Rama-deputetëve socialistë: Mos përsërisni gabimet e demokratëve
Deputetët duhet të përgatisin zyrat e tyre në çdo zonë që janë zgjedhur
Kryetari i Partisë Socialiste njëherësh edhe kryeministri i ardhshëm i vendit, Edi Rama ka mbledhur dje grupin parlamentar të PS-së. Në fjalën e mbajtur para deputetëve, Rama u ka kërkuar atyre që të punojë së bashku për të justifikuar besimin e marrë në 23 qershor.
Deklarata
Në fjalën e tij, Rama i krahasoi sërish zgjedhjet e 23 qershorit me ato të vitit 1992. U përpoqëm fort për të fituar mandatin që pas një beteje të gjatë, na u besua me një votë popullore të ngjashme me atë të 1992, tani e mbrapa duhet të përpiqemi si një skuadër kompakte për ta merituar mandatin për PS, LSI, gjithë koalicionin tonë të 1 milionë votave, tha Rama. Kryeministri i zgjedhur, tha se paraardhësit kanë lenë si trashëgimi një libër të trashë me gabime ndërsa kërkoi nga deputetët që të mos përsërisin gabimet e demokratëve. Jam përkohësisht i lehtësuar që publikimi i skuadrës sonë të re qeveritare nuk e cenoi pritshmërinë e lartë të njerëzve. Masa e shumicës që kemi marrë është mishërimi i përgjegjësisë së madhe që na është ngarkuar. Ne duhet të kërkojmë nga drejtuesit e partisë në rrethe e njësi të bëjnë atë që do bëjmë ne vetë. Koha që njerëzit do na japin në pritje të ndryshimit është tejet e kufizuar. Të humburit na kanë lënë një libër tejet të trashë të marrëzisë, të mos e humbasim nga sytë që të mos biem në të njëjtin batak, deklaroi Edi Rama.
Qeveria
Duke folur për qeverinë e re, Rama tha se ajo është gati për të marrë drejtimin e vendit, ndërsa shtoi se ministrat tashmë kanë planin e punës për secilin prej dikastereve përkatëse. Skuadra ka gjithçka gati. Plani i punës për 100 ditët dhe 300 ditët e qeverisjes po redaktohet për t`ia paraqitur Kuvendit. Ministrat tanë kanë gati programin e qeverisë së re, ndërsa deputetët duhet të përgatisin zyrat e tyre në çdo zonë që janë zgjedhur, u shpreh Rama. Në përfundim, kryesocialisti shprehu besimin që qeverisja e majtë do t`ia dalë të përmbush të gjitha premtimet e bëra qytetarëve. Ky është një oportunitet për të gjithë ne dhe unë kam bindjen që ne do t`ia dalim të punojmë me përkushtimin më të madh dhe me profesionalizmin më të lartë që ku vend ka njohur në këto 20 vjet për të përmbushur të gjitha zotimet tona dhe realizimet tona ne do t`i kemi si kartëvizitë që do t`ia paraqesin shqiptarëve ditën e gjykimit pas 4 vjetësh, përfundoi kryeministri i zgjedhur, Edi Rama.
Braçe: Ja dy gjërat që më bënë përshtypje gjatë fjalës së Ramës
Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe ka komentuar në rrjetin social Facebook, fjalën e mbajtur nga Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar. Në postimin e tij, Braçe shkruan se gjatë fjalës së kryetarit i kanë bërë përshtypje dy gjëra. Dy çështje në fjalën e Kryeministrit të ri më bën përshtypje: E para, shteti është i qytetarëve dhe jo i partisë në pushtet, por kjo nuk do të thotë se do vazhdojë të jetë i partisë që ishte në pushtet; E plotë, korrekte, e ndershme dhe shumë e qartë për gjithkënd. E dyta: Të humburit na kanë lënë një libër tejet të trashë të marrëzisë, të mos e humbasim nga sytë që të mos biem në të njëjtin batak; mendoj se “libri i tyre” vlen edhe për të na kujtuar se, marrëzia si padrejtësi e paligjshmëri duhet ndëshkuar! Pra jo vetëm si modeli i batakut, të cilit duhet ti rrimë larg njëherë e përgjithnjë!, shkruan Braçe.