Operacioni Topografi, policia kap poseduesin e një parcele me hashash

Durrës, 15 korrik, NOA Në kuadër të operacionit të koduar Topografi, i cili ka si qëllim zbulimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike, si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të këtyre veprave penale, nga forcat e policisë së Durrësit është
bërë arrestimi në flagrancë i 37-vjeçarit Dashamir Cungu.
Sipas të dhënave policore për agjencinë e Lajmeve NOA, nga veprimet e para hetimore rezulton se ai është poseduesi i sasisë së bimës narkotike Cannabis Sativa të gjetur, sekuestruar dhe asgjësuar në fshatin Verjon, të komunës Nikel në Krujë.
Materialet e përgatitura do ti kalojnë Prokurorisë së Durrësit për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal.
Ndërkaq, policia bën me dijeni se po vazhdon puna për identifikimin e autorëve të tjerë si dhe asgjësimin e sasisë tjetër, pasi në këtë zonë janë të mbjella parcela të tjera toke me Cannabis Sativa.
n.e/NOA