimit të Enver Hoxhës te Mehmet Shehu, dosja e Arshi Pipës është tërhequr nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme “me porosi të udhëheqësit kryesor”, një shprehje që përdorej nga Sigurimi i Shtetit për t’iu referuar pikërisht Enver Hoxhës. Një analizë e këtillë mund të nxjerrë te thelbi i mërisë së shtuar që Hoxha ndërtoi kundër zëvendësit të tij.
Atëherë do të bëhej i kuptueshëm shpërthimi i Hoxhës: nëpërmjet një fejese të tillë problematike, jo vetëm jashtë normave të kohës, por edhe të kryer pa e pyetur aspak “udhëheqësin”, madje duke u lidhur me një familje “armiqsh” të pafalshëm për sulmet personale kundër vetë Hoxhës, Shehu po dëshmonte sheshazi ende në gjallje të Hoxhës një autonomi që mund të merrte përmasa më kërcënuese kur të bëhej numri një i Shqipërisë. Nëse fejesa ishte apo jo shkaku real i eliminimit të Shehut, kjo nuk mund të thuhet. Por, në të gjitha rastet, ajo shërbeu për të ushqyer tek “udhëheqësi” idenë fikse se Mehmet Shehu nuk po dëshmonte më besnikëri. Në një situatë të tillë konflikti i Nexhmije Hoxhës me Fiqirete Shehun, që shumë vetë në Bllok e dëshmojnë, madje edhe konfliktet tekanjoze mes grupeve të shoqërimit të Shehut dhe të Hoxhës, që pa dyshim i qenë raportuar këtij të fundit, kanë luajtur rolin e tyre. Ato kanë ndikuar në forcimin e bindjes se Shehu po ngutej të bëhej numri një ose, më së paku, po sillej si numri një ende në gjallje të Hoxhës.
Në fund të shtatorit të vitit 1981 Enver Hoxha i kërkoi mjekut personal, Isuf Kalos, që të qëndronte ende pak minuta me të pas vizitës rutinë të mëngjesit. Nuk ishte një bisedë, por një komunikim i prerë:
“- ...Nëse ke diçka për të biseduar ose kërkuar për shëndetin tim, mund t’i drejtohesh Ramizit! E qartë, kuptove?”
Mjeku afërmendsh që iu përgjigj pa ngurrim:
“-Si urdhëroni, ju kuptova”. (7)
Deri atëherë, qysh pas vdekjes së Hysni Kapos, për çdo problem që lidhej me shëndetin e Hoxhës ai i drejtohej, veç Nexhmije Hoxhës, edhe Mehmet Shehut. Tashmë Mehmet Shehu “nuk ishte më” dhe Hoxha ia kishte besuar shëndetin e tij Ramiz Alisë. E dëshmon këtë edhe vetë ky i fundit kur përmend Isuf Kalon në librin “Enveri Ynë”.
Mjeku që e njihte Bllokun e kuptoi mesazhin: që nga ai moment Mehmet Shehu nuk ishte më pasardhësi dhe eliminimi i tij ishte vendosur: një eliminim që filloi ngadalë, por i pandalshëm, ndërsa ky i fundit, për fatin e tij të keq, dukej se nuk e kuptoi dot kurrë. Njeriu që kishte qenë dëshmitar dhe protagonist në eliminimin e shumë shokëve të tjerë, atëherë kur duhej, nuk e kuptoi dot që i kishte ardhur radha?! Ka gjasë që sistemi ishte ndërtuar i tillë që, edhe pse ky e dinte, nuk mund ta ndalte, sikurse mendon edhe Bashkim Shehu në librin e tij:
“Rënia e Mehmet Shehut për 3 muaj e gjysmë, që nga fillimi i shtatorit gjer në 18 dhjetor 1981, ishte e pandalshme. Të paktën Mehmet Shehu vetë nuk bëri asgjë për ta ndalur këtë rënie. Nëse bëri diçka ajo ishte pikërisht e kundërta e asaj që duhej të bënte: vetëfajësimi, vetëqortimi i vazhdueshëm, dorëzimi i plotë i vetvetes ndaj vullnetit të shokut të tij dhe torturuesit dhe vrasësit të tij, Enver Hoxhës”. (8)
Rrënimi i Shehut në ato muaj vjeshte të vitit 1981 është një shpërfytyrim i vërtetë. Ndërsa “loja” e Hoxhës me të diabolike. Në fund të shtatorit kryeministri ndjeu për herë të parë se vartësit, deri atë ditë tejet të bindur e të përulur, filluan të bëhen tekanjozë, shpesh rebelë. Prania e tij në disa veprimtari publike, si në Konferencën e Partisë së Korçës, u censurua në Televizorin shtetëror, ndërsa Hoxha thuajse nuk e kishte kontaktuar për ditë me radhë.
