Olldashi: Bojaxhiu do të bëjë shumë punë me buldozerë
Qeveria ka “rifreskuar” forcat e saj në Inspektoratin Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar, institucion ky që me buldozerët e tij duket se do të zbarkojë shumë shpejt në qendër të Tiranës, ku kanë filluar edhe punimet për rikonstruksionin e plotë të sheshit “Skënderbej”. Në krye të këtij inspektorati është emëruar ish-drejtori i KESH-it, Gjergji Bojaxhi. Njëkohësisht Bojaxhi është edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, si përfaqësues i Partisë Demokratike. Ka qenë vetë ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, ai që ka bërë dje prezantimin zyrtar të kryeinspektorit të ri të Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar.
“Jam i bindur që Bojaxhi do t’i japë përmasën e duhur Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik, sikurse thonë ‘me pinca bëri shumë punë’, me buldozerë do bëjë akoma më shumë”. Kanë qenë këto fjalët e ministrit Olldashi për të sapoemëruarin në krye të institucionit që “thërrmon” të paligjshmit.
Sipas Olldashit, “kemi pasur dhe kemi një problem vazhdimisht shqetësues me situatën e ndërtimeve të paligjshme në territor dhe në kontrollin mbi territorin. Jam i bindur, tha ai, që me këto dy elementë të rinj, me kryeinspektorin e ri dhe me ndryshimet në ligjin, inspektorati do të dijë t’i përgjigjet shumë më mirë nevojës që ka për të kontrolluar dhe për të ushtruar detyrimet e veta ligjore mbi territorin”.
Nga ana tjetër, Olldashi ka paralelizuar veprimin e individëve shkelës të ligjit për sa u përket ndërtimeve pa leje me një pjesë të pushtetit vendor, që sipas tij kryen të njëjtën gjë. Në këtë mënyrë, ai i është adresuar direkt Bashkisë së Tiranës dhe drejtuesve të saj lidhur me punimet që po kryhen në shesh që nga përfaqësuesit e qeverisë qendrore janë cilësuar si të paligjshme dhe me deficenca të mëdha.
“Situata është e tillë, theksoi ministri Olldashi, që nuk kemi më vetëm individë, qytetarë që ndërtojnë në mënyrë ekstraligjore, por kemi filluar së fundmi të kemi dhe institucione të pushtetit vendor, që po abuzojnë me ligjin dhe po ndërtojnë në mënyrë të paligjshme. Besoj që qëndrimi duhet të jetë i njëjtë ndaj të dyja palëve. Ndaj shkeljes së ligjit janë njësoj, si qytetarët, si institucionet”.
Më tej, ministri i Punëve Publike vuri në dukje se ky është një emërim që përkon në kohë me hyrjen në fuqi të ndryshimeve të ligjit (Nr. 10240, datë 25.02.2010), që kemi bërë “Për Inspektoratin e Ndërtimit” dhe besoj që do të jenë dy momente shumë të rëndësishme për t’i dhënë një tjetër dimension punës së inspektoratit, ka vijuar Olldashi.
Duke e vënë përballë sfidës së madhe që e pret që në ditën e parë të punës së tij kryeinspektorin e ri, ministri kujtoi publikisht se “jam i bindur që Bojaxhi do t’i japë përmasën e duhur Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar”.
Nga ana tjetër, Gjergj Bojaxhi e përcaktoi fenomenin e ndërtimeve pa leje si një tumor në shoqërinë shqiptare.
“Unë e shikoj fenomenin e ndërtimeve pa leje si një kancer që vazhdon të deformojë hapësirat urbane në qytetet dhe fshatrat tona, si një evazion fiskal, i cili është i dukshëm dhe që rëndon drejtpërdrejt në arkat e pushtetit lokal”. Ai ka qartësuar edhe objektin e punës që e pret, duke specifikuar edhe prioritetet, në krye të së cilave duket se qëndron edhe përballja me Bashkinë e Tiranës për çështjen e sheshit “Skënderbej”.
“Inspektorati do të ketë zona prioritare si akset rrugore, akset energjetike, parqet kombëtare, kurora e gjelbër e kryeqytetit të vendit, si dhe zonën e bregdetit, peizazhi i së cilës është një pasuri kombëtare dhe ne në mënyrë sistematike do ta pastrojmë nga ndërtimet pa leje”, tha Bojaxhi. Duke dashur të tregohet realist, kryeinspektori Bojaxhi pohoi se “ky do të jetë një proces i vështirë, por tepër i nevojshëm dhe i domosdoshëm, në mënyrë që Shqipëria të këtë një zhvillim të qëndrueshëm urban dhe ekonomik”.
Emërimi i Bojaxhiut, si kreu i Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit, përkon me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të urbanistikës, që i garanton më shumë kompetenca dhe pushtet këtij institucioni. Gjergj Bojaxhi dha dorëheqjen nga drejtimi i KESH-it në shtator 2009, duke e cilësuar misionin e tij në korporatë të realizuar. Dorëheqja e parë kjo me këtë motivacion nga drejtues të institucioneve shqiptare.
#