Qeveria të rishikojë buxhetin e vitit 2010
Grupi i specialistëve të kontrakutar nga "SOROS-i" konfirmuan një rritje ekonomike 2.5 % për vitin 2009 duke theksuar rrezikun që i kanoset buxhetit të 2010-ës
TIRANË- Me gjithë deklaratat e qeverisë se vendi ynë vazhdon të ketë një rritje të lartë ekonomike krahasuar me shtetet e rajonit të cilat për shkak të krizës kanë rënë në recesion, të dhënat e Ministrisë së Financave pasqyrojnë një realitet ndryshe. Ekspertë të ekonomisë, si Zef Preçi, Adriana Berberi dhe Gjergj Teneqexhi, kërkuan dje nga qeveria që të rishikojë buxhetin e sapomiratuar të vitit 2010 për ta bërë atë sa më realist. Të kontraktuar nga fondacioni "SOROS" grupi i ekspertëve kreu një monitorim
mbi buxhetet e viteve 2099-2010 dhe theksuan rëndësinë që mbart përpilimi i tyre duke iu referuar të dhënave reale mbi ekonominë e vendit. Ndërkaq, specialistët konfirmuan
edhe pritshmëritë për një rritje ekonomike gjatë vitit 2009 dyfish me të ulët se shifra zyrtare e publikuar nga Ministria e Financave. "Burime nga Ministria e Financave, të cilat nuk duan të indentifikohen, na kanë konfirmuar se ky institucion për vitin 2009 pret një rritje ekonomike që vërtitet në nivelet e 2.5 për qindve", - thanë ata duke shtuar se shifra prej 5 për qind e konfirmuar zyrtarisht nga financat, nuk është realiste dhe se ajo bëhet për të ruajtur optimizmin tek aktorët ekonomikë të vendit. Në këto kushte -tha Zef Preçi,- një rritje ekonomike e këtyre niveleve nuk mund të mos ndikojë në parametrat e buxhetit të vitit 2010 i cili është organizuar duke u bazuar mbi një rritje 5 për qind për këtë vit. Duke iu referuar edhe të dhënavë zyrtare të Ministrisë së Financave, ekspertët nënvizuan faktin se buxheti i vitit 2009 është duke u përballur me vështirësi të mëdha financiare për mbledhjen e të ardhurave. Gjatë muajve janarnëntor 2009, të ardhurat në buxhet kanë një mosrealizim me rreth 22 miliardë lekë duke vënë në vështirësi serioze qeverinë për gjetjen e likuiditeteve. Por më shumë se sa mosrealizimet e ketij
viti, ekspertet i druhen situatës financiare për vitin e ardhshëm. Adriana Berberi tha se buxheti i vitit 2010 është që tani me risk të lartë dhe mund të kërcënojë stabilitetin financiar të vendit. Gjatë fjalës së tyre, ekspertët theksuan rëndësinë që mbart për ekonominë e vendit rishikimi i buxhetit të vitit të ardhshëm duke marrë parasysh edhe luhatjen e çmimeve të maftës dhe ushqimeve, por edhe valën e dytë të krizës e cila pritet të shtojë edhe më tej shifrat e papunësisë. "Ulja e deficitit dhe e borxhit public, të jenë realë në fund të vitit 2010, si masë për t'i ardhur në ndihmë edhe deficitit të llogarisë korente tashmë tejet të përkeqësuar", - theksuan ata. Gjatë fjalës së tij, Preçi ceku edhe ndryshimet e kryera në sistemin fiskal duke i cilësuar ato si jo në përputhje me pritshmëritë që ka ekonomia shqiptare. "E mbështes qeverinë në nismën e saj për formalizimin e ekonomisë por mendoj se nuk mund të vazhdohet duke aplikuar sistemin e pagave dhe të çmimeve të referencës", - tha ai duke shtuar se një praktikë e tillë është ndjekur në vitin 1997 kur administrata tatimore ishte e shkatërruar dhe për shtetin kjo ishte e vetmja mënyrë për të mbledhur të ardhurat në buxhet. Më tej ekspertët kanë akuzuar qeverinë se nuk po thotë të vërtetën mbi zhvillimet në ekonominë vendase duke tentuar të krijojë një realitet të rremë tek qytetarët. "Qeveria krijon me qëllim konfuzion për të fshehur të vërtetën mbi keqmenaxhimin e financave publike. Ajo duhet të shprehet publikisht për masat që do të marrë për zgjidhjen e situatës. Treguesit e 11-mujorit janë një sirenë e fortë alarmi", - thanë ata. Debati për rritjen ekonomike të vendit në vitin 2009 vazhdon prej muajsh ku Ministria e Financave thekson se ajo do të jetë 5 për qind ndërsa parashikimet e FMN-së nuk shkojnë më shumë se 0.7 për qind. Fakti i publikuar dje nga ekspertët e ekonomisë, sipas të cilëve zyrtarë të financave në kushte anonimati kanë pranuar se rritja ekonomike për këtë vit do të vërtitet rreth 2.5 për qindshit e bën edhe më të paqartë situatën.