E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkime të kontrolluara në kaskadën e Drinit, bashkia Shkodër: Masa për menaxhim të situatës

TIRANË, 16 shkurt/ATSH/ Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESh) informoi sot se po monitoron në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë situatën hidroenergjetike në kaskadën e Drinit.

Sipas KESh, në zbatim edhe të rregullores për menaxhimin e prurjeve dhe sigurisë së digave, ka marrë të gjitha masat e nevojshme për administrimin e prurjeve.

Ndërkohë që bashkia e Shkodrës njofton se gjatë paradites së sotme KESh ka nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin: Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës.

“Si pasojë e shkarkimeve, si dhe për shkak të reshjeve dhe rritjes së temperaturave, gjatë pasdites është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si dhe të liqenit të Shkodrës. Situata mund të sjellë rritje të mëtejshme të niveleve të lumenjve, veçanërisht në territorin e Nënshkodrës”, thuhet në njoftimin zyrtar të bashkisë Shkodër.

Bashkia Shkodër ka marrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile.

Ekipet janë në terren, në monitorim të pandërprerë dhe në gatishmëri të plotë për çdo zhvillim.

Në këto kushte, bashkia Shkodër njofton banorët të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes të shtuar në zonat pranë lumenjve.

Për çdo emergjencë banorët të kontaktojnë në 069 60 60 992.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›