E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish- policët: Do nisim protestat nëse nuk na jepen pagat

Rreth 3 mijë ish- punonjës policie në lirim prej shtatë muajsh janë pa paga për shkak të miratimit të një ligji që iu përgjysmonte atyre pensionet

Kreu i shoqatës së Punonjësve të Policisë në Lirim thotë se priten protesta nëse ata nuk do të marrin pensionet e tyre

Zoti Bakiu, ju vazhdoni nga muaji korrik të jeni pa pensione dhe shpërblime. Si mendoni se do të jetë ecuria e kësaj çështjeje, duke qenë se ju si shoqatë keni ngritur edhe një padi në gjykatën Kushtetuese ?

Është e vërtetë që kemi që prej nga 1 korriku që një pjesë e madhe e anëtarësisë sonë, e cila i kalon 3 mijë persona nuk paguhet, megjithëse shteti ka detyrimin ligjor të kryejë këtë veprim. Këto pagesa nuk janë lëmoshë, por detyrim për punën e kryer dhe sigurimet e paguara, prej nesh.

Nëse fillimisht na fyen profesionalisht, na dhunuan moralisht, tani kërkojnë të na rrënojnë edhe ekonomikisht. Në gjykatën Kushtetuese ka përfunduar faza e paraqitjes së kërkesës prej nesh dhe pretendimet e palës mbrojtëse (nëse mund të quhen të tilla).

Jemi në pritje të dhënies së vendimit, për të cilin jemi të bindur se do të jetë në favorin tonë, pasi në radhë të parë parimet e shtetit ligjor dhe të së drejtës janë me ne. Tjetra është se kjo Gjykatë e nderuar është shprehur disa herë për çështje të ngjashme në favorin tonë. Së fundmi besoj në pozitivitetin e vendimit duke njohur personalisht integritetin personal dhe profesional të këtyre gjyqtarëve të nderuar.

Cilat ishin pretendimet e palës kundërshtare ?

Dua të them se kjo palë e detyroi Gjykatën ta niste procesin me shtyrje të seancës me pretendimin se kishin arsye objektive!!! Një shfaqe tragjikomike, madje do ta cilësoja pa frikë humor të zi në këtë rast.

Bëhet fjalë për mbijetesën ekzistencale të një numri të konsiderueshëm shtetas shqiptarë, që kanë dhenë një kontribut jo të vogël për këtë shtet. Këshilli i Ministrave kishte kërkuar shtyrjen e gjykimit për arsye objektive?!!!
Ministria e Financave dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore nuk kishin sjellë përfaqësuesit e tyre?!!!

Kuvendi kërkoi kohë për studim?!!!

Gjatë zhvillimit të gjyqit paraqitja e palës mbrojtëse në ketë gjykim të dëshpëronte si shtetas i këtij vendi. Aq flagrante ishte kakofonia e tyre sa e detyruan disa herë trupin gjykues t'u kërkonte të ishin më të saktë e konkretë si dhe të përcaktonin mendimin përfundimtar të tyre për çështjen.

Personalisht u ndjeva shumë keq për këto turpe (vetëm të tilla mund t'i quash butësisht) para përfaqësuesve të organizmave të huaja euroatlantike që ishin pjesëmarrës në këtë seancë.Më dukej sikur Imzot Fan Noli e kishte shkruar për sot dhe për ta Marshin e Barabait: "0 i çgryer, i zhyer, i vyer për hu,/ Turp-e-ndot-kundërmonjës të krusen mbi gju / Dallkaukët, kopukët e turmat pa tru, / Zëmër-krund-e-gërdhu: Hosanna, Barabba!

Zoti Bakiu, gjatë kësaj vonese në shpalljen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese mund të kemi ndërhyrje të qeverisë për të ndikuar në këtë proces?

Jo, absolutisht jo. E para unë besoj në integritetin moral e profesional të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët nuk ndikohen nga asnjë palë në proces, e dyta qeveria jo vetëm që nuk e ka në axhendë të ndërhyjë, por as që ka marrë mundimin të zbatojë detyrimet ligjore (nxjerrjen e Vendimeve të Këshillit të Ministrave) për të bërë të zbatueshëm këtë ligj. As në mbledhjen e fundit nuk kaloi ky vendim.

Zoti Bakiu, cilat do të jenë hapat tuaja për zgjidhjen e këtij problemi?

Fillimisht dua të shpreh dyshimin tim të bazuar se ka segmente të caktuara që duan të ekstremizojnë qendrimin e organizatës sonë, duke keqinformuar instancat e larta shtetërore dhe duke na venë në kushtet e mbijetesës ekzistenciale tonën dhe te familjeve tona.

Por u bëj me dije se nuk kanë për t'ia arritur kësaj dite, sepse ne jemi punonjës të ligjit dhe ligji për ne ka qënë dhe është i shënjtë.
Nëse do të vazhdohet me ketë gjendje jemi të detyruar t'i drejtohemi rrugëve të tjera demokratike duke filluar nga protestat etj.

Ju para disa ditësh festuat 97- vjetorin e krijimit të Policisë Shqiptare, kurse zyrtarisht kjo nuk u festua.

Së pari, desha të theksoja se ne jemi një si ata në detyrë edhe ne në rezerve, pavarësisht nga lojërat e ndyra të politikës për të na përçare. Duke mirëkuptuar shkaqet për anullimin e ceremonisë zyrtare, dua të theksoj se ne nga ana jonë ftuam gjithë spektrin politik shqiptar dhe gjithë ish- ministrat e brendshëm (pavarësisht se nuk erdhen të gjithë).

Gjithashtu edhe ne ishim në dilemë për të organizuar këtë ceremoni, nisur nga situata e permbytjeve të cilën po përjetonim. Ne si organizatë në rrugë institucionale dhe mediatikisht shprehëm gatishmerinë për të venë në dispozicion të Drejtorisë Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të gjitha kapacitetet tona për t'i përdorur sipas nevojave të situatës.

Por në Shqipëri janë problemet janë aq të shpeshta, sa që po vazhduam me këto përjetime (siç e meritojnë), zor se do të kemi mundësi të kremtojmë ngjarje historike si duam dhe kur ato duhet të kremtohen.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›