Olli: Zgjedhjet në Shalë rrezikohen sërish
Zëdhënësi i KQZ-së denoncon vonesat e PS dhe PBDNJ, të cilët nuk kanë paraqitur ende anëtarët e komisionit
Për të tretën herë radhazi, zgjedhjet për kryetar të Komunës së Shalës në qarkun e Shkodrës rrezikojnë të mos zhvillohen. Problemet e para tre javëve dhe që lidhen me emërimin e anëtarëve të KZAZ-së dhe KQV-ve duket se po mban sërish peng procesin e zgjedhjeve në këtë komunë. Nisur nga kjo situatë, KQZ ka paralajmëruar se procesi mund të dështojë sërish për shkak të neglizhencës së PS-së dhe PBDNJ-së, për të mos plotësuar detyrimet e tyre ligjore në komisionet zgjedhore. Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, në një konferencë për shtyp, duke shprehur shqetësimin e institucionit që ai përfaqëson tha se përgatitjet për zgjedhjet e së dielës në komunën Shalë nuk janë në nivelin e duhur. Ai akuzoi KZAZ-në, se nuk po kryen detyrat e parashikuara në Kodin Zgjedhor. “Edhe pse PD dhe LSI prezantuan kandidatët për anëtarë të komisioneve të qendrave të votimit, KZAZ-ja nuk ka kryer emërimet e tyre, ndërkohë që dy subjektet e tjera, PS dhe PBDNJ, nuk i kanë paraqitur fare ata”,- deklaroi zëdhënësi Olli. Ndaj, nisur nga kjo situatë, në emër të institucionit që përfaqëson ai ka paralajmëruar dhe dështimin e radhës në këto zgjedhje. “Nëse komisioni zonal do të vazhdojë të veprojë me këtë papërgjegjshmëri, në kundërshtim të hapur me Kodin, sigurisht do të kemi moszhvillim të zgjedhjeve”, - tha Leonard Olli. Ai theksoi se KQZ nuk do të tolerojë moszhvillimin e zgjedhjeve në këtë komunë, pasi kjo situatë, sipas tij, është e papranueshme. “Është e papranueshme që subjektet politikë dhe përfaqësuesit e tyre në KZAZ të sillen me këtë papërgjegjshmëri, duke e ditur se komuna Shalë po mban peng shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve lokale dhe përfundimin e procesit zgjedhor të 8 Majit”,- u shpreh zëdhënësi i KQZ-së. Ndërkohë që përfaqësuesit socialistë kanë sqaruar dje për MAPO-n se është pikërisht KQZ ajo që po pengon zgjedhjet në këtë komunë, pasi nuk ka pranuar të emërojë anëtarë të KZAZ me propozimet e ardhura nga partitë e opozitës. Tri javë më parë, kur u zhvillua ripërsëritja e zgjedhjeve në disa komuna ku procesi i 8 Majit ishte shpallur i pavlefshëm, në komunën e Shalës nuk u bënë votimet për shkak të mosmarrëveshjeve mes KZAZ-së dhe KQZ-së për emërimin e anëtarëve të KQV-ve.