E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyu gruan në vetëvrasje, pranga bashkëshortit

Petrit Goga, 31 vjeç, është arrestuar dje nga policia e kryeqytetit me akuzën e shtyrjes në vetëvrasje


Mimoza Goga ishte gjetur e vdekur në pusin e shtëpisë nga fqinjët. Kërkesa e të afërmëve rihapi hetimin


TIRANË- Dy vite pas vdekjes së Mimoza Gogës, Policia e kryeqytetit arreston bashkëshortin e saj, në cilësinë e personit të akuzuar si autori i vrasjes së saj. Gjithsesi deri më tani, policia ka ngritur ndaj bashkëshortit të arrestuar vetëm akuzën e shtyrjes në vetëvrasje të gruas së tij. Petrit Goga, 31 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Ndroq të Tiranës, është arrestuar të dielën nga Seksioni i Krimeve Kundër Jetës, në Policinë e Tiranës me akuzën e "shkaktimit të vetëvrasjes" së Mimoza Gogës.


Ngjarja për të cilën është arrestuar Goga, ka ndodhur dy vite të shkuara në fshatin Ndroq të Tiranës, kur Goga është gjetur e e vdekur e zhytur në pusin e shtëpisë së saj. Ndërkaq, dy vite më vonë, ka ardhur edhe arrestimi i bashkëshortit të saj, që sipas policisë dyshohet se e ka shtyrë të shoqen në vetëvrasje. Ndërkaq, arrestimi është kryer me urdhër të prokurorisë së rrethit e cila ka ngritur dyshim mbi vdekjen e gruas më tepër se dy vite më parë.


Prokuroria e kryeqytetit kishte vendosur që ngjarja e datës 4 maj 2007, ku gjeti vdekjen Mimoza Goga, e cila në atë kohë u pretendua se kishte kryer vetëvrasje, të rihetohet. Dosja me materialet hetimore iu është dërguar më në fund Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, ku kjo gjykatë me vendimin e datës 9 korrik të këtij viti ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg" për 31 -vjeçarin Petrit Goga, i akuzuar nga Prokuroria për "shkaktim të vetëvrasjes".


Në kohën kur ndodhi vdekja e Mimoza Gogës, 28 vjeç, ngjarja u klasifikua si vetëvrasje. Kërkesa e vazhdueshme e familjarëve të së ndierës, bëri që gjykata ta rihapë çështjen, për të kryer hetime në lidhje me ngjarjen. Një vendimin e Gjykatës së Tiranës për rihapjen e kësaj çështjeje, detyron Prokurorinë e kryeqytetit që t'i rikthehet dhe një herë hetimit të ngjarjes së ndodhur në vitin 2007.


Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar që ngjarja të njihet si vetëvrasje, por gjykata ka refuzuar të mbyllë hetimet, duke nxjerrë një vendim për rinisjen e hetimeve për të zbuluar nëse bëhet fjalë për vrasje apo vetëvrasje. Këtë vendim e ka marrë gjykatësi Sokol Tona, i cili ka vendosur të mos e mbyllë vdekjen e Mimoza Gogës si vetëvrasje.


Gjykata në vendimin e saj për rihetimin e çështjes, ka dhënë dhe argumentet se pse nuk duhet të mbyllet dosja si një vetëvrasje. Sipas gjykatës, viktima kishte denoncuar shpesh në polici për konfliktet brenda familjes e për pasojë, prokuroria duhet të hetojë më tej. Po sipas burimeve, gruaja kishte rënë herë pas here pre e dhunës së bashkëshortit të saj.


Gjykatësit iu janë referuar disa denoncimeve, ku Mimoza pohonte se ishte ushtruar dhunë ndaj saj nga të afërmit e familjes së bashkëshortit të saj. Nga provat e mbledhura në vendngjarje dhe studimi i rrethanave të saj nga policia, mendohet se fëmija i madh i Mimozës të ketë qenë dëshmitar i krimit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 4 maj të vitit të vitit 2007 në fshatit Haskalije në Ndroq.


Fqinjët e familjes Goga, gjetën në fundin e pusit që ndodhej në oborrin e banesës, Mimozën, e cila në ato momente nuk kishte ndërruar ende jetë. Pas nxjerrjes nga pusi, ajo u transportua në Spitalin Ushtarak, ku edhe ndërroi jetë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›