E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi josh grate e PD: Do te keni statusin e një dege

olldash

Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë nuk do të trajtohet më si organizatë partnere, por do ti jepet statusi i një dege me të drejta të plota, nga pikëpamja formale statutore. Kështu u shpreh kandidati për kryetar i PD-së Sokol Olldashi gjatë takimit me drejtuese dhe aktiviste të LDGSH. Në mbrojtje të kësaj teze, Olldashi deklaroi se me projektin e tij, gratë e forumit përfitojnë më shumë të drejta politike. Duhet të jetë e shpejtë koha, kur Partia Demokratike , si strukturë politike dhe LDGSH si organizatë partnere, të ulen bashkë dhe të negociojnë për statusin e ri, që nuk do të trajtojmë më LDGSH-në , thjesht si organizatë partnere, por që duhet ti japë, asaj statusin e një dege me të drejta të plota, nga pikëpamja formale statutore. Kjo do ti japë Lidhjes Demokratike të Gruas, disa të drejta që sot nuk i ka. Ne praktikisht i japim një zhvillim cilësor statusit të zonjave brenda strukturës politike dhe LDGSH-së një mekanizëm të ri propozimi dhe përfaqësimi brenda të gjithë strukturës së Partisë Demokratike, tha ai.

Më herët ministri në detyrë i Transporteve zhvilloi takime me anëtarë dhe drejtues të Grupseksioneve të PD-së në Njësitë 5, 7 dhe 11 në Kryeqytet. Olldashi kërkoi të zbatohet një format i ri organizimi në degën e Partisë Demokratike në Tiranë, për të mirëmenaxhuar territorin elektoral në Metropolin, e populluar me afro 1 milionë banorë. Ne kemi nevojë urgjentisht të ndryshojmë strukturën e organizimit të Partisë Demokratike në Tiranë. Është e pamundur që Kryetari i Partisë Demokratike në Tiranë, gjatë një mandati 4-vjecar të arrijë të takojë të gjitha seksionet e degës që ka në parti. Pra domosdoshmërisht duhet të ndajmë këtë strukturë, në disa degë. Në kemi të njëjtën strukturë unike organizative në Polican, që është një qëndër e vogël urbane dhe të njëtën në Tiranë që është 1 milionë banorë, theksoi ai.

Në zbërthim të paketës për ristrukturimin e PD-së, kandidati Olldashi ritheksoi propozimin për rikthimin në Kryesinë e PDSH-së, të drejtuesëve politikë në rrethe, për të zotëruar të gjithë terrenin e partisë.Ne kemi nevojë të modifikojmë strukturën e përgjithshme të PDSH-së. Vërtet aty ka vlera politike, por 25 anëtarët flejnë dhe zgjohen të gjithë në Tiranë dhe që e kanë absolutisht të pamundur të marrin vesh se cfarë ndodh në Pogon dhe në Lekbibaj. Edhe këtu kemi nevojë ti kthehemi një zgjidhjeje që e kemi patur: Kryetarët e degëve qëndër-rrethe të jenë të kooptuar në Kryesi, që ne të kemi informacion se cfarë ndodh në territorin e vendit, tha ai.

Kandidati Olldashi zhvilloi takime edhe me strukturat e PD-së në Bërzhitë dhe në Kamëz, nga ku përcolli mesazhet se demokratët do të përfshihen shumë shpejt në aksionet opozitare për tu rikonfirmuar shumicë. Kjo parti nuk ka kohë për të ndenjur në opozitë. Kjo parti është bërë për të qeverisur Shqipërinë dhe për ta cuar këtë vend, aty ku ne të gjithë kemi kërkuar që në Dhetorin e 90-ës. Kjo parti duhet një orë e më parë të rikthehet forcë shumice, forcë qeverisëse në Shqipëri, u shpreh Olldashi./Albaniapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›