E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olimpistja Kelmendi kthehet nga Londra, synimi, Rio 2016

PRISHTINË-Olimpistja kosovare në ekipin e Shqipërisë, xhudistja Majlinda Kelmendi, u kthye sot nga Londra në Prishtinë, me ç’rast në pritjen e organizuar në aeroport u tha se ajo dha emocion të paharruar dhe u parashikua se në Rio do të jetë prijësja e ekipit olimpik të Kosovës.

"Me paraqitjen saj në Lojërat Olimpike 'Londra 2012', Majlinda Kelmendi i ka dhuruar gjithë popullit një emocion që nuk i ka përjetuar kurrë m¸ parë në një garë të tillë dhe ajo padyshim që është krenaria jonë, emblemë e sportit të Kosovës dhe besoj se do të jetë prijësja e ekipit olimpik të Republikës së Kosovës në Lojërat Olimpike Rio 2016”, tha ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi.
Ai foli në konferencën për shtyp të mbajtur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari", bashkë me xhudisten Kelmendi, trajnerin e saj Driton Kuka dhe kryetarin e Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, të cilët u kthyen sot nga Londra.

Ministri shtoi se meqë tashmë është plotësuar kriteri teknik për aplikimin e Komitetit Olimpik të Kosovës për anëtarësim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, do të ecet me hapa të sigurt për të qenë të bindur se vërtet përgjigja do të jetë pozitive. "Në momentin që Kosova do të ketë njohjen e 100-të si shtet, ne do të aplikojmë për anëtarësim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Unë jam i bindur se ky numër do të rritet në muajt e ardhshëm dhe besoj fuqishëm se do të jemi të përgatitur që të marrim një përgjigje të merituar, një përgjigje pozitive”, tha ai.

Xhudistja Majlinda Kelmendi tha se rezultati në Londër nuk ishte ajo që ka pritur dhe se nga dëshira e madhe për të fituar medalje, ka bërë gabime që i kanë kushtuar me humbje. "E di që rezultati nuk ka qenë ajo çka ne kemi pritur. Ndoshta thjesht s’ka qenë ditë me fat, ndoshta ka qenë koncentrimi jo i mjaftueshëm ose vet¸ prezenca në Lojërat Olimpike, sepse është ngarkesë psikike", tha ajo, teksa ka premtuar se në garat e ardhshme evropiane dhe botërore do të punojë shumë, duke mësuar nga përvoja në Londër dhe duke synuar që të jetë vërtet e përgatitur për lojërat e ardhshme, Rio 2016.

Edhe trajneri i saj, Driton Kuka, u shpreh se për të ka qenë një befasi rezultati, dhe se kjo ka ndodhur për shkak të gabimeve dhe dëshirës së madhe për fitore.
Ai u shpreh se Majlinda i ka dhënë një sukses të jashtëzakonshëm Kosovës, duke siguruar normën olimpike dhe duke marrë pjesë në Lojërat Olimpike.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›