“Old Trafford”, rindërtimi kushton 1.8 miliardë euro

1.8 miliardë euro, kjo është shuma e planifikuar për rindërtimin e stadiumit mitik Old Trafford. Sipas burimeve zyrtare nga klubi i kuq, projekti është shumë i kushtueshëm dhe rindërtimi i “Old Trafford” mund të kthehet në veprën më të shtrënjtë të ndërtuar ndonjëherë në Angli. Pak kohë më parë, Tottenham finalizoi punën për ndërtimin e stadiumit 80 mijë vendësh që arriti vlerën 1.3 miliardë euro, por në Manchester synojnë ndërtimin e një vepre më madhështore që do të simbolizojë edhe peshën e madhe të kësaj skuadre në qytetin industrial dhe gjithë ishullin britanik.
Kostot mund të jenë më të mëdha për shkak të hekurit të veçantë që do të përdoret por edhe për shkak të rritjjes së çmimit të këtij produkti për shkak të luftës në Ukrainë. Rindërtim është një fjalë jo e plotë dhe jo përshkruese në këtë rast pasi bëhet fjalë për ndërtimin e gjithë kompleksit, ndërsa rikonstruksioni është një opsion që aksionerët e kanë marrë në konsideratë pasi në këtë rast do të ristrukturohej tribuna “Bobby Charlton” për ta rritur kapacitetin e përgjithshëm të stadiumit në 80 mijë vende.
Opsioni i tretë por edhe më pak i mundshmi është vetëm ndryshimi i pjesëve të vogla të stadiumit, kryesisht në pjesën e jashtme por kjo ka pak gjasa të ndodhë sepse klubi kërkon të arkëtojë sa më shumë nga biletat. Për momentin, familja Glazers që zotëron edhe pjesën më të madhe të paketës së aksioneve, është e gatshme për të ndjekur planin e rikonstruksionit të një prej tribunave me kosto rreth 500 milionë euro.