Olldashi apo Basha në krye të PD-së, vendoset të hënën

Partia Demokratike do të zgjedhë të hënën kryetarin e ri të saj, që do të zëvendësojë Sali Berishën. 105 mijë anëtarët e saj do të zgjedhin me parimin një anëtarë një votë, mes Lulzim Bashës dhe Sokol Olldashit.
Që nga krijimi i PD-së në dhjetor të vitit 1991, kjo parti është drejtuar nga vetëm tre persona. Përveç Berishës, PD është drejtuar nga Eduard Selami dhe Tritan Shehu. Nesër, Olldashi dhe Basha pritet të zhvillojnë takimet e fundit ndërsa nesër do të presin verdiktin e anëtarësisë së partisë, transmeton Shekulli online.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, gjatë takimeve të fundit në Fier, Patos, Mallakastër dhe Kamëz, e ka konsideruar si prioritetin kryesor të ringritjes dhe fillimit të PD-së vlerësimin e kontributit të çdo anëtari dhe përfshirjen e tij në vendimmarrje. Kjo sipas Bashës do të jetë e sanksionuar dhe në statut. “Ju garantoj se në detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë për mua ky do të jetë hapi i parë dhe më kryesori në punën që na pret”, shprehet Basha.
Edhe Olldashi në një linjë me Bashën, e cilëson të rëndësishëm mirëfunksionimin e strukturave të partisë. “Ristrukturimi dhe rivitalizimi i PD-se nuk nis me Kryetarin e Ri, cilido që të zgjidhet. Rivitalizimi i Partisë Demokratike nis me rivendosjen e marrëdhënies mes nivelit politik të partisë dhe anëtarit të saj, këtu fillon ringritja”, tha Olldashi gjatë një takimi në Tiranë./Indeksonline/