Më 16 tetor 1981, me rastin e ditëlindjes së Hoxhës, Mehmet Shehut iu tha se Fiqiretja, ndryshe nga herët e tjera, nuk kishte përse të vinte për vizitë me Byronë Politike, por me shokët e KQ të PPSh. Kur vetë Shehu u gjet në shkallët e shtëpisë së Hoxhës vuri re se e veja e Hysni Kapos ishte thirrur të shkonte për vizitë bashkë me Byronë, sipas një rituali të pandryshuar prej dekadash. Por shqetësimin e parë ai e kaloi nga pritja e Hoxhës. Një kronikë televizive e kësaj ditëlindjeje, e pa bërë publike në atë kohë, hedh dritë për atë që ka ndodhur aty. Hoxha është tejet dashamirës me Shehun: e përqafon, e ul në një kanape krah tij, i thotë shpesh “shoku im i betejave” dhe, mbi të gjitha, kur ky i fundit e uron: “T’i rrosh Partisë”, ia kthen:
“-Bashkë, Mehmet i dashur. Edhe ti! Dhe kujdes shëndetin. Se nuk jemi më të rinj, i duhesh Partisë për tani dhe më vonë”. (9)
Shehu u ndie i çliruar atë ditë, por e parë 30 vjet më pas kronika ndryn brenda saj pamje të frikshme. Ndër njerëzit që vijnë për ta uruar dhe që Hoxha i përqafon fort janë edhe 12 vetë që brenda disa muajsh, deri një vit më vonë, do të ndëshkoheshin rëndë: 4 prej tyre do të pushkatohen, njëri do të vrasë veten dhe 7 do të ndëshkohen me burgime të gjata. Për shumë prej tyre ky ishte takimi i fundit me “udhëheqësin”: ai ka dalë t’i përcjellë te deri te dera me një buzëqeshje të lehtë dhe me shumë fjalë mallëngjyese krejt si në një “takim të fundit”. (10)
Kronika nuk u transmetua kurrë për një arsye të thjeshtë: kur ajo u montua dhe u bë gati nga kinostudio, Mehmet Shehu kishte vrarë veten dhe shumë të tjerë po dënoheshin. Hoxha nuk mund të dilte në publik duke përqafuar njerëzit që vetëm pak javë më pas qenë bërë viktimat e tij.
Dëshmia e djalit të kryeministrit, të mbijetuar nga historia tragjike, është tronditëse. Mehmet Shehu po mënjanohej, po i lihej të kuptonte se dënimi i tij ishte vendosur. Njëkohësisht ngjitja e Ramiz Alisë, njeriut që ai nuk e përfillte si rival, ishte e dukshme. Hoxha i shmangte takimet me Shehun, ndërsa shfaqej gjithnjë më dendur nëpër rrugët e Bllokut dhe të Vlorës me Ramiz Alinë. Në këtë atmosferë pritje dhe ankthi Hoxha kreu edhe një nga gjestet që vlejnë për të analizuar psikopatologjinë e tij: ndërsa Mehmet Shehu ndihej i izoluar; ndërsa në organizatën bazë i kërkohej thellimi i autokritikës, ndërsa vartësit dëftonin hapur përçmim ndaj tij, Hoxha thërret në zyrë djalin e madh të Mehmet Shehut, Vladimirin. Për rreth dy orë ai i foli për kontributet e Shehut në Luftë dhe në ndërtimin e socializmit, duke i kërkuar djalit që t’i rrinte pranë të atit dhe ta ndihmonte, ngase lodhej dhe tani mosha bënte punën e vet. E dëshmon edhe vetë në shënimin që ka lënë po atë ditë në Ditarin e tij:
“E premte, 25 shtator 1981.
Thirra djalin e Mehmetit, Vladimirin dhe i thashë se banimi me familjen e vet, në një apartament më vete, është normal dhe këtu nuk ka asnjë gabim, por, duke parë sensibilitetin e Mehmetit dhe situatat e rënda që u krijuan në familjen tuaj, hëpërhë mos u largo nga Mehmeti, se si ju edhe ne duhet ta ndihmojmë babën ta kalojë këtë situatë. Ishte dakord djali dhe do t’ia thotë të atit që nuk do të largohet veç...”. (10)