E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Ekonomisë: Plane konkrete për një qendër të re panairesh në Shqipëri

Klik Ekspo Group, ambasador i Shqipërisë për thithjen e investitorëve të huaj

Tiranë, 28 Nëntor NOA - Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti vizitoi Panairin Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga shoqëria Klik Ekspo Group.

Gjatë gjithë vizitës në ambientet e Panairit, ai u shoqërua nga Presidenti i shoqërisë Klik Ekspo Group, Luan Muhametaj.

Prifti tha se, panairi ku janë rreth 800 kompani që ekspozojnë produktet e tyre është një ambasador i vërtetë për të tërhequr investitorët e huaj në Shqipëri, për të rritur shkëmbimet tregtare dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera.

Kurse shtoi se është një partner shumë i mirë me qeverinë në misionin për të ndihmuar bizneset dhe forcuar lidhjet ekonomike me vendet rreth nesh. Kjo është një ditë e shënuar.

Prifti lajmëroi se Qeveria me shoqërinë Klik Ekspo Group ka projekte të tjera: Do të punojmë për të bërë një qendër të re panairesh në Shqipëri, sepse ju e dini që Pallati i Kongreseve nuk e ka këtë funksion. Me ndihmën e qeverisë, bizneseve, partnerëve të huaj dhe shoqatave të biznesit do të ndërtojmë një qendër tërësisht të re panairesh për Shqipërinë. 

Në përshëndetjen e tij drejtuar Forumit të Tretë Ekonomik, Prifti deklaroi se, biznesi grek në Shqipëri është konsiderohet nga qeveria  shqiptare si shumë i rëndësishëm.

Aktualisht, biznesi grek përfaqëson 50 % të investimeve të huaja në Shqipëri. Biznesi grek operon në sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare në telefoni, sektorin bankar, burimet e energjisë, industri etj.

Pavarësisht ndikimit të krizës, volumi tregtar Shqipëri Greqi ka njohur zhvillime të mëdha ndaj Prifti tha se të njëjtin impenjim e ndikim në ekonominë e Shqipërisë ka edhe ndihma e shtetit grek.

Shqipëria ka marrë ndihma të përhershme nga Greqia për të përmirësuar jetesën e qytetarëve shqiptarë. Aktualisht, për përmirësimin e infrastrukturës është duke investuar në rrugën Sarandë-Konispol. Gjithashtu, i njëjti suport reflektohet edhe në projekte të tjera të rëndësishme për ekonominë shqiptare.

Në vijim, Ministri bëri një panoramë të reformave që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit.

Ai premtoi uljen e vazhdueshme të taksave ndaj biznesit, duke i konsideruar më të ulëtat në Evropë. Ulja e taksave do të vazhdojë nga qeveria shqiptare, pavarësisht kostos që ka në buxhet. Vitin e ardhshëm, tha Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, qeveria ka planifikuar të heqë TVSH-në për shërbimet shëndetësore dhe arsimin. Vitin e ardhshëm në shërbim të përmirësimit të klimës së biznesit do të ngrihet Qendra ose sporteli i vetëm për marrjen e licencave për investimet në energjetikë. Gjithashtu do të ndërtohet dhe një sportel i vetëm për licencat në sektorin minerar.

e.r/NOA

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›