Oketa: Sbëjmë koalicion as me PD, as me PS. Ngjela: Marku e tha qartë, me Berishën PD nuk fiton zgjedhje
Klima politike në vend nuk është ndër më të mirat, e as ajo ekonomiko-sociale e për këtë mjafton tu hedhim një sy jo vetëm kritikave të opozitës, protestave të asaj pjese të shoqërisë civile që mundohet të jetë aktive, por edhe vetë mazhorancës që qeveris.
Dy emra deputetësh Mark Marku dhe Selami Xhepa, që të dy të mandatuar në 2009 nën flamurin e Partisë Demokratike kritikojnë si qeverinë ashtu dhe partinë e tyre duke thënë se zgjedhjet e 2013-ës për PD-në janë një mision i pamundur nëse nuk ndryshohet qëndrim.
Nga ana tjetër, opozita kritikohet se nuk është gati për të ardhur në pushtet, që është e përçarë, që ska rrugët se si do të nxjerrë vendin nga situata e vështirë ekonomiko-sociale. E mes këtyre analizave, kritikave e akuzave ndaj dy partive dhe kampeve më të mëdha politike shqiptare, kush do ti fitojë zgjedhjet e qershorit të vitit të ardhshëm?
Kësaj dhe të tjera pyetjeve të nxehta që kanë të bëjnë me klasën politike shqiptare u mundua ti japë përgjigje mbrëmjen e kësaj të enjte Top Story me gazetarin Sokol Balla në Top Channel me të ftuar në panel deputetë e analistë politikë.
Deputeti socialist Saimir Tahiri deklaroi se Partia Socialiste ka mbetur zëri i vetëm që kritikon mazhorancën. Shoqëria civile, tha zoti Tahiri, duhet të merret më shumë me qeverinë se sa me opozitën: Shoh impotencë kolektive për tu marrë me ata që administrojnë vendin. Korrupsioni ka emër dhe nis nga kryeministri Berisha, unë e kam thënë dhe e them sërish edhe pse kam marrë gjoba për këtë, tha zoti Tahiri.
Ndërsa për analistin Artur Zheji kritikat opozitare ndaj qeverisë janë korrekte dhe pjesë e retorikës së saj dhe vlerësoi se për të situata e përgjithshme në Shqipëri është e mirë dhe në përmirësim. Ndërkohë, kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela tha se opozitës i mungon ajo që quhet racionalizëm për të ardhur në pushtet.
Racionalizmi i mungon opozitës. Pohimi se unë do të ndryshoj gjendjen nuk thotë asgjë, por si do të ndryshosh?! Alternativës së opozitës i mungon kjo Si do të ndryshojë gjendjen. Kjo e ka mërzitur popullin opozitar. Opozita duhet të dijë çfarë duan njerëzit, tha zoti Ngjela.
Pjesëtari i grupit nismëtar të themelimit të partisë Fryma e Re Demokratike, Gazmend Oketa tha se klima politike në vend, që pas 2009-ës është karakterizuar nga tensione të forta që kulmuan me ngjarjet e 21 Janarit. Sipas tij, klima e tensionit politik përcillet tek qytetarët. Kjo duhet të marrë fund, tha Oketa sepse nuk gjeneron asgjë për qytetarët shqiptarë. Deputeti i vetëm i FRD-së në parlamentin shqiptar, kritikoi opozitën.
Kjo lloj opozite, edhe unë në opozitë jam, por lloji i opozitës së PS-së nuk më ngjall shpresë. Unë jam në opozitë, në opozitë me mazhorancën dhe vetë opozitën. Ka ardhur koha tu kthejmë qytetarëve një besim të humbur tek klasa politike shqiptare, tha Oketa.
Të hënën në emisionin Shqip me Rudina Xhungën deputeti demokrat, Mark Marku kritikoi qeverinë dhe Partinë Demokratike. Sipas tij, PD është një parti e shantazhuar nga LSI dhe se zgjedhjet e ardhshme nuk fitohen me njerëz besnik, por me realizëm e për këtë, tha zoti Marku, PD duhet të ndryshojë.
Cfarë po ndodh brenda mazhorancës kur ka ngelur më pak së një vit nga zgjedhjet? Në lidhje me deklaratën e deputetit Marku, analisti Zheji tha se kjo ka të bëjë me atë që ai e quajti indeksi i lirisë së Markut. Sipas Zhejit, kjo mazhorancë po qëndron në pushtet dhe rrezikon të fitojë edhe mandatin e tretë për shkak të dobësisë së opozitës, mungesës së ideve konkrete të saj, jobindëse dhe e përçarë.
Ndërsa deputeti Gazmend Oketa tha se kjo bën pjesë qëndrimet parimore të Markut, që pas shumë kohësh në guaskë, vendosi të flasë. Për kreun e PLD-së, Spartak Ngjela ajo që zoti Marku tha ishte e qartë; PD nuk mund të fitojë zgjedhjet me Sali Berishën dhe sipas Ngjelës, kërkoi largimin e tij.
Në takimin e javës së kaluar në Top Story i ftuar ishte një ndër zërat më të rëndë të PS-së, Pandeli Majko. Majko dha një opinion personal duke thënë se PS duhet të bëjë koalicione parazgjedhore edhe me AK dhe FRD.
Sa e realizueshme është ideja e Majkos për bashkimin e të gjithë pjesës së popullit që është në opozitë me qeverinë? Për kreun e PLD-së, Spartak Ngjela është e pamundur pasi kanë programe krejtësisht të kundërta dhe pozicionimi i FRD është thellësisht i djathtë.
Vetë përfaqësuesi i FRD-së në studio, Gazmend Oketa nuk e sheh të mundur një koalicion të forcës që përfaqëson as me PD dhe as me PS. Besoj që jemi në vendin e duhur, tha Oketa duke shtuar se FRD del si një alternativë që kërkon koalicion me qytetarët.
Deputeti socialist, Sajmir Tahiri tha se kjo nuk është përballja e opozitës dhe as përballja e qeverisë me opozitën, por përballja e qeverisë dhe mënyrës së qeverisjes me qytetarët.
Larg bashkëpunimin e sheh edhe analisti Artur Zheji. Ai tha se këto dy forca janë shumë larg njëra tjetër dhe kritikoi Partinë Socialiste, e cila sipas tij nga njëra anë kërkon mbështetjen e partive të vogla në zgjedhje, nga ana tjetër flirton me Partinë Demokratike për reformën zgjedhore duke lënë sërish jashtë partitë e vogla duke mos e ushtruar të drejtën e vetos për reformën.
Pretendimi i zoti Zheji për pengesën e reformës zgjedhore u hodh poshtë nga deputeti socialist, Sajmir Tahiri, i cili tha se është PD dhe Berisha ai që zvarrit reformën, që e mban peng atë dhe jo PS, e cila sipas tij ka shprehur gatishmërinë me nënshkrimin e marrëveshjes.