Aeroporti, si koordinohen veprimet në raste emergjente
Pas ushtrimit të djeshëm, organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë dalë në një konferencë për shtyp, duke treguar edhe disa detaje të fshehura të mobilizimit të strukturave. Autoritetet e sigurisë së aeroportit kanë treguar se në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas ka një zyrë, që quhet Qendra e Kontrollit të Krizave. Zakonisht, të gjitha operacionet kontrollohen nga kjo zyrë, e cila është e lidhur me dy të tjera, që janë zyra e menaxhimit të pengmarrjeve dhe salla e telefonatave. Sipas specialistëve, aeroporti është i pajisur me 150 kamera sigurie, që komandohen nga kjo qendër. Aty menaxhohet e gjithë situata dhe vlerësohet si duhet vepruar. Ndërkaq, ngjitur me ta funksionojnë telefonatat, sidomos me familjarët e pasagjerëve, të cilët janë përfshirë në situata të ndryshme. Në këtë sallë ka rreth 30 operatorë, të cilët presin me qindra telefonata. Ndërsa në një sallë tjetër bëhet trajtimi i pasagjerëve, që mbetën të shokuar nga situata emergjente. Sipas shpjegimit të bërë para mediave, aty gjenden gjithmonë dy mjekë dhe gjashtë infermierë, të cilët qëndrojnë pranë personave, të cilët shfaqin probleme.