Familja e dëshmitarit: Po na kërcënojnë fëmijët

BANDA E DURRËSIT
Një nga të afërmit e familjes së Adriatik Colit, i penduar i bandës, denoncon kërcënimet e tyre dhe të fëmijëve nga njerëz të panjohur
"Policët nuk na sigurojnw shtëpinë. Marrëveshja nuk po respektohet ndaj jemi të detyruar të heqim fëmijët nga shkolla"
TIRANË- Fillimi i muajt mars të viti 2006 për 17 pjesëtarët e ngushtë të familjes së Adriatik Colit nga Durrësi ka qenë fillimi i një jete të re larg shtëpive të tyre dhe nën mbikëqyrje e ruajtje brenda 24 orëve të ditës nga efektivët e policisë.
Kjo ruajtje vazhdon edhe pse kanë kaluar gati katër vite që nga dita kur i pandehuri Coli pranoi të rrëfehet në prokurori, për bëmat e tij dhe "pjesëtarëve të bandës" ku ai bënte pjesë deri në mars të 2006-s.
Familjarët e Colit pas katër viteve të izoluar dhe nën mbikëqyrjen e plotë të policisë kanë vendosur të flasin, duke akuzuar efektivët blu se nuk po kujdesen ndaj tyre siç i kishin premtuar dhe kohët e fundit janë bërë pre e kërcënimeve të ndryshme ata dhe fëmijët e tyre.
Njëri prej pjesëtarëve të ngushtë të familjes së Colit ka rrëfyer për "Shekullin" se policia pas dëshmisë së njeriut të tyre në Gjykatë, nuk po ndjek ruajtjen e tyre, duke i lënë në mëshirën e kërcënimeve dhe fyerjeve të "shokëve" apo miqve të vjetër të djalit të tyre.
"Na kanë strehuar në një banesë ku na shoqërojnë kur dalim jashtë, por në disa raste agjentët e shërbimit të turnit të natës vijnë rrinë vetëm pak minuta dhe më pas largohen duke na lënë në mëshirë të fatit.
"Tri ditë më parë jemi kërcënuar me jetët tona. Pas kërcënimit jemi detyruar të heqim fëmijët nga Shkolla prej frikës së vrasjeve. Jemi 17 pjesëtarë të familjes së Adriatik Colit që herë pas here mbesim pa siguri nga agjentët e papërgjegjshëm.
Na është premtuar se do na nxirrnin jashtë shtetit, por, tani na thonë se nuk jeni të rrezikuar ju por vetëm bashkëshortja e Colit dhe fëmijët e tij"-tha një nga të afërmit e Colit. Ai nuk pranoi të identifikohet për shkak të frikës për ndonjë hakmarrje.
Gjithashtu, ai dyshon se edhe zyrtarët e lartë që drejtojnë Zyrën për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësi janë të implikuar si bashkëpunëtorë të personave nga të cilët prej katër vitesh familja Colit fshihen nga frika e ndonjë hakmarrjeje.
Sipas tij, Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë po tregohet arrogante për mënyrën e menaxhimit të jetëve të tyre në arrati, duke i lënë shumë herë vetëm pa shoqërues në turin e natës, pasi agjentët sapo vijnë largohen pa njoftuar.
"Na premtuan se do na krijojnë një jetë normale në arrati deri sa të dëshmonte Adriatiku në dy shkallët e gjyqësorit dhe pastaj do na nxirrnin jashtë, por Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve po na le në rrugë pa përkrahje e pa ruajte fizike. Kjo ka sjellë edhe heqjen e fëmijëve tanë nga shkolla"- thotë i afërmi i Colit.
Ai shprehet se është detyruar nga kushtet e këqija dhe rreziku për jetën e familjeve të tyre të denoncojë këtë fakt në media, pasi sipas tij, asnjë funksionar i Zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve nuk iu ka kthyer përgjigje.
