Berisha sërish në Jug,takon Presidenten e Kosovës
Pushime dhe punë. Kjo duket se është kthyer në metodë nga kryeministri Sali Berisha në muajt e verës, ku krahas pushimeve në bregdetin e jugut angazhohet dhe në aktivitete që vijnë për shkak të detyrës së tij si kreu i ekzekutivit. Ashtu si tri javë më parë, kur gjatë pushimeve në Dhërmi priti homologun e tij kosovar Hashim Thaçi, edhe këtë mesjavë Berisha e ka shfrytëzuar që krahas pushimeve të takojë edhe presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila gjithashtu ndodhet në vendin tonë për pushime. Takimi me presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u zhvillua në rezidencën qeveritare në qytetin e Vlorës, ku ajo po kalon disa ditë pushimesh. Duke i uruar përzemërsisht mirëseardhjen presidentes Jahjaga, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që po takohej me të. Kryeministri vlerësoi rolin që presidentja Jahjaga ka luajtur e po luan në rritjen dhe konsolidimin e Republikës së Kosovës si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan. Kryeministri Berisha theksoi se progresi i gjithanshëm i Kosovës, funksionimi i shtetit ligjor dhe institucional kanë bërë që Kosova gjithnjë e më shumë të shndërrohet në një faktor të rëndësishëm bashkëpunimi, mirëkuptimi e integrimi rajonal. Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi vendosmërinë e autoriteteve të qeverisë së Kosovës për zbatimin e ligjit dhe të rendit kushtetues në të gjithë territorin e saj. Presidentja Jahjaga shprehu kënaqësinë e saj për këtë takim dhe e falënderoi kryeministrin Berisha për të gjithë mbështetjen që ai i ka dhënë dhe i jep Republikës së Kosovës. Në këtë takim u diskutua gjerësisht mbi bashkëpunimin politik dhe në të gjithë fushat midis Shqipërisë dhe Kosovës, për përpjekjen e përbashkët në njohjen e mëtejshme dhe konsolidimin e pozicionit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.