E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

FOKUS – Papa Françesku në vizitë historike në Korsikë

AJACCIO, 15 dhjetor /ATSH-AFP/ – Papa Françesku mbërriti sot në Korsikë, ku do të përshëndesë besimtarët e shumtë të këtij ishulli francez të Mesdheut, përpara një meshe  dhe një takimi me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Një javë pasi shmangu rihapjen e Notre-Dame de Paris, pavarësisht ftesës së kreut të shtetit, papa mbërriti në orën 08:50 në aeroportin e Ajaccios, nën një qiell blu.

Ai u prit atje nga ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau dhe një grup i vogël fëmijësh korsikanë.

Në rrugët e qytetit kryesor të këtij ishulli mesdhetar me 350 000 banorë, 80% e të cilëve janë katolikë, sipas Vatikanit, besimtarët filluan të mblidheshin që në agim për të parë papën.

Papa duhet të bëjë një shëtitje në breg të detit, përpara se të shkojë në qendrën e kongresit për të mbyllur një konferencë mbi “fetarizmin popullor në Mesdhe” dhe më pas ai do të kryesojë një lutje në katedrale dhe një meshë pasdite, e cila duhet të mbledhë 9 000 persona në teatrin ”Casone”.

Ai do të largohet pak pas orës 18:00 (17:00 GMT), sipas Selisë së Shenjtë, pas një takimi  në aeroport me Emmanuel Macron.

Papa u ftua në Korsikë nga François-Xavier Bustillo, 56 vjeç, peshkop shumë i njohur dhe miqësor me median, të cilin ai e kishte bërë kardinal në shtator 2023.

“Dioqeza është e varfër, rajoni i Korsikës nuk është i pasur, por falë bujarisë së bizneseve dhe besimtarëve ne do të arrijmë të bëjmë një pritje të denjë për papën”, tha ai.

”Falë edhe solidaritetit kombëtar francez”, tha prefekti i Korsikës, Jérôme Filippini, i cili e vlerëson koston e kësaj vizite disa orëshe në disa milionë euro.

Ky udhëtim në Korsikë do të jetë i 47-ti ndërkombëtar i papës, nga zgjedhja e tij, dhe i treti në vitin 2024./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›