Operacion në Farkë kundër ndërtimeve pa leje, Koçiu: Ndëshkime për ndërtuesit abuzivë dhe zyrtarët që nuk përmbushin detyrën

Vijon operacioni i përbashkët i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Policisë së Shtetit në zonën e Farkës, si pjesë e aksionit kombëtar kundër ndërtimeve pa leje dhe abuzimeve me territorin. Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, paralajmëroi masa të ashpra për këdo që shkel ligjin, duke përfshirë gjoba të rënda, ndjekje penale dhe prishje të menjëhershme të objekteve të ndërtuara jashtë lejes së dhënë.
“Askush nuk është mbi ligjin. Do të ndëshkohen jo vetëm ndërtuesit abuzivë, por edhe zyrtarët që nuk përmbushin detyrën dhe lejojnë ndërtime në shkelje të lejes,” tha Koçiu.
Sipas saj, kontrollet e deritanishme kanë treguar se abuzimet me territorin shpesh lidhen edhe me mosveprim ose neglizhencë nga punonjës publikë, të cilët do të mbajnë përgjegjësi ligjore.
“Masat po shtrihen në çdo nivel përgjegjësie. Ligji është i barabartë për të gjithë dhe zbatimi i tij është garanci për zhvillim të drejtë e të qëndrueshëm,” shtoi Koçiu.
Operacioni në Farkë është pjesë e një procesi të gjerë për vendosjen e ligjshmërisë mbi territorin në të gjithë vendin. Ministrja bëri të ditur se çdo ndërtim që tejkalon sipërfaqen e lejuar apo është kryer pa leje, do të përballet me sanksione të menjëhershme.
“Çdo metër katror i ndërtuar jashtë lejes do të penalizohet rëndë me gjobë, kallëzim penal dhe prishje të objektit,” deklaroi Koçiu, duke kujtuar se masat bazohen në paketën ligjore të miratuar në tetor, e cila forcon mekanizmat e kontrollit dhe rrit ndëshkimet për shkelësit.
Në përfundim, Ministrja e Punëve të Brendshme u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm kur blejnë prona të reja:
“Verifikoni dokumentacionin dhe statusin ligjor të objektit, për të shmangur çdo mashtrim apo abuzim,” apeloi Koçiu.
/rtsh.al/