Operacioni i rrallë, hiqet nga këmba tumori 15 kg

Pacienti dhe mjekët pas operacionit
Tiranë, 20 korrik 2011 NOA – Ekipi i mjekëve të Spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka kryer një operacion të rrallë. Një masë tumorale prej 15 kg është hequr nga këmba e Adrian Bankollarit. Një operacion i zgjatur për më shumë se 6 orë, ka kërkuar vëmendjen më të madhe të Drejtorisë së QSUT-së, e cila ka bërë të mundur blerjen e medikamenteve shtesë për këtë person, por edhe për sigurimin e gjakut. Gjatë ndërhyrjes kirurgjikale, pacientit i është nevojitur një sasi prej 4 litrash. Gjatë fjalës së tij mjeku kirurg, Agim Karaj tha se është bërë një nga ndërhyrjet më të rënda të realizuara në vend.
Mjeku Agim Karaj
“Ndërhyrja është realizuar nga barku, duke prerë enët e gjakut për të hequr gjithë pjesën tumorale qe ndodhej në këmbe dhe në pjesën e legenit. Aktualisht gjendja është e mirë, pasi tumorri nuk ka një formë agresive malinje, pa metastaza. Ne shpresojmë që gjendja e tij të përmirësohet dhe mund të ketë një mbijetesë si gjithë të tjerët”, ka sqaruar mjeku Karaj.
Nga ana tjetër drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku ka pohuar se ndërhyrja e kryer është e një lloji të veçantë. “Ky operacion për pacientin është kryer falas, kurse kostoja ka shkuar deri në 13 mijë euro. Përsa i përket rasteve me tumorre mund të them se kemi një rritje të tyre nga viti në vit, por e rëndësishme është që të behet diagnostikimi i plotë i sëmundjes” ka pohuar Ivziku.
Adrian Bankollari, 62 vjeç është shtruar në 26 qershor në ambientet e onkologjikut, në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa po vijon trajtimin përfundimtar të terapisë.
a.q/NOA