E Diel, 1 Nëntor 2026

Siguria e Berishës, Garda merr dhe snajperë në udhëtimet jashtë Tirane. Jelekun nuk e heq as në korrik

Garda e Republikës është e përfshirë në operacione tepër intensive gjatë këtyre shtatë muajve të fundit. Që prej 21 janarit, kryeministri Sali Berisha jo vetëm që ndiqet nga dyfishi i gardistëve në shërbim dhe truprojave, por udhëton me makinë të blinduar dhe për më tepër janë rritur dyshimet se mban dhe jelek antiplumb.

Por në takimet që zhvillon në rrethe të ndryshme, kujtojmë këtu daljet në qarqet e Lezhës, Shkodrës apo Durrësit, në takimet me banorët, mësohet se kryeministri ruhet edhe nga forca speciale, ose trupa e snajperëve që pozicionohen në vende kyçe. Burime të sigurta nga ministria e Brendshme thanë për agjencinë se prej disa muajsh Garda ka dyfishuar forcat në shërbim të kryeministrit dhe familjes së tij. Jo vetëm banesa dhe kryeministria, por edhe lëvizjet e fëmijëve të tij janë të survejuara dhe hapësira e vendosjes së trupave të gardës, kryesisht ushtarë civilë, ka zgjeruar perimetrin.

Kurse në udhëtimet jashtë kryeqytetit, kryeministri ruhet nga të gjitha truprojat e tij që janë në shërbim pa ditë pushimi dhe një grup special që siguron perimetrin në një distancë deri në 2 kilometra në ndjekje me dylbi apo snajperë. Kjo masë sigurie është ndërmarrë për të shmangur ndonjë sulm të mundshëm nga distanca, ndaj dhe kontrollohen e sigurohen të gjitha godinat që janë afër, zonat e pyllëzuara, rrugët, apo objekte të tjera. Po kështu mbahen nën vëzhgim të rreptë pjesëmarrësit në këto takime, kryesisht janë inaugurime rrugësh apo veprash të vogla.

Nuk mungojnë edhe kontrollet fizike të banorëve gjatë tubimeve e takimeve që kryen kryeministri, por operacioni kryesor i sigurisë mbetet ndjekja nga larg e të gjitha lëvizjeve të dyshimta nga ana e qitësave të sprovuar të Gardës së Republikës.

Ndërkohë më poshtë gjeni disa foto që tregojnë kryeministrin, i cili nuk e heq jelekun e tij as në piskun e vapës në korrik.

AMA NEWS

Berisha në Porto Romano- 1 korrik

Berisha në inaugurimin e rrugës Ballsh- Aranitas- 2 korrik

Berisha në inaugurimin e Hidrocentralit të Ashtës- 5 korrik

Berisha në Muzeun Arkeologjik në Durrës- 19 korrik

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›