E Diel, 1 Nëntor 2026

Olli: Për këtë operacion bashkëpunuan katër ministri

Edhe emergjencat civile e kanë cilësuar një sukses stërvitjen e djeshme, duke deklaruar se çdo veprim ishte i koordinuar më së miri. Kreu i Emergjencave Civile, Alfred Olli, ka deklaruar se bashkëpunimi i emergjencave ka qenë i përkryer me autoritetet e aeroportit. Megjithatë, ai ka vënë në dukje se më kryesorja e gjithë kësaj stërvitjeje ishte angazhimi i të gjitha strukturave në këto situata. Olli ka shpjeguar se në këtë aktivitet ishin të përfshira katër ministri, që kanë dhënë kontributin e tyre. Sipas tij, Ministria e Brendshme u përfaqësua nga Emergjencat Civile dhe Policia e Shtetit. "Ndërkohë, Ministria e Punëve Publike u angazhua duke vënë në dispozicion specialistë të Aviacionit Civil, ndërsa Ministria e Shëndetësisë me njësinë e helikopterëve. Pjesëmarrëse ishte edhe Ministria e Mbrojtjes, e cila vuri në dispozicion specialistë të ushtrisë dhe Spitalin Ushtarak", ka shpjeguar drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile, Alfred Olli. Ai vuri në dukje se ky operacion u organizua në kuadër të një marrëveshjeje mes Emergjencave dhe autoriteteve të Aeroportit të Rinasit. Gjatë kohëve të fundit, Olli shpjegoi se ka pasur stërvitje edhe në zona të tjera, ku përmendet edhe ajo e Portit të Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›