"Onufri 2009"Dëshira dhe dëshmi
Në vigjilje të ekspozitës së përvitshme të arteve pamore, 24 dhjetor - 4 shkurt 2010, kuratori i "Onufri 2009" prezanton në "Shekulli" se çfarë raportesh krijon artisti shqiptar me lirinë, njëzet vjet pas rënies së Murit të Berlinit
Një dëshirëz për ditën, një dëshirëz për natën, pa lënë pas dore shëndetin. "Ne kemi shpikur lumturinë"- thonë njerëzit e fundit dhe shkelin syrin.
F. Nietzsche, "Kështu foli Zarathustra"
Artisti me veprën e tij dëshiron të dëshmojë diçka, por, pashmangshmërisht, vepra dëshmon shumë më tepër se kaq. Ajo dëshmon jo vetëm për autorin, por edhe për kohën e tij, për mjedisin e tij shoqëror, për projektet dhe shpresat kolektive etj. E mbi të gjitha, (dhe çka na intereson më tepër këtu), vepra dëshmon për mundësitë dhe pamundësitë e autorit në realizimin e asaj dëshirës së parë.
Me rënien e sistemit diktatorial dhe të dogmës së tij socrealiste, artisti shqiptar u përball me zgjerimin që solli në hapësirën e tij krijuese kalimi i kufijve të "së lejueshmes" dhe mbërritja tek kufijtë vështirë të kalueshëm të "së mundshmes".
Pjesë e një populli që në fund mijëvjeçari i shpërfilli krejt kufijtë, ballafaqimi i artistit me këtë limes pa tela me gjemba, pa roje, por po aq të pakapërcyeshëm, duhet të ketë qenë zhgënjyes. Për artistët pamorë shqiptarë, me një gjenealogji dhe formim sui generis, të goditur rreptë në të kaluarën për kryeneçësitë më të vogla, kjo mund të ketë qenë traumatike. Nëse dikur quheshin shkaktare ndalimet normative për pamundësinë e rezultateve estetike, sot është vetë individi me horizontin e tij të pritshmërive, me aftësitë, dhuntitë dhe përshtatjen i cili ndjen përgjegjësinë e provës ndaj eksperimentit të tij artistik. Në këtë mënyrë kemi kalimin nga konflikti neurotik midis dëshirës dhe normës, tek një dialektikë edhe më e koklavitur midis dëshirës dhe dëshmisë (ose provës nëse je apo jo në gjendje ta kryesh atë dëshirë). Ndjenja e fajit është zëvendësuar nga ndjenja e pamundësisë, ndërsa guximi i transgresionit me guximin për t´u realizuar.
Mungesa e një teme kuratoriale për këtë edicion të Onufrit ishte vetëm një thyerje me dashje e vijimësisë metodologjike të një tradite të lavdërueshme ekspozitive, një provokim për të parë sesi artisti shqiptar relacionohet sot, njëzet vjet pas rënies së murit të Berlinit, me lirinë dhe me kufijtë e së mundshmes që shpërfaq liria. Artisti tashmë nuk merr më as lejë as udhëzime nga Lidhja e Artistëve, është i lirë të braktisë zejen dhe muzën e tij nëse e sheh të arsyeshme, ndërsa beteja e tij kryesore mbetet me kufijtë e vetes. Siç thuhet: "Mediokri bën ç´të dojë, talenti bën ç´të duash, gjeniu bën vetëm ç´të mundë."
Ky tekst shoqëron katalogun e "Onufri 2009"
Kush shfaqet tek "Onufri" i gjashtëmbëdhjetë
"Onufri 2009" hapet sonte, ora 19.00 në Galerinë Kombëtare të Arteve. Kuratori Parid Teferiçi ka ndërtuar një ekspozitë pa temë, me titullin "Dëshmi dhe Dëshira". E re e këtij viti quhet përfshirja për herë të parë e disa studentëve të Akademisë së Arteve që marrin pjesë pa qenë në konkurrim për çmim. Donika Çino, Entela Hoxha dhe Anjeza Dyrmishi janë zgjedhur nga artisti Gentian Shkurti. Në edicionin XVI të "Onufrit" marrin pjesë Robert Aliaj, Ervin Bërxolli, Albion Bogdani, Klodian Dedja, Najada Hamza, Eugert Hykaj, Edmond Gjikopulli, Gentian Gjikopulli, Yllka Gjollesha, Gjelosh Gjokaj, Helidon Haliti, Ziso Kamberaj, Blerta Kambo, Greta Lami, Olson Lamaj, Gazmend Leka, Elsa Martini, Gazmend Muka, Fatmir Musaj, Vladimir Myrtezaj, Hasan Nallbani, Sokol Peçi, Gent Pipa, Gëzim Tafa, Zihni Veshi, Pleurad Xhafa, Aldi Zgjani, Enkelejd Zonja.