E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Operacion ndërkombëtar me Italinë për goditjen e trafikut të drogës, tre të arrestuar

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ Tre persona janë arrestuar në Shqipëri, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Alba Tibus”, për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal për trafikim të lëndëve narkotike.

“Operacioni në Shqipëri u finalizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, si dhe në koordinim me homologët italianë, me Zyrën e Interforcës Italiane në Shqipëri, Karabinierinë e Romës, Parioli, dhe me Drejtorinë e Interpolit”, njofton Policia.

Policia njofton se “u vunë në pranga shtetasit A. A., 27 vjeç, K. D. alias K. Dh., 30 vjeç dhe Xh. H., 30 vjeç”.

“Ata dhe shtetasi E. L., që aktualisht po vuan një dënim në IEVP Rrogozhinë, akuzohen në kuadër të një procedimi penal të iniciuar nga Prokuroria e Romës, se në vitin 2019, të organizuar si grup i strukturuar kriminal, kanë trafikuar në Itali (kryesisht në Romë), lëndë narkotike cannabis sativa”, njofton Policia.

Policia e Shtetit thekson se është e angazhuar dhe e vendosur për të vijuar bashkëpunimin me partnerët, për veprime të përbashkëta hetimore dhe operacionale, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimit të organizuar dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›