Omari: Berisha kërkon të kontrollojë gjykatat

Konstitucionalisti Omari thekson se aplikimi i votimit të hapur bëhet për të pasur nën kontroll pushtetin gjyqësor dhe për të kushtëzuar lirinë e deputetëve: Rregullat e lojës nuk mund të ndryshohen pasi ka filluar
TIRANË- Konstitucionalisti Luan Omari thekson se ndryshimi në Rregulloren e Kuvendit nga mazhoranca për të aplikuar votimin e hapur ndaj dekreteve të propozuara nga Presidenti i Republikës për postet e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese bëhet me qëllimin e vetëm që pushteti ekzekutiv të ketë nën kontroll këto dy organe në veçanti dhe pushtetin gjyqësor në përgjithësi.
Në një intervistë për gazetën "Shekulli", Omari specifikon se justifikimi i shumicës në pushtet, se nëpërmjet votimit të hapur do të garantojë transparencën e procesit të votimit të kandidaturave nuk qëndron, pasi sipas tij pas motivit të transparencës fshihet synimi ekzekutivit për të pasur nën kontroll gjykatat.
Argumenti tjetër që jep konstitucionalisti Omari është edhe fakti që lidhet me periudhën e ndryshimit të rregullores së Kuvendit. Sipas tij, aplikimi i votimit të hapur ndaj kandidaturave të kreut të shtetit për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, nuk mund të bëhet në një kohë që procesi i dekretimit të tyre nga Presidenti ka kohë që ka filluar.
Omari shton se aplikimi i votimit të hapur e ndrydh lirinë e mendimit dhe veprimit të deputetit, ndryshe nga votimi i fshehtë që i jep më shumë hapësirë veprimi dhe mendimi gjatë procesit të votimit.
Z. Omari, nën optikën e konstitucionalistit, si e gjykoni ndryshimin e rregullores së Kuvendit, nga mazhoranca për të aplikuar votimin e hapur në miratimin e dekreteve të Presidentit për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese në një kohë kur dekretimi i këtyre kandidatëve ka kohë që ka filluar nga Presidenti?
Dihet se deri më sot, se votimi në Parlament i kandidaturave për funksione shtetërore të veçanta duke përfshirë edhe Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese ka qenë votim i fshehtë.
Ndryshimi që është bërë në rregulloren e Kuvendit vetëm me votat e mazhorancës është votuar nga kjo e fundit me nevojën për një proces transparent, dhe për të evituar eventualisht që votimi i fshehtë të mbulojë lidhjet që mund të ketë një deputet me një kandidat që synon një post të tillë. Tani duhet parë si është rregulluar ligjërisht kjo çështje dhe në Shqipëri dhe në vende të ndryshme.
Tani Kushtetuta e këtyre vendeve, përfshirë edhe atë shqiptare vuajnë nga mungesa e transparencës, sepse parashikojnë që kandidaturat të zgjidhen me votim të fshehtë, sigurisht jo. Por, kjo synon, e para që deputeti të jetë i lirë, në bazë të parimit që ai nuk ka një mandat detyrues, të jetë i lirë kur jep votën e tij në Parlament. Vërtet Kushtetuta nuk thotë gjë për votimin por rregullorja e parashikon qartë.
Si mendoni cila është arsyeja që mazhoranca ndryshoi rregulloren pikërisht gjatë periudhës së propozimit dhe votimit të kandidaturave të dekretuar nga Presidenti për Gjykatën e Lartë?
Nga kjo që them, nuk është motivi i transparencës, sepse po të jetë transparenca, atëherë do të duhet ndryshuar edhe rregullorja e Kuvendit që parashikon që kryetari i Kuvendit të zgjidhet me votim të fshehtë, kurse kjo bëhet vetëm për gjyqtarët në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.
Përse bëhet kjo në këtë moment të caktuar?
Këtu mendoj se nuk është çështje transparence dhe vendosja gjoja e transparencës mbulon synime të tjera.
Pse bëhet pikërisht tani ky ndryshim dhe cilat mendoni se janë këto synime që fshihen pas ndryshimit të Rregullores së Kuvendit ?
Kjo mazhorancë është në fuqi që nga viti 2005,(përfshirë edhe mandatin aktual), pse gjatë këtyre viteve nuk ka propozuar një ndryshim të tillë, ndërsa e ka bërë tani, në pragun e ndryshimit të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Kjo tregon se këto ndryshime bëhen për të pasur nën kontroll votën e deputetëve.
Argumenti që votimi i fshehtë mund të mbulojë lidhjet eventuale të një deputeti me një kandidat, që synon të marrë postin e gjyqtarit të Kushtetues dhe të Lartë, për mua nuk qëndron, sepse vota e një deputeti mund të mos ketë fare lidhje në marrëdhëniet e tij personale me këtë kandidat.
Thjesht shpreh opinionin që deputeti ka për kandidatin, nëse ky i fundit është ose jo i përshtatshëm për postin në të cilin aspiron. Përderisa deputeti nuk ka mandat detyrues, ai nuk është as i lidhur me vendimin që mund të ketë marrë grupi parlamentar sepse ky nuk është vendim politik, pasi deputeti ka një linjë individuale të vetëm për të shprehur mendimin e tij. Në këtë rast, votimi i fshehtë, deputetit i jep më shumë liri mendimi dhe veprimi. Votimi i hapur mund të ndrydhë mendimin e vërtetë të deputetit.
A është kjo një e përpjekje e mazhorancës në tërësi dhe e pushtetit ekzekutiv në veçanti për të pasur në kontroll pushtetin gjyqësor, konkretisht Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese?
Unë kam bindjen se prapa motivit të transparencës fshihet synimi i vërtetë i ekzekutivit për të pasur nën kontroll këto dy organizma të rëndësishme, Gjykatën e Lartë dhe sidomos Gjykatën Kushtetuese, e cila është një organ dhe institucion që merr vendime që janë jetike për zhvillimin e vendit dhe ka fuqinë që të anulojë ligje, të cilat ajo që i quan antikushtetuese ose të paktën nene të veçanta të një ligji. Çdo ekzekutiv nuk e ka shumë qejf Gjykatën Kushtetuese sepse zakonisht Gjykata Kushtetuese vepron kundër ekzekutivit.
Mazhoranca i ndërton ligjet me propozim të ekzekutivit. Kështu që çdo mazhorancë e ka këtë prirje, veçanërisht mazhoranca e tanishme për fat të keq, këtë prirje e ka shumë të theksuar.
Tjetër argument që flet kundër ndryshimi të Rregullores, është që zakonisht rregullat e lojës nuk ndryshojnë kur loja ka filluar. Duhet thënë që procedura për zgjedhjen e anëtarëve të rinj ka disa muaj që ka filluar. Ka filluar qëkurse ata kanë bërë aplikimin.
Madje kur presidenti ka nxjerrë dekretin për disa prej tyre. Kjo nuk është normale sepse ekziston një parim universal, që kur fillon loja, fillon e mbaron me rregullat që janë në fuqi, rregullat nuk ndryshohen gjatë lojës. Ato mund të ndryshohen vetëm para ose pas lojës.
Një tjetër ligj që është miratuar vetëm me votat e mazhorancës është edhe ligji antimafia, i cili është duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese për lënien në fuqi ose shfuqizimin e tij.
Ndërkohë Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka shfaqur shqetësimin e tij se aplikimi i këtij ligji në formën sesi është hartuar sjell pasoja të rënda e të pariparueshme për interesat e shtetasve, cenon të drejtën e pronës, të drejtën për kompensim.
Si e konsideroni këtë ligj kur ai parashikon sekuestrimin pasurive të personave bazuar në indicie e jo në prova?
Unë mendoj se ligji antimafia në parim është i nevojshëm sepse krimi i organizuar prapa të cilit fshihen lidhje mafioze është i pranishëm.
Është vënë në dukje gjithashtu që Shqipëria është një vend korrupsioni që është vërejtur edhe nga organizmat ndërkombëtarë. Padyshim është e drejta e Kuvendit që të miratojë ligje që luftojnë krimin e organizuar dhe marrin masa kundër elementëve mafiozë.
Por, unë jam dakord me kërkesën që ka parashtruar Komiteti i Helsinkit sepse ky ligj ndonëse niset nga një qëllim i mirë ka disa nene që bien ndesh me Kushtetutën dhe me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Në kërkesën e Komitetit të Helsinkit vihen re disa fakte që flasin për antikushtetueshmërinë e disa neneve të këtij ligji. Fakti që shkelet prezumimi i pafajësisë ose i një dyshimi të arsyeshëm sepse jo në bazë të provave por në bazë të disa indiceve, personit i hiqet pasuria.
Ky është një cenim i rëndë. Njëkohësisht është cenim i rëndë fakti që kjo pasuri mund të sekuestrohet edhe në rastet kur personi ka marrë një vendim pafajësie nga gjykata. Kjo bie ndesh me të tjera parime të rëndësishme të Kushtetutës dhe procedurës penale.