BUDAPEST – Rubio: Atyre që veprojnë kundër interesave të SHBA-së do t’u hiqet viza

BUDAPEST, 16 shkurt /ATSH/- Gjatë vizitës së tij në Hungari, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u pyet edhe për çështjen e pezullimit të vizave, sipas VOA.
“E kam thënë këtë vazhdimisht. Nuk e kuptoj pse është kaq e vështirë për disa ta kuptojnë. Nëse hyni në vendin tonë si vizitor dhe ndërmerrni veprime kundër interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ne do ta revokojmë vizën tuaj”, tha Rubio.
Gjatë takimit të tij me kryeministrin hungarez sot në Budapest, Rubio tha se marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Hungarisë ishin në “fazën e artë” dhe bazoheshin në bashkëpunim të fortë, i cili nuk ishte vetëm retorik, por edhe konkret në fushat e ekonomisë dhe energjisë.
“Hungaria është bërë një partnere e rëndësishme e SHBA-së dhe investimet amerikane në Hungari janë vazhdimisht në rritje. Nën udhëheqjen e kryeministrit Orban, vendi ka krijuar një mjedis biznesi të qëndrueshëm dhe konkurrues që nxit rritjen e mëtejshme”, tha Rubio në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin hungarez, Viktor Orban. //a.i/