Operacion kundër trafikut të emigrantëve, Rrumbullaku: 26 të arrestuar, u sekuestrua laborator për falsifikimin e dokumenteve

TIRANË, 7 qershor /ATSH/ Një grup kriminal që merrej me trafikimin e shtetasve shqiptarë drejt Anglisë dhe Irlandës përmes Spanjës është goditur në kuadër të një operacioni të koduar ‘Nomadët” nën drejtimin e SPAK dhe i ekzekutuar nga policia e Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku u shpreh sot në një konferencë për shtyp se, “Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Kombëtare Spanjolle, pas një hetimi intensiv 2-vjeçar në kuadër të skuadrës së përbashkët hetimore, realizoi operacionin “NOMADA” goditi grupin e strukturuar kriminal, që vepronte kryesisht në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kontrabandimit të shtetasve”.
“Në kuadër të këtij operacioni, SPAK dhe GJKKO, caktoi masën e sigurimit personal “arrest në burg” për 31 shtetas për kryerjen e veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Falsifikimi i dokumentave”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal””, shtoi ai.
Rrumbullaku u shpreh se, nga 31 shtetas me masë sigurimi personal “arrest në burg” është bërë e mundur kapja dhe ekzekutimi i vendimit të gjykatës për 26 shtetas dhe për 4 shtetasit e tjerë u bë shpallja në kërkim, pasi rezulton se ndodhen jashtë shtetit, ndërsa 1 shtetas ndodhet brenda territorit shqiptar për te cilat strukturat operacionale janë angazhuar për kapjen e tij. Në mes të personave të arrestuar është edhe një punonjës policie i nivelit zbatues.
Gjithashtu, vijoi ai, “për 6 shtetas, gjykata caktoi masën “arrest në shtëpi”. Në vazhdimësi të këtij procedimi penal janë arrestuar edhe 5 shtetas të tjerë, ndërsa në Spanjë janë arrestuar 35 persona”.
Rrumbullaku theksoi se, “veprimet operacionale u koordinuan me profesionalizëm edhe me homologët tanë në Itali e Kosovë, ndërsa për realizimin e operacionit në Shqipëri u angazhuan rreth 500 forca policore në disa qytete, si Tiranë, Durrës, Shkodër, Berat, Kukës dhe Shijak”.
Gjatë operacionit u sekuestruan: 7 automjete; 1 laborator për falsifikimin e dokumenteve; 25 mijë euro; 20 mijë paund; 10 pasaporta italiane, greke, sllovene e karta identiteti të huaja; 1 armë gjahu; 10 laptop; 15 kompjuterë e printerë që shërbenin për shitje dhe transferta monedha virtuale – BITCOIN; sasi lëndësh narkotike; 47 aparate celulare; 1 aparat luminator; bizhuteri dhe varëse floriri me vlerë të konsiderueshme dhe 120 kontrata noteriale shitblerje pronash të paluajtshme dhe automjetesh.
“Nga veprimet operative, gjurmuese dhe hetimore rezulton se, subjektet kryesorë kryenin aktivitetin e jashtëligjshëm të falsifikimit të dokumenteve të udhëtimit, kryesisht dokumenteve të BE-së, ku përfshihen pasaporta, karta identiteti, leje drejtimi automjeti, karta shëndeti dhe karta banke. Këto dokumente të falsifikuara, përdoreshin në një shkallë të gjerë, për dhënien ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve, për të lehtësuar udhëtimin e migrantëve të parregullt shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, por jo vetëm. Këto udhëtime kryesisht realizoheshin drejt aeroporteve spanjolle, veçanërisht atyre në Majorka, Madrid, Barcelona dhe Alikante”, tha më tej Rrumbullaku.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, shtoi se, “nga hetimi me metoda speciale rezultoi se, shtetasit shqiptarë largoheshin nga Shqipëria me pasaportat e tyre origjinale shqiptare për në vendet e BE-së, brenda zonës “Schengen”. Dokumentet e falsifikuara u dërgoheshin më pas me postë në hotelet ku qëndronin në Spanjë ose në adresa rezidenciale”.
Ai theksoi se, “operacioni “NOMADA” u përfundua falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, EUROPOL-in dhe Zyrën e Sigurisë së Ambasadës së SHBA-së në Tiranë”.
Rrumbullku falënderoi partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin e shpejtë dhe profesional në realizimin e operacionit “NOMADA”.
“E kam thënë edhe më parë dhe dëshiroj ta përsëris sërish se, krimi në përgjithësi dhe veçanërisht krimi i organizuar, nuk ka kombësi dhe në botën globale ai po bëhet gjithnjë e më shumë ndërshtetëror. Ndaj shpreh bindjen se ndërveprimi mes agjencive të zbatimit të ligjit është element thelbësor në përpjekjen tonë të përbashkët për të goditur krimin e organizuar, kudo ku ai shfaqet”, tha ai.
Konkretisht, shtoi Rrumbullaku, “bashkëpunimi ynë me Policinë Kombëtare të Spanjës është ngritur cilësisht dhe është konsoliduar tashmë, duke dhënë rezultate domethënëse në luftimin e fenomeneve kriminale që shqetësojnë të dy vendet”.
Rrumbullaku gjithashtu falënderoi, drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, të angazhuar në këtë operacion, për punën hetimore dhe veprimet organizative e operacionale, që garantuan suksesin e operacionit.