Vizita; Ina Rama në Suedi, diskutohet për bashkëpunim në luftën kundër krimit
Me ftesë të autoriteteve të Ministrisë së Jashtme në Suedi, Prokurorja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, znj. Ina Rama, po zhvillon një vizitë pune në këtë vend nga data 25 deri më 27 nëntor 2009. Vizita kryhet në kuadër të presidencës së radhës të Bashkimit Evropian, në kuadër të procesit të integrimit dhe shkëmbimit të informacionit mes dy vendeve për bërjen sa më efikas të funksionit të shtetit ligjor. Kryeprokurorja znj. Ina Rama është pritur në takim nga drejtori i Divizionit për Çështjet e Evropës, z. Lart Wahlund dhe përfaqësues të tjerë të Ministrisë së Jashtme suedeze. Në takim u diskutuan çështje kyçe për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe zbatimin e konventave të Kombeve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Më pas, Prokurorja e Përgjithshme, znj. Ina Rama ka zhvilluar një takim me Prokurorin e Përgjithshëm të Suedisë, z.Andres Perklev dhe drejtues të tjerë të prokurorisë, të krimit të organizuar dhe Njësisë Antikorrupsion, ku janë trajtuar çështje me interes reciprok. Në takimin mes Kryeprokurores znj. Ina Rama dhe homologut, z. Andres Perklev, është vënë theksi në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit për çështje konkrete, në të cilat janë përfshire të dyja palët, autoritetet shqiptare dhe ato suedeze. Është folur gjithashtu edhe për gatishmërinë që autoritetet suedeze i ofrojnë palës shqiptare rreth problematikës së komunitetit shqiptar në Suedi. Biseda mes dy homologëve është përqendruar dhe në strategjinë për luftën e përbashkët ndaj krimit të organizuar. Gjatë vizitës së saj, Kryeprokurorja Ina Rama ka zhvilluar takime me autoritete të Ministrisë së Drejtësisë suedeze, si dhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së këtij vendi, z. Beng Svenson, ku është diskutuar rreth bashkëpunimit në drejtim të investigimit dhe hetimit të krimeve. Po kështu, është diskutuar edhe për mundësinë e trajnimeve të prokurorëve dhe oficerëve të policisë, për sa i përket njohjes së tyre me legjislacionin evropian në kuadër të procesit integrimit, trajnimi një hap i rëndësishëm drejt procesit integrimit. Duhet theksuar se në të gjitha takimet që Kryeprokurorja Ina Rama ka zhvilluar në Suedi është konfirmuar ndihma dhe është marrë mbështetja e plotë që autoritetet suedeze ofrojnë për Prokurorinë shqiptare. Prokurorja e Përgjithshme, znj. Ina Rama, është e shoqëruar në këtë vizitë nga drejtuesi i Prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda, z. Artan Bajrami dhe drejtori i Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale, z. Sokol Stojani.