E Diel, 1 Nëntor 2026

"Onufri" shuan mallin e pikturës

Shpallen fituesit e Edicionit të 16-të. Çmimi i parë për Hasan Nallbanin. U bënë vite që nga konkursi nuk kishte dalë fitues ndonjë piktor. Çmimi i dytë ex aequo për të rinjtë Aldi Zgjani dhe Enkelejd Zonja.

U ndanë dje në Galerinë Kombëtare të Arteve çmimet e edicionit të 16-të të ekspozitës së arteve pamore "Onufri 2009", kuruar nga Parid Teferiçi. Theksi, ekspozitë e artistëve shqiptarë, që vendosi kuratori qysh në hapje, më 24 dhjetor, u vu "rreptësisht" edhe mbi çmimet fituese.

Fituesi i çmimit të parë, Hasan Nallbani dhe dy fituesit e çmimit të dytë, të rinjtë Aldi Zgjani dhe Enkelejd Zonja janë artistë që jetojnë edhe punojnë në Shqipëri. Kjo ide motivohet edhe nga juria.

Duke shpjeguar kriteret e vlerësimit, drejtori i Galerisë Kombëtare, Rubens Shima tha që "vlerësimet me çmime i jepen artistëve që jetojnë dhe krijojnë në Shqipëri me qëllim nxitjen dhe zhvillimin e sistemit të artit pamor në Shqipëri".

Kriteri i dytë, ku ishte mbështetur juria e përbërë nga Francesco Poli (kritik arti), Zana Varvarica Kuka (studiuese) dhe Alma Mile (gazetare), ishte vlerësimi sipas gjeneratave.
Artistë të "Gjeneratës së vjetër" prej të cilëve u vlerësua Nallbani, dhe artistë të "Gjeneratës së re", çmimi i dytë të cilëve u dha ex aequo për Zonjën dhe Zgjanin.

"Kompozim" (vaj në kanavacë (210x150), që i dha çmimin e parë Nallbanit, është në serinë e veprave që ai ka afruar në vitet e fundit të një krijimtarie 50-vjeçare. "Piktura duhet të prezantojë një qëllim, një përmbajtje, një mesazh. Në këtë kuadër ka rol piktura. Unë në këtë mënyrë e shoh", tha dje piktori pas marrjes së çmimit.

Nga galeria e punëve të tij, ka shkëputur këtë kompozim, ku shihen disa vajza në breg të lumit, një homogjenitet femëror, të gjitha me veshje që të sjellin ndër mend një kohë të shkuar. "Uniformiteti tregon fatet e përbashkëta të njerëzve, në një realitet të përbashkët.

Jetojnë të njëjtat probleme, të njëjtat shqetësime, të njëjtat situata. Në këtë drejtim ajo del nga kuadri formalist, për të qenë e bukur".
Kurse motivacioni i jurisë është ky: "Për cilësinë dhe origjinalitetin që karakterizon pikturën e tij në këtë fazë të fundit.

Për një liri kompozimi, i cili karakterizohet nga një tension vital shprehës. Këto cilësi që janë shumë aktuale në ditët e sotme".
U bënë vite qyshkur nuk ka dalë ndonjë piktor fitues i "Onufrit".

Çmimi i dytë u nda mes dy artistëve të rinj, Enkelejd Zonja dhe Aldi Zgjani, punët e të cilëve shkonin në kahe të ndryshme, i pari drejt një realiteti të lexueshëm, dhe i dyti i fshehur në koncept.

"Përrallë nga '97" (vaj në kanavacë, 140x230 cm), është tabloja që i dha çmimin e dytë Zonjës, ku rrëfehen momente nga jeta e njerëzve në vitin 1997, fëmijë me portrete të friguar që dëgjojnë këtë përrallë të trishtë, përbri, njerëz që bëjnë allishverishe, një derë banke e hapur, një makinë policie me sinjal ndezur, dhe të gjitha këto në atmosferën e një pylli.

Janë ngacmuese kundërshtitë në kompozimin e Zonjës. Motivacioni i jurisë për këtë rast është: "Për një teknikë të lartë piktorike, me të cilën ka ndërtuar një kompozim kompleks, narrativ, me simbole sociale dhe metaforike".

"Sit still seeking" (akrilik në kanavacë, 70x80cm dhe 70x90cm), diptiku i Aldi Zgjanit, edhe një syri jo të mësuar me pikturën, i bën përshtypje saktësia e teknikës së përdorur. "Për një krijimtari të menduar konceptualisht, të përpunuar mirë, plot finesë dhe delikatesë". Ky është motivacioni i jurisë për Zgjanin.

Dje në mbrëmje, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, publiku përbëhej kryesisht nga të afërm të artistëve pjesëmarrës. Vizitorë të rregullt të ekspozitave, ishin të gatshëm të bënin ndryshimin mes "Onufrit" dhe të tjerave prezantime. "Kam qenë edhe në një ekspozitë paraardhëse, "Bienalja e Tiranës". Edhe ajo më pëlqeu, por atje kishte më shumë artistë të huaj.

Ata bëjnë një art i cili të duket sikur nuk na përket, vjen nga një botë tjetër, ndërkohë që këtu jemi më afër realitetit shqiptar", thotë Orjeta Prifti, ndjekëse e rregullt e "Onufrit".

Tek ky edicion asaj i pëlqen prezantimi i artistëve të rinj bashkë me ata më me përvojë. Kësaj vizitoreje i ka bërë përshtypje tabloja e Enkelejd Zonjës. "Gjeta tek ai një piktor që na përfaqëson, të gjithë ne që nuk jemi brenda artit dhe që nuk mundemi të flasim."

Kurse, për një tjetër vizitore të ekspozitës, botuesen Vasilika Tafa, edicioni i 16-të "është më i arritur se edicionet e tjera", pasi ajo gjen aty "vepra konceptuale, vepra të mirëfillta artistike, vepra të traditës".

Tafa është e tërhequr nga pikturat e brezit të vjetër të artistëve, Gjelosh Gjokaj, Gazmend Leka, vëllezërit Gjikopulli. Gruaja nuk ka qejf ta quajë atë që sheh tek "Onufri" thjesht një art shqiptar. "Kjo hapje e madhe e kulturës nuk mund ta shmangë gjithëpërfshirjen. Artistët shqiptarë nuk mund të jenë të pandikuar. Megjithatë, piktura shqiptare ndihet sepse është realizuar nga piktorët shqiptarë".

Thanë pas marrjes së çmimeve
Hasan Nallbani
Çfarë provon kur merr çmimin e parë?

Është kënaqësi kur merr një çmim dhe ndihesh i vlerësuar. Shpesh ti e pret që ta marrësh, por nuk e merr. Është çmimi i parë që marr në ekspozitën "Onufri". Para viteve '90 kam marrë çmime, të parë, të dytë, të tretë. Pas këtyre viteve ky është i pari çmim dhe e para herë që marr pjesë në një aktivitet të kësaj natyre.

Përse pranuat këtë vit?

Në vitet e tjera "Onufri" ka pasur karakter tjetër. Këtë vit u krijua sipas një programi që më dha të drejtën të marrë pjesë. U krijua ideja që të ishte aktivitet i piktorëve shqiptarë. U krijua më shumë hapësirë për të gjithë.

Enkelejd Zonja:

Është çmimi i parë i rëndësishëm që ke marrë ndonjëherë.

Kjo është një mbështetje që i jepet artistit të ri, një shtysë, por në të njëjtën kohë, është edhe përgjegjësi. Një përgjegjësi për atë që duhet të krijosh më vonë. Gjithashtu, më vjen mirë, sepse vlerësohem për herë të parë në vendin tim.

Aldi Zgjani:
Duket sikur çmimi i dytë të ka ardhur shumë papritur?

Jo. Kur futesh në një konkurs je i vetëdijshëm që je në konkurrim. Deri diku edhe shpreson. Nuk mendova fare për çmimin.

Në cilin moment të krijimtarisë vjen ai?

Në fillim. Është një studim që ka nisur që dy vjet më përpara, që në momentin që unë mbarova shkollën dhe fillova të bëjë një studim individual pa pasur një detyrim kundrejt një shkolle, ose kundrejt një profesori.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›