Raporti i ODIHR-it, KQZ bën përgjegjëse partitë politike
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia pason “topin” e përgjegjësisë partive politike, për mangësitë e vërejtura nga raporti i ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 8 Majit. Megjithëse nuk ka patur ende një qëndrim zyrtar lidhur me konstatimet që bën ky raport, dje ka ardhur një reagim i pjesshëm nga ana e zëdhënësit të këtij institucioni, Leonard Olli, i cili ka bërë përgjegjëse partitë politike për gjithçka rezulton të mos jetë bërë mirë në këto zgjedhje. Ndërkohë që analizën përfundimtare ky institucion për këtë raport pritet ta japë vetëm pas shpalljes së rezultatit final të zgjedhjeve për pushtetin vendor.
Reagimi
I gjendur përballë mediave për të denoncuar neglizhencën e partive politike për të plotësuar detyrimet ligjore për procesin zgjedhor për kryetar komune në Shalë të Shkodrës, zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, nuk i ka shpëtuar pyetjeve të gazetarëve për vlerësimin e raportit të publikuar disa ditë më parë nga ODIHR. Pavarësisht se nuk ka folur për pika specifike të këtij raporti, Olli nuk ka ngurruar të japë një vlerësim të përgjithshëm për përgjegjësitë që u faturohen aktorëve në këto zgjedhje. Megjithëse për KQZ-në në këtë raport flitet në mënyrë të qartë si një institucion që veproi mbi bazë të përkatësisë politike, Olli ka theksuar se kjo ka ardhur për shkak të subjekteve politike. Dhe këtu ai ka veçuar subjektet e mëdha politike, që kanë patur një rol deciziv në përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve. “Neglizhenca dhe mosrespektimi i ligjit nga ana e subjekteve politike, nuk ka përjashtuar subjektet e mëdha politike. Mesa duket, subjektet politike, megjithëse tashmë janë njohur me raportin e ODIHR-it, kanë rendur sërish të hedhin peshën e fajit te KQZ-ja, edhe pse zakonisht nuk kryejnë detyrat e tyre”, - tha Olli ndërsa i është referuar edhe rastit të Shalës, ku sërish duket se ka probleme në administrimin e zgjedhjeve. Olli sqaroi se do të jetë kreu i KQZ-së, Arben Ristani, ai që do të bëjë një analizë të plotë të këtij raporti, por kjo nuk do ndodhë para se të përfundojnë të gjitha zgjedhjet vendore dhe të shpallet rezultati final.
Raporti
Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 Majit konstatonte se më 18 maj KQZ nisi hapjen e kutive të Tiranës në rolin e një KZAZ-je, pavarësisht se nuk u bë publik një dokument që të jepte bazën ligjore për një veprim të tillë. Drafti jo zyrtar i propozuan nga kreu i KQZ-së, thuhet në raport, nuk ofroi bazën ligjore për veprimet e KQZ, por listoi një llojshmëri nenesh, të cilat nuk duket se lidheshin direkt me veprimin e saj. “KQZ nisi hapjen e kutive menjëherë pas votimit të draftit në parim, çka tregoi se kutitë tanimë ishin sjellë në mjediset e KQZ-së. Gjatë procesit të rikonsiderimit të fletëve, KQZ hapi 117 kuti në 9 nga 11 KZAZ-të e Tiranës. KQZ nuk numëroi vetëm fletët e kontestuara, por edhe ato të deklaruara të pavlefshme gjatë numërimit. Më 23 maj, KQZ miratoi draftin pasi kishte kryer veprimet dhe iu referua një baze ligjore tjetër nga ajo e cituar në 18 maj”,- nënvizohet në raport. Të njëjtën ditë, KQZ deklaroi fitues për garën e Tiranës me avantazh 81 vota për zotin Basha ndaj zotit Rama. Rezultati i deklaruar nga KQZ përmbante 870 vota më shumë se firma në listën e votuesve.