Olldashi, padi Ramës për shkeljet me tokën tek parku “Rinia”
Nuk mjafton të zhbëhen gabimet e Ramës, duke anuluar kontratat e tij të shitjes së tokës shtetërore me vendim qeverie, por duhet që ai të përgjigjet ligjërisht për shkeljet ligjore që ka bërë si kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, gjatë një konference për shtyp njoftoi dje se është ngritur një padi ndaj kryebashkiakut Edi Rama. Sipas Olldashit, dikasteri që ai drejton ka dërguar në prokurori kryebashkiakun për shkeljet ligjore të konstatuara me shitjen e truallit tek ish-parku “Rinia”, shoqërisë “Tajvan”. Duke ngarkuar me gjithë përgjegjësinë e kësaj shkeljeje vetëm kryetarin Rama të bashkisë, Olldashi argumentoi dërgimin e emrit të tij në prokurori. Ministri Olldashi mohoi që kjo kontratë shitjeje të jetë miratuar edhe nga anëtarët demokratë në këshillin bashkiak. Ministri rikujtoi dhe një herë se Rama paditet në prokurori, pasi ai ka abuzuar me shitjen e një trualli prej 1310 metra katrorë, në një kohë kur ligji e ndalonte shitjen e trojeve shtetërore, pasi do të përdoreshin për kompensimin e ish-pronarëve. “Kjo kontratë është përgjegjësi individuale e kryetarit, pasi anëtarët demokratë kanë qenë kundër saj dhe nuk kanë votuar në këshill”, – u shpreh Olldashi. Denoncimin që ka bërë ministria e tij për këtë shkelje dhe kryetari i qeverisë, Sali Berisha, e ligjëron edhe raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili fakton abuzimin që kryebashkiaku ka kryer gjatë vitit 2005.
INSTAT: Indeksi i Kushtimit në Ndërtim ulet me 0.1 për qind
Materialet e ndërtimit dhe shpenzimet direkte kanë pësuar një ulje të lehtë në 3-mujorin e tretë të vitit 2009, duke ndikuar në uljen e Indeksit të Kushtimit në Ndërtim për këtë periudhë. Sipas INSTAT-it në tremujorin e tretë 2009, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim arriti 128.3 për qind (Trem. IV 1999=100), duke shënuar një rënie prej 0.1 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008 Indeksi i Kushtimit në Ndërtim ka shënuar një ulje 0.4 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1.5 për qind. Indeksi i çmimeve të grupit “Shpenzime direkte” është ulur 0.1 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Indeksi i nëngrupit “Shpenzime materiale” është ulur me 0.2 për qind. Në këtë tremujor, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, çmimet e materialeve të ndërtimit janë ulur me 0.2 për qind, ndërsa çmimet e materialeve elektrike dhe hidrosanitare janë rritur përkatësisht 0.4 dhe 0.3 për qind. Indeksi në nëngrupet “Shpenzime page” dhe “Shpenzime makinerie” është rritur me 0.2 dhe 0.3 për qind. Në këtë tremujor, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim për grupet e tjera nuk ka ndryshuar krahasuar me tremujorin e dytë 2009.