E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, 40% më pak turistë, zgjedhjet ndikim të madh

Drejtori i Turizmit në bashki vlerëson se situata paszgjedhore ka ndikuar në uljen e numrit të pushuesve në qytet


VLORË - Vera vazhdon me më pak pushues në Vlorë. Ajo që vërehet lehtësisht në zonat bregdetare e plazhe apo edhe në trafik, konfirmohet edhe nga drejtues të sektorit të turizmit. Nëse një vit më parë plazhet ishin të tejmbushur, në këtë periudhë pushuesit janë më të paktë. Drejtori i drejtorisë së turizmit në Bashkinë e Vlorës, Ilir Metaj, referuar numrit të pushuesve këtë verë pohon se është 40 % më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.


Shifra i referohet periudhës maj-qershor të vitit të kaluar dhe jepet nga vetë operatorët turistikë. Duke dhënë statistika, disa flasin për një rënie në masën 50%, të tjerë 30% dhe mesatarja shkon pak a shumë në një shifër të tillë.


Shkaqet


Sipas Metës, shkaktarët janë kriza ekonomike, mungesat e energjisë elektrike gjatë bregdetit, furnizimi i kufizuar me ujë dhe përveç këtyre, edhe zgjedhjet, pasi fushata i ka mbajtur paksa të frenuar pushuesit.


Drejtori i Turizmit përfshin edhe situatën paszgjedhore, e cila, sipas tij, vijon të jetë ende e paqartë, çka bën që edhe njerëzit të jenë më të pasigurt në zgjedhjet e tyre. Por, teksa shpjegon arsyet e kësaj vere që ka nisur me më pak turistë dhe pushues, Meta rendit edhe mungesat e organizimit nga Ministria e Turizmit për promocion apo organizimin e pushuesve të huaj. Sipas tij, në njësitë hotelerike tashmë ka një numër shumë më të vogël se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.


Në këtë ulje ai ka përjashtuar ndikimin e motit, pasi pushuesit rezervojnë më parë. Fakt, sipas Metës, është që këto rezervime janë ulur me rreth 40%. Ndërkohë, përgjatë bregdetit në Ujë të Ftohtë, një nga zonat më të frekuentuara kjo nga pushuesit, fluksi vihet re vetëm në fundjavë. Edhe trafiku është i rënduar në dy ditët e fundit të javës e përkatësisht të premten e të shtunën, ndërsa e diela vijon të jetë një ditë e qetë në qytetin bregdetar.


G.Ismaili, një nga operatorët turistikë në bregdet pohon se normalisht këto duhet të ishin ditë të ngarkuara me punë, por ndoshta shumë faktorë, përfshi këtu edhe motin, i kanë mbajtur njerëzit paksa të frenuar. Ai shpreson se 15-ditëshi i dytë i korrikut dhe gushti do të rikthejnë normalitetin dhe fluksin e pritshëm të pushuesve, pasi, sipas tij, këto janë edhe periudhat kur ka rritje të dukshme të turizmit.


Fundjava plotëson


Është fundjava ajo që orienton drejt bregdetit këto ditë korriku. Në ditë të tilla, trafiku është shumë më i rënduar. Madje, pushuesit duhet të llogarisin mirë kohën për të shkuar në plazh, pasi në segmente të caktuara mund të presësh shumë kohë për të dalë nga radha e gjatë. Më e vështirë në raste të tilla është lëvizja kryesisht në zonën te Akademia e Marinës deri te ish-Rrapi në Ujë të Ftohtë. Ajo që vërehet është se maqedonasit kanë mbërritur të parët.


Pasi kanë provuar të zhvendosin një vit më parë pushimet e tyre në Vlorë, ata i janë rikthyer sërish qytetit bregdetar. Mbrëmjeve në zonën e Skelës, pranë Qendrës Tregtare dëgjon që flitet gjuha e tyre. Janë të shumtë familjarët, të cilët pas orëve të plazhit, pasditen dhe mbrëmjen ia besojnë shëtitjes apo një ndalese në bar.


Plazhi ku mund të gjesh larmi pushuesish, është pikërisht plazhi publik. Fundjava këtu mbledh të ardhur nga rrethe, më të shumtë nga Fieri, Berati, Lushnja, si dhe shumë të tjerë janë maqedonas e më pak kosovarë. Edhe një vit më parë po ky plazh pati një status të tillë, ndërkohë që periudha ishte edhe më e mbingarkuar.


Mbërrijnë emigrantët


Shifra më e lartë që shënon po fundjava në portin e Vlorës shkon deri në 550 pasagjerë, shumica e të cilëve emigrantë. Vera tradicionale bën të dukshme ardhjet e para për emigrantët, ndërkohë që pranë pikës së kalimit kufitar pohohet se këto ditë ka një rritje të numrit të emigrantëve, por nuk mund të flitet ende për fluks të mirëfilltë.


Sipas tyre, është i pritshëm një i tillë në fund të korrikut e fillimgushtit. Emigrantët janë një tjetër kategori pushuesish, të cilët kthehen në vendlindje për pushime. Shumë prej tyre mbeten besnik të pushimeve pranë familjes apo edhe zonave bregdetare në vend, ku një pjesë e rezervimeve bëhen në Vlorë, Dhërmi, Himarë e Sarandë.


Nga opinionet që mund të mbledhësh në port, kjo për disa është bërë një zakon që ka gjasa të zgjasë. Për të tjerë, nuk është një lidhje e qëndrueshme, pasi pushimet preferojnë t'i bëjnë jashtë, duke përfituar edhe nga paketa që mund të ketë në vende të ndryshme.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›