Olldashi-Imami favoritë për postin e numrit dy në PD
PD zgjedh të hënën kryetarin e grupit parlamentar, paqe mes Bashës dhe Olldashit
Pas Partisë Socialiste do të jetë radha e demokratëve për të zgjedhur kryetarin e grupit parlamentar. Kështu ditën e hënë, në orën 11:00, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të zhvillojë mbledhjen e parë të grupit parlamentar të PD-së ku do të zgjedhë, kreun e grupit parlamentar i cili do të jetë njëkohësisht edhe nënkryetari i partisë. Mbledhja do të zhvillohet në selinë e re të demokratëve, ndërkohë që do të jenë vetë deputetët e PD-së atë të cilët me votën e tyre do të zgjedhin kryetarin e grupit parlamentar. Të hënën, 9 shtator, në orën 18:00 do të jetë mbledhja e parë e parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit dhe për shkak demokratët duhet të kenë gati emrin e kreut të grupit parlamentar.
Emrat
Zyrtarisht nuk ka asnjë emër të propozuar për të qenë kryetari i grupit parlamentar të demokratëve. Megjithatë në zyrat e PD-së lakohet gjithmonë e më shumë emri i Arben Imamit dhe ai i Sokol Olldashit si dy nga kandidatët e mundshëm për të këtë post. Imami, një nga themeluesit e PD-së, ndërkohë që ka mbajt edhe poste ministrore gjatë qeverisjes së demokratëve. Nga ana tjetër, emri i Sokol Olldashit ishte më i përfoluri veçanërisht para zgjedhjeve për kryetar të PD-së. Pas akuzave që Olldashi bëri për procesin zgjedhor për kreun e PD-së, u duk e vështirë për të parë atë si kryetar të grupit parlamentar. Por tashmë, emri i tij është rikthyer sërish, si një nga kandidaturat më të mundshme për këtë post. Paqja mes Bashës dhe Olldashit ka ardhur, pasi ky i fundit nëpërmjet një telefonate i ka uruar fitoren kreut të ri të PD-së. Fakt ky që është bërë publik nga vetë Basha. Ndërkohë që emra të tjerë të përfolur janë ata të Majlinda Bregut, por edhe emri i Genc Pollos po lakohet si një nga kandidatët e mundshëm për postin e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Të hënën, ora 18:00 mblidhet parlamenti i ri
Ditën e hënë në orën 18:00 pritet që të mblidhet Kuvendi i ri i dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Në ditën e parë të punimeve pritet që të bëhet verifikimi i mandateve të deputetëve si dhe më pas betimi i tyre. Sipas rregullores seanca e parë do të drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë. Duke qenë se Sali Berisha, i cili është edhe deputeti më i vjetër nuk pranoi të drejtonte seancën e parë atëherë kjo seancë do të drejtohet nga deputeti socialist, Namik Dokle. Ditën e hënë pritet që të votohet edhe kryetari i ri i Kuvendit, i cili sipas marrëveshjes PS-LSI do të jetë, Ilir Meta. Pas saj do të nis votimi i emrave të ministrave dhe kryeministrit të ri. Pas votimit në Kuvend të qeverisë së re, dekreti do ti kalojë Presidentit Nishani i cili sipas Kushtetutës ka 10 ditë afat për të bërë dekretimin e qeverisë së re.