E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olta, "provon dashurinë e pamundur”

Një vajzë e vrarë, vrasës në kërkim, dhe një hetues që kërkon të zbardhë këtë kronikë të zezë të Tiranës së vitit 2000.

Të vërtetën e hidhur, e cila merr bazë nga realiteti, e sjell në serialin triller të TVSH-së me titull “Millenium” skenaristi dhe regjisori Besnik Bisha, duke bërë bashkë që nga aktorët Ndriçim Xhepa, Enea Zhegu e Spiro Duni, e deri te më të rinjtë: Olta Gixhari, Amos Zaharia, Eralda Hitaj, Klea Huta etj.

I bazuar në një ngjarje të vitit 1999 në Tiranë, filmi mbështjell 20 vite Shqipëri, po aq sa mosha e Olta Gixharit në film, e cila vjen në rolin e Lorit. Ajo zbulon përjetimet e dhimbshme nën lëkurën e një 20-vjeçareje, e cila përjeton emocionet e dashurisë së pamundur dhe grackën e rrethanave jo të zakonshme.
“Roli që unë po luaj, është ai i një vajze që quhet Lori, një 20-vjeçare që studion në Fakultetin e Kimisë. Ajo bën një jetë normale studentore, derisa gjendet në rrethana jo fort të zakonshme. Historia është e bukur dhe e ndjerë, regjisori na ka vënë në rrethana të vërteta. Pra, janë këto dhe një sërë arsyesh të tjera, që unë i thashë “po” këtij skenari dhe roli,” ka thene Olta për mediat shqiptare.

Duke përshkruar karakterin e vajzës që luan  në film,  aktorja është shprehur: 
“Lori është një vajzë vitale, plot energji pozitive dhe ka një dëshirë të fortë për të jetuar jetën. Është një vajzë e ndjeshme dhe e gatshme për të ndihmuar aty ku duhet “dora” e saj. Është bionde me sy të shkruar, sipas portretizimit të autorit dhe regjisorit njëkohësisht, Besnik Bisha, një skenar që është shkruar kohë më parë.” /Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›