Operacioni “Poker” në Fier, arrestohet administratori i një lokali dhe 5 persona

TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/ Një 47-vjeçar, në Fier u arrestua nga Polica, pasi kishte përshtatur lokalin e marrë me qira për të organizuar lojëra fati poker.
Sipas njoftimit për shtyp të Policisë së Shtetit, gjatë operacionit të koduar “Poker” u arrestuan edhe 5 shtetas të tjerë që u kapën në flagrancë duke luajtur poker.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Fier në kuadër të kontrolleve për parandalimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit arrestuan shtetasit: E. V., 47 vjeç, H. K., 32 vjeç, M. B., 26 vjeç, A. T., 42 vjeç, E. Xh., 34 vjeç, dhe K. H., 35 vjeç, të gjithë banues në fshatin Mbyet, Fier, të cilët u kapën në flagrancë në lokalin e shtetasit E. V., duke luajtur poker.
Në vijim të veprimeve procedurale specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasit e mësipërm për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
/k.s/j.p