E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strukturat e PS drejt votëbesimit

Implementimi i statutit të ri të socialistëve do të sjellë edhe votëbesimin e strukturave në të gjitha nivelet


Me zgjedhjen e kryetarëve të rretheve, tejkalohet numri prej 161, i anëtarëve të Asamblesë Kombëtare


Implementimi i statutit të ri të Partisë Socialiste do të sjellë edhe votëbesimin e strukturave të socialistëve. Me përfundimin e procesit të zgjedhjes së 36 kryetarëve të partive të rretheve në të gjithë Shqipërisë, rrjedhimisht do të ketë një shtim të numrit të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare.


Duke iu referuar statutit të ri të selisë rozë, të miratuar në Kongresin e 18 prillit, thuhet se kryetari i Partisë së rrethit është anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Zgjedhja e kryetarëve të partisë së rrethit pritet të përfundojë brenda kësaj jave. Me përzgjedhjen e kryetarëve numri i anëtarëve të Asamblesë Kombëtare shkon në 197. Në nenin 26 të statutit saktësohet se Asambleja Kombëtare e PSSH ka 161 anëtarë. Me rritjen e numrit të anëtarëve, kjo strukturë shkon drejt votëbesimit.


Lajmi konfirmohet nga burime brenda Partisë Socialiste, të cilët theksojnë se Asambleja Kombëtare sipas procesit në të cilën po ecet do të shkojë drejt votëbesimit. Nga ana tjetër, nuk është e vendosur akoma zyrtarisht se kur do të ndërmerret kjo nismë.


Por, mësohet se votëbesimi i AK do të bëhet pas muajit gusht. Sipas statutit, mbledhja e Asamblesë Kombëtare mblidhet jo më rrallë se një herë në 3 muaj, duke bërë të mundur në këtë përkimin e kësaj date nga muaji shtator. Gjithashtu, në "Kushtetutën" e PS thuhet se mbledhja e AK thirret me kërkesë të Kryesisë, të Kryetarit të PSSH, ose të jo më pak se 1/3 së anëtarëve të saj.


Rrjedhimisht me mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ku janë të përfshirë edhe 36 kryetarët e partisë së rrethit, pritet të kërkohet mbledhja e Kongresit Zgjedhor të PS.


"Kongresi Zgjedhor mblidhet një herë në 4 vjet kur përfundon mandatin e tij. Ai mund të mblidhet jashtë radhë me kërkesë të AK të PSSH, me kërkesë të jo më pak se 1/3 e delegatëve të Kongresit ose 1/3 e anëtarëve të Partisë", thuhet në nenin 23 të statutit të PS. Më pas, Kongresi i Jashtëzakonshëm thirret me vendim të Asamblesë Kombëtare të PSSH jo më vonë se 2 muaj nga data e marrjes së vendimit. Kjo do të thotë, që sipas kalkulimeve i gjithë procesi të përfundojë brenda këtij viti.


Për sa i përket procedurës së votëbesimit, në nenin 43 të statutit të PS thuhet se "të zgjedhurit në të gjitha nivelet e forumeve drejtuese të partisë i nënshtrohen votëbesimit të zgjedhësve të tyre". Më tej, sqarohet se të drejtën e iniciativës për mocion mosbesimi e ka përkatësisht 1/3 e anëtarëve të partisë, 1/3 e anëtarëve të OS, Asamblesë Socialiste të bashkisë/komunës, Asamblesë Kombëtare dhe Kongresit të Partisë.


"Kërkesa për votëbesim në OS dhe në Asamblenë Socialiste të bashkisë/komunës shqyrtohet dhe bëhet ekzekutive brenda 15 ditëve; në Asamblenë Kombëtare të PSSH në mbledhjen e radhës, ndërsa në Kongres brenda 2 muajve nga dita e paraqitjes së saj me shkrim", vijon më tej sqarimi i statutit të PS. Ndërsa për shqyrtimin dhe marrjen e vendimit për votëbesim respektohen procedurat sipas të cilave është bërë edhe zgjedhja.


Pas miratimit të Asamblesë së re Kombëtare të Partisë Socialiste që do të ketë në përbërjen e saj 161 anëtarë, burime nga selia rozë bëjnë të ditur se rrjedhimisht do të shkohet edhe drejt rinovimit të strukturave.


Sipas të njëjtave burime, me votimin e një strukture të re kryesore në Partinë Socialiste do të vijohet me votëbesimin edhe të strukturave të tjera të rëndësishme në selinë rozë. Kjo gjë parashikohet edhe në nenin 43 të statutit ku sqarohet se të zgjedhurit në të gjitha nivelet e forumeve drejtuese të partisë i nënshtrohen votëbesimit të zgjedhësve të tyre.


Që do të thotë se, me rinovimin e Asamblesë Kombëtare, organet e larta të Partisë Socialiste do t'i nënshtrohen votëbesimit. Me miratimin e statutit të ri të PS në Kongresin e 18 prillit dhe hyrjen në fuqi të saj, selia rozë i nënshtrohet në këtë mënyrë vënies në fuqi të dokumentit themeltar të tyre.



STATUTI I PARTISË SOCIALISTE

Neni 19
Kryetari i Partisë i Rrethit
1. Kandidaturat për kryetar të partisë propozohen nga AS të njësive vendore të rrethit dhe miratohen nga Kryesia e PSSH.
2. Kryetari i partisë i rrethit zgjidhet me votim të fshehtë nga mbledhja e zgjeruar e AS të rrethit. Në përbërje të mbledhjes së zgjeruar të AS të rrethit bëjnë pjesë përfaqësuesit sipas pikës 2, neni 18 dhe kryetarët e OS të rrethit. Mbledhja e zgjeruar e AS të rrethit si rregull mblidhet një herë në 4 vjet.
3. Kryetari i Partisë së rrethit është anëtar i AK të PSSH.
Neni 23
Kongresi i PSSH
1. Kongresi i Partisë është organi më i lartë vendimmarrës i Partisë.
2. Kongresi Zgjedhor mblidhet një herë në 4 vjet kur përfundon mandatin e tij. Ai mund të mblidhet jashtë radhë me kërkesë të AK të PSSH, me kërkesë të jo më pak se 1/3 e delegatëve të Kongresit ose 1/3 e anëtarëve të Partisë.
3. Kongresi i Jashtëzakonshëm thirret me vendim të Asamblesë Kombëtare të PSSH jo më vonë se 2 muaj nga data e marrjes së vendimit.
4. Kongresi i Partisë, përveç atij zgjedhor, si rregull mblidhet 1 herë në vit. Mbledhja e Kongresit dhe rendi i ditës lajmërohen 30 ditë më parë.
Neni 25
Kompetencat e Kongresit të PSSH
6. Përfaqësia i paraqet Kongresit për miratim listën me kandidaturat për anëtarë të Asamblesë Kombëtare dhe listën me kandidaturat për Komisionin e Garancive Statusore (KGS). Kongresi zgjedh me votim të fshehtë dhe kandidatura alternative AK të PSSH dhe KGS. Delegatët e Kongresit mund të propozojnë kandidatura shtesë në listën e kandidaturave. Kandidaturat shtesë përfshihen në listat përkatëse nëse miratohen nga 50% plus një e delegatëve të Kongresit.
7. Votimi për kandidaturat shoqe bëhet me listë të veçantë. Shoqet përbëjnë jo më pak se 50 përqind të listës së kandidaturave për anëtarë të AK të PSSH.
Neni 26
Asambleja Kombëtare e PSSH
1. Kryetari i PSSH, anëtarët e partisë që kanë pasur mandat të Kryetarit të Partisë, të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit, të Kryetarit të Kuvendit, deputetët anëtarë partie, kryetarët e PS të rretheve, Kryetari i FRESSH dhe Kryetarja e FGSSH janë drejtpërdrejt anëtarë të AK të PSSH.
2. Asambleja Kombëtare i zhvillon punimet e funksionon në bazë të Rregullores, e cila miratohet prej saj.
3. Asambleja Kombëtare mblidhet jo më rrallë se një herë në 3 muaj. Mbledhja e AK thirret me kërkesë të Kryesisë, të Kryetarit të PSSH, ose të jo më pak se 1/3 së anëtarëve të saj.
4. Asambleja Kombëtare e PSSH ka 161 anëtarë. Në rast se në përbërje të saj ka ose krijohen mungesa, AK ka të drejtën e kooptimit të anëtarëve të rinj me propozim të Kryesisë së PSSH.
Neni 43
Votëbesimi
1. Të zgjedhurit në të gjitha nivelet e forumeve drejtuese të partisë i nënshtrohen votëbesimit të zgjedhësve të tyre. Të drejtën e iniciativës për mocion mosbesimi e ka përkatësisht 1/3 e anëtarëve të partisë, 1/3 e anëtarëve të OS, Asamblesë Socialiste të bashkisë/komunës, Asamblesë Kombëtare dhe Kongresit të Partisë.
2. Kërkesa për votëbesim në OS dhe në Asamblenë Socialiste të bashkisë/komunës shqyrtohet dhe bëhet ekzekutive brenda 15 ditëve; në Asamblenë Kombëtare të PSSH në mbledhjen e radhës, ndërsa në Kongres brenda 2 muajve nga dita e paraqitjes së saj me shkrim. Për shqyrtimin dhe marrjen e vendimit për votëbesim respektohen procedurat sipas të cilave është bërë edhe zgjedhja.
3. I votëbesuar quhet ai ose ajo që merr më shumë se 50% plus një të votave të vlefshme të anëtarëve të pranishëm në mbledhje.
4. Dy muaj para zgjedhjeve vendore ose zgjedhjeve të përgjithshme dhe 3 muaj para Kongresit nuk paraqiten mocione mosbesimi dhe nuk zhvillohen votëbesimi.
5. Modalitetet për paraqitjen e mocioneve të mosbesimit dhe për votëbesim përcaktohen me rregullore të veçantë që miratohet nga Asambleja Kombëtare e PSSH.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›