Operacioni policor ndërkombëtar “Together”, arrestohen dy shqiptarë në Luksemburg

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe FAST Albania zhvilluan operacionin policor ndërkombëtar, të koduar “Together”. Si rezultat i sigurimit dhe shkëmbimit të informacioneve nga Policia e Shtetit, janë lokalizuar dhe vënë në pranga në Luksemburg dy shtetas shqiptarë, të akuzuar për vjedhje me dhunë në banesa.
Në kuadër të operacionit “Together”, informacionet e siguruara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe FAST Albania, si dhe shkëmbimet me FAST Luksemburg, nëpërmjet rrjetit ENFAST, mundësuan kapjen në Luksemburg të shtetasve shqiptarë K. N., 29 vjeç, lindur në Mirditë dhe K. M., 28 vjeç, lindur në Pukë.
Dy shtetasit akuzohen për kryerje të vjedhjeve me dhunë në disa banesa në Luksemburg. /j.p/