Operacioni “Dubrava” godet grupin kriminal për ‘kontrabandim me migrantë’

Policia e Kosovës, më konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar pas hetimeve të zhvilluara që nga tetori i vitit 2012 lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi të organizuar i përbërë nga disa persona për të cilët dyshohej se merreshin me kontrabandim me migrantë- krim i organizuar, sot në rajonin e Prizrenit në pesë lokacione të ndryshme, ka realizuar operacionin policor të koduar me emrin “DUBRAVA”.
"Gjatë realizimit të këtij operacioni policor janë arrestuar pesë persona shtetas kosovar që vepronin si grup, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit në vazhdimësi kryenin veprën penale të kontrabandimit të migrantëve dhe falsifikimin e dokumenteve te udhëtimit, duke përfituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme.
Gjatë operacionit janë kontrolluar pesë shtëpi banimi me objekte përcjellëse.
Të dyshuarit me qëllim të përfitimit të shumave financiare, organizonin grupe dhe individë, qytetarë të Republikës së Kosovës me qëllim të kontrabandimit të tyre në shtetet e perëndimit.
Ata për këtë qëllim shfrytëzonin vijat e rregullta dhe ilegale të udhëtimit kryesisht nga qytetet e Kosovës në drejtim të Serbisë për të kaluar fillimisht në Hungari e më pastaj në shtetet tjera evropiane" thuhet në komunikatën e Policisë.
Gjatë hetimeve të këtij rasti deri më tani janë identifikuar 26 viktima të kontrabandimit me migrantë.
Të gjitha veprimet policore lidhur me këtë rast janë kryer nën autorizimin e prokurorit përkatës dhe personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje për të vazhduar me procedurat tjera hetimore. /Indeksonline/