E Martë, 3 Nëntor 2026

Opinion/ Ian Herbert: Superliga tentativë e dëshpëruar e Realit

Për të kuptuar përpjekjet për Superligën duhet të shikojmë pak më tutje. Pas këtij projekti qëndrojnë dy klube të mëdha spanjolle, të cilat kanë humbur shumë nga shkëlqimi ekonomik, i cili i karakterizonte vite më parë.

Për të ilustruar këtë që mendoj mjafton të themi se ku e kanë kaluar të enjten mbrëma lojtarët e Barcelonës. Të mërkurën ata menjëherë pas ndeshjes me Almerian u detyruan që të merrnin një avion drejt Dallasit në një udhëtim plot 14 orësh pasi i priste një ekip meksikan. I gjithë ky mundim i vlejti 4.3 milionë paund. Ky fakt tregon nevojë për para të thata që ka njëra nga skuadrat më të mëdha të europës.

Zvogëlimi i këtyre dy klubeve është vënë në dukje më shumë në pesë vitet e fundit, por fajtorin duhet ta gjejnë diku tjetër. Këto klube janë treguar mendjemëdha, kanë treguar se bëjnë gjithçka për para dhe se kanë shkatërruar rivalitetin në Spanjë duke e kthyer La Ligën në një produkt jo tërheqës.

Kjo ka sjellë edhe uljen e numrit të tifozëve në stadium. Një fenomen i tillë është vënë re edhe në shifrat e tifozëve, të cilët ndjekin takimet nga shtëpia duke ulur kështu dukshëm të ardhurat e klubeve nga të drejtat televizive. Gabimi në merkato ka bërë që sidomos Barcelona të futet në një krizë të thellë financiare.

Super Liga e Europës është pikërisht një pasojë e argumeneteve të dhëna më lart. Të dy klubet iberike shikojnë në këtë ligë të re mënyrën e vetme për të mbushur edhe një herë boshllëkun e madh që i ndan nga klubet e Premier Ligës.

Nga e gjithë kjo histori zbuluam një të vërtetë të pakëndshme. Asnjë klub me peshë, përveç Realit dhe Barcelonës, nuk ka interes për këtë projekt. Gjashtë klubet e mëdha të Premier Ligës, të cilët ishin mbështetësit fillestarë të Superligës, nuk bënë të njëjtin gabim dy herë. Kësaj radhe dolën kundër duke evituar një figurë të keqe siç ishte ajo e prillit të 2021-it, kur pas protestave të tifozëve të tyre u detyruan që të tërhiqeshin dhe të kërkonin falje.

Klubet gjermane nuk ishin të interesuara për arsye kulturore. Juventusi është kthyer kundër konceptit që nga momenti kur bëri ndryshimin në përbërjen e bordit. Paris Saint-Germain nuk e mbështet për arsye politike. Në Spanjë, Atletiko Madrid ishte klubi i parë që njoftoi se nuk ishte i interesuar.

Gjithçka dukej mjaft torturuese për të dëshpëruarit e Barçës dhe Realit, megjithatë ata vazhduan pa marrë parasysh, të fuqizuar nga vendimi i GJED-së, duke shpërfillur faktin se e drejta ligjore për t’u shkëputur nuk është aq e rëndësishme nëse askush tjetër nuk dëshiron ta bëjë këtë.

Koment nga Ian Herbert

(editorialist i Daily Mail)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›