"Jetët tona janë në rrezik, për këtë fakt kemi njoftuar të gjithë zyrtarët e lartë, si në Prokurori dhe në Ministrinë e Brendshme. Për këto shqetësime tonat është vënë në dijeni edhe Agron Kuliqi, i cili ende nuk ka marrë ndonjë masë për rritjen e sigurisë tonë.
Për këto që po flas me ju, jam kërcënuar në forma të ndryshme edhe nga zyrtarët e shtetit që kërkojnë të ma mbyllin gojën e të mos ankohemi në media. Duam që qeveria të ndërhyjë pasi ne jemi në rrezik"- tha i afërmi i Colit për "Shekullin". Duke përfunduar ai tha se edhe Adriatiku është kërcënuar hapur në gjyq"
Marrëveshja
Colit iu garantua jeta e familjes dhe njerëzve të afërt
TIRANË- "Rrëfej gjithçka, në këmbim të sigurisë time dhe familjes". Ky është pakti që Adriatik Coli ka lidhur me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, rrëfimi i të cilit dërgoi në bankën e të akuzuarve krerët dhe pjesëtarët e njërës prej bandave më të rrezikshme në vend.
Një kontratë me shtatë pika dhe një firmë e hedhur në fund nga "i penduari" ka bërë që institucioni i akuzës të sigurojë jo vetëm dëshminë e tij, por edhe fakte e prova për aktivitetin kriminal të organizatës.
Dëshmia e Ardiatik Colit, ish-pjesëtar i bandës së Durrësit përbën "thembrën e Akilit" për organin e akuzës, jo vetëm për arrestimet e kryera pranverën e vitit 2006, por edhe gjatë procesit që vazhdon në gjykatë ku i penduari vazhdon të dëshmojë krimet e "bandës".
Nëntë marsi i vitit 2006 duket se ka qenë një ditë e mbarë për grupin e prokurorëve, pasi pas orësh të tëra negociatash, grupi i hetimit ka firmosur marrëveshjen me Adriatik Colin, duke siguruar rrëfimin e tij për çdo krim të kryer nga banda.
Sipas kontratës së siguruar nga "Shekulli", Adriatik Coli ka firmosur me vullnetin e tij të lirë për të dëshmuar kundër ish-miqve të tij.
Në pikën 1 të akt-marrëveshjes thuhet se: "Personi nën hetim merr përsipër të bashkëpunojë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke dhënë shpjegime të hollësishme, pa asnjë rezervë dhe kusht për të gjitha faktet , rrethanat dhe provat të cilat janë të rëndësishme dhe vendimtare për faktimin e veprimtarisë kriminale për të cilin ai hetohet si bashkëpunëtor".
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, "i penduari" duhet të zbulojë bashkëpunëtorë të tjerë të organizatës si dhe të japë sqarime për të gjitha rrethanat e fakteve për të cilat ai ka dijeni për shkak të përfshirjes së tij.
Firma e hedhur në fund të aktmarrëveshjes e detyron Adriatik Colin të jetë i gatshëm për prokurorët në të gjitha shkallët e procesit të hetimit, ose në të kundërt ai humbet të gjitha privilegjet që burojnë nga statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Ndërsa në pikën 3 të akt-marrëveshjes thuhet se prokurorët marrin përsipër t'i kërkojnë gjykatës që në këmbim të të dhënave dhe fakteve të ofruara, në vartësi të nga rëndësia e tyre, uljen e dënimit apo edhe përjashtimin e Adriatik Colit nga dënimi, dhe pse ai rezulton si anëtar i bandës së Durrësit.
Gjithashtu, në pikën 4 parashikohet në marrëveshje që prokurorët marrin përsipër të marrin masa të posaçme të mbrojtjes së bashkëpunëtorit të drejtësisë, apo personave të afërm dhe të lidhur me të"-thuhet në marrëveshjen e firmosur nga Coli dhe tre prokurorët e çështjes.