E Diel, 1 Nëntor 2026

Profil/ Gramoz Ruçi, lideri në hije i Partisë Socialiste

Punon pas kuintave dhe blicet e dritat e kamerave nuk i ka shumë për zemër

Gramoz-Ruçi-kuvendGramoz Ruçi është rikonfirmuar dje si kryetar i grupit të Partisë Socialiste. Vendimi u mor dje në mbledhjen e kryesisë së kësaj partie. Përmes një njoftimi të shkurtër për shtyp zyra e komunikimit pranë PS-së bëri me dije se në mbledhjen e saj kryesia propozoi unanimisht emrin e Gramoz Ruçit për Kryetar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, vendim u formalizua në mbledhjen e grupit sot (dje) në mesditë.

Njeriu i hekurt

Se kush është Gramoz Ruçi në Partinë Socialiste këtë e dinë të gjithë. Por nuk janë të shumtë ata që e dinë që Njeriu i hekurt është shtylla kryesore që mban peshën e kësaj partie. Gramoz Ruçi ka një histori të gjatë në Partinë Socialiste. E ka filluar që në ditët e para të saj të krijimit. Një pjesë e tij i përket Partisë Socialiste dhe anasjelltas. Megjithatë mbetet një nga personazhet e paktë të cilët kanë pasur lidhje me sistemin e kaluar komunist. Një urë e ndërmjetme me të cilën tashmë i ka shkëputur lidhjet. Gramoz Ruçi edhe pse nuk është një personazh shumë mediatik, prapëseprapë fjala kur del nga goja e tij zë peshë midis socialistëve. I sprovuar shpeshherë me pushtetin, matet mirë para se të flasë. Kjo i ka bërë vend në selinë rozë e cila e mban si njeriun e saj të hekurt me të cilin mund të përballet. Punon gjithmonë prapa kuintave dhe blicet e dritat e kamerave nuk i ka shumë për zemër. Ka një autoritet të padiskutueshëm me vartësit dhe bashkëpunëtorët e tregojnë si një njeri tepër rigoroz në punët e tij të përditshme. Politikisht ka arritur një pjekuri të cilën e ka fituar me kalimin e kohës. Familjariteti 20 vjeçar që ka krijuar me hobin më të pëlqyer të shqiptarëve, politikën, i kanë ngritur goxha pikë, duke e zhdërvjelltësuar në vendimet që merr. Personaliteti dhe reputacioni i tij brenda PS-së nuk vihet në diskutim. Por prapa nuk mbeten as kundërshtarët e tij më të ashpër politik. Atyre u duhet të mendohen dy herë përpara se të përmendin emrin e tij.

Historia politike

Vjen nga Tepelena dhe aty ka hedhur hapat e parë të karrierës politike, paçka se angazhimi në jetën publike në fillimet e saj i përket periudhës komuniste. Bën pjesë në kuadrot e dalë nga Shkolla e Lartë e PPSH-së dhe brenda pak vitesh arrin të bëhet sekretar i parë i gjithë qytetit të Tepelenës. Dy vite më vonë në vitin 1990 merr postin më kyç, atë të ministrit të Brendshëm. Por kulmi i tij do të arrinte me angazhimin në strukturat e partisë socialiste pas ardhjes së ish-kryetarit Fatos Nano. Në kushtet e një Shqipërie pluraliste, Gramoz Ruçit iu desh të adaptohej me skemën e re të funksionimit të një partie ku e drejta e fjalës së gjithsecili prej anëtarëve kishte të drejtën e tij të fjalës. Një erë e re që kërkonte një mentalitet dhe forma të reja menaxhimi. Në fakt ai u adaptua shumë shpejt dhe në PS e erës së re u pozicionua duke zënë vendin e tij. Në fakt emri i tij spikati shumë shpejt midis atyre si Rexhep Mejdani, Servet Pëllumbi e shumë të tjerë duke zënë vendin kryesor dhe kthyer në një pikë referimi. Gramoz Ruçi ishte njeriu që qëndronte pothuajse gjithmonë në krah të Fatos Nanos dhe brenda pak viteve arriti në majat e PS-së. Gjashtë vitet e para, pas vitit 1991 do ti hanin më shumë kohë duke u njohur me realitetin e ri dhe për tu përgatitur për drejtimin e partisë. Dhe rezultatet nuk do vononin të vinin. Pas trazirave të vitit 1997 arrin në majat më të larta të PS, duke marrë postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së. Një përvojë që do ti vlente shumë në menaxhimin dhe mbarëvajtjen e selisë rozë duke e njohur me të gjitha prapaskenat që luhen në një parti të madhe. Por ky nuk ka qenë një motiv për ta frikësuar dhe për zbrapsur. Duke mbyllur këtë cikël Ruçi nisi një tjetër. Atë të menaxhimit të grupit parlamentar të partisë Socialiste. U zgjodh si kryetar i saj në vitin 2000 si zëri përfaqësues i socialistëve në Kuvend. Në këtë periudhë krijoi një raport edhe më të ngushtë me kolegët socialistë në parlament duke i drejtuar në beteja të rëndësishme politike. Një detyrë që e çoi përpara për pesë vjet me rradhë. Por kulmin e karrierës së tij të gjatë politike e arriti në vitin 2005 kur u emërua kryetar i Asamblesë Kombëtare në PS, post të cilin e mban aktualisht. Por në një erë të re atë të Edi Ramës. Tashmë prej vitit 2009 udhëheq edhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste.

Karriera

Ka ndërruar dy shefa dhe prapëseprapë ndodhet aty. Më përpara ishte krahu i djathtë i Fatos Nanon, ndërsa tani i Edi Ramës. Por kjo mesa duket nuk përbën asnjë problem. Madje ka treguar se është mjaft koherent dhe ka luajtur pjesën e tij në trazirat që kanë përfshirë selinë rozë gjatë periudhave të ndryshme kohore. Megjithatë kjo nuk do të thotë se e ka pasur të shtruar me trëndafila rrugën drejt posteve më të larta drejtuese të selisë rozë. Në fakt divorci dhe më pas beteja mes Nanos dhe Ramës e ka gjetur në mes. Por falë një qëndrimi më shumë i orientuar drejt partisë sesa drejt personit e balancoi në veprimet dhe qëndrimet e tij duke u pozicionuar gjithnjë e më shumë si konstruktor sesa një destabilizues dhe marrësh pozicionesh të caktuara të segmente brenda korridoreve të PS.

Kryetar grupi

Gramoz Ruçi u zgjodh kryetar i grupit parlamentar në vitin 2009, një lëvizje e Ramës kjo që u vlerësua nga shumë analistë. Sepse më në fund opozita e majtë do të kishte në Parlament një drejtues të barabartë me Berishën. Dhe në fakt Ruçi nuk zhgënjeu asnjë. Debatet e tij me Sali Berishën ishin gjithnjë të forta. Në zgjedhjet e 23 qershorit ai udhëhoqi sërish qarkun e Fierit. Dhe ashtu siç di të bëjë vetëm ai, larg syrit të medias, punoi në prapaskenë dhe arriti që në Fier PS të merrte plot 9 mandate. Pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe me fitimin e zgjedhjeve nga Partia Socialiste, Gramoz Ruçi u zhduk sërish nga skena. Zhdukje kjo që bëri të dilnin thashetheme që marrëdhënia mes Ramës dhe Ruçit nuk ishte më si më parë, se ajo marrëdhënie ishte krisur njëherë e mirë. Por gjithçka u rrëzua dje, kur emri i Gramoz Ruçit u propozua pikërisht nga Rama për të qenë në krye të grupit parlamentar. Vendim që u miratua unanimisht nga kryesia e PS, fakt ky që tregon peshën që ka Ruçi në Partinë Socialiste.

Biografia

-Lindur në Salari të Tepelenës në vitin 1952

-Sekretar i parë i PPSH-së në Tepelenë në vitin 1988

-Ministër i Brendshëm në vitin 1990

-Sekretar i Përgjithshëm i PS-së në vitin 1997

-Kryetar i Grupit Parlamentar në vitin 2000

-Kryetar i Asamblesë Kombëtare në vitin 2005 e në vazhdim

-Kryetar i Grupit Parlamentar në vitin 2009 e në vazhdim

-Ka pasur edhe një jetë aktive parlamentare duke u zgjedhur deputet për herë të parë në vitin 1997 e duke vazhduar të jetë i tillë edhe tani